E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i USAID, KLD e përshëndet

TIRANË- Këshilli i Lartë i Drejtësisë reagoi dje ndaj raportit të përgatitur nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA), financuar nga USAID-i, në prani të drejtoreshës së këtij programi të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, Roberta Mahoney. Në një njoftim për shtyp, ky këshill rikonfirmoi predispozitat e tij të plota në marrjen e të gjitha masave për përmirësimin e integritetit të gjyqësorit shqiptar, duke investuar në çdo vendimmarrje të tij, elementë që i shërbejnë më së miri funksionimit të drejtësisë.
"Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në vlerësim të rëndësisë kardinale që pavarësia e gjyqësorit dhe lufta ndaj korrupsionit kanë në shtetin e së drejtës dhe në procesin integrues të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, e konsideron sondazhin e kryer nga IDRA si një mjet të vlefshëm, në transmetimin e mendimit publik, ndaj të cilit çdo institucion duhet të reflektojë. Me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të perceptimit të publikut ndaj dhënies së drejtësisë, KLD-ja, nëpërmjet objektivave të tij, synon të rrisë transparencën dhe profesionalizmin në gjykatat shqiptare",- thuhet në njoftimin për shtyp të KLD-së.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›