E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkelja, Topalli abuzim me paratë e naftës

Deputetja e PS-së, Rajmona Stefa, ka akuzuar Topallin se, lekët që u ka mbajtur deputetëve vetëm nga karburanti, po i përdor për turin në rrethe


TIRANË- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e ka gjetur mënyrën se si të përballojë fushatën e saj elektorale me lekët e taksapaguesve shqiptarë. Kësaj here, ajo ka zgjedhur të bëjë fushatë për "arritjet" e PD-së, në kurriz të kolegëve të saj deputetë. Bëhet fjalë për shfrytëzimin e një skeme abuzimi me zërin e shpenzimeve operative dhe konkretisht me fondin e karburantit për makinat e deputetëve. Skemë e cila konsiston në llogaritjen e naftës për deputetët me çmime shumë më të ulëta sesa ato të tregut, duke ulur ndjeshëm shpenzimet për këtë mall dhe duke "kursyer" në masë të konsiderueshme buxhetin e Kuvendit për veten e saj.


Skema
Në shkresën zyrtare të lajmërimit të kreditimit për shpenzimet e muajit shkurt 2009, zyra e trajtimit të deputetëve ua ka llogaritur parlamentarëve një litër naftë me një mesatare prej 740 lekë. Në këtë mënyrë, një deputeti, që është zgjedhur në një nga zonat zgjedhore të largësisë së nivelit të dytë, pra jo në Qarkun e Tiranës dhe të rretheve përreth, i është përcaktuar një sasi karburanti prej 179 litra naftë në muaj. Por, për lehtësi menaxhimi, Kuvendi nuk e jep këtë sasi karburanti në mall, por e llogarit atë në lekë, të cilat u jepen deputetëve së bashku me rrogën, në mënyrë që këta të fundit ta blejnë më pas atë në treg. Por, një skemë e tillë është shfrytëzuar nga Kuvendi për të ulur shpenzimet operative ndaj deputetëve dhe për të lehtësuar barrën e buxhetit, duke e llogaritur një litër naftë me çmime shumë më të ulëta sesa ato të tregut. Madje, çmimi me të cilin është llogaritur një litër naftë për muajin shkurt, të cilin ne kemi marrë në analizë, është afro 24 lekë më e lirë edhe se çmimi i naftës që ka publikuar vetë INSTAT-i për këtë muaj. Sipas të dhënave të paraqitura nga INSTAT-i, të dhëna të cilave u referohet edhe institucioni i Kuvendit në llogaritjet e tij, në muajin shkurt, nafta e vendit ka pasur një çmim mesatar prej 98.1 lekë, ndërsa nafta e importit me 105.1 lekë. Ndërsa deputetët kanë marrë shtesë në rrogë për 179 litra naftë, vetëm 13.3 mijë lekë, pra duke ua llogaritur një litër naftë me 740 lekë, ose thënë ndryshe, 24.1 lekë më lirë sesa çmimi i INSTAT-it dhe më shumë se 30 lekë më lirë se çmimi i tregut. Nga një manovrim i tillë rezulton se Topalli ka mundur të sigurojë për të gjithë këtë kategori deputetësh të zgjedhur në zona jashtë Qarkut të Tiranës, nga 5.4 mijë lekë për secilin vetëm për muajin shkurt. Ndërkohë që nga dokumentacioni që zotërojmë, e njëjta skemë është përdorur edhe në muaj pasardhës, pra për marsin. "Një gjë e tillë është skandaloze, pasi deputetëve në mënyrë abuzive u llogaritet nafta me një çmim shumë të vogël, jo vetëm sesa janë çmimet e tregut, por edhe ato që japin vetë institucionet e kësaj mazhorance, siç është INSTAT-i", - u shpreh dje për "Shekulli"-n deputetja Rajmonda Stefa. Të njëjtin fat kanë pasur edhe deputetët që janë zgjedhur në Qarkun e Tiranës dhe të rretheve fqinje, si dhe për deputetët e zonave të largëta, apo të nivelit të tretë, siç është Gjirokastra, Korça, apo Kukësi.


Akuza
Por, sipas deputetes socialiste, Raimonda Stefa, e cila edhe bëri dje prezent një shqetësim të tillë, kjo është një praktikë që është vërejtur më shumë, për shkak të masës së madhe të abuzimit, kryesisht në dy muajt e fundit, pra në shkurt dhe mars (për prillin ende nuk është bërë llogaritja e shpenzimeve të deputetëve nga ana e administratës). Nisur nga një fakt i tillë, ajo nuk ka nguruar që ta lidhë këtë abuzim me fushatën që Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka ndërmarrë nëpër gjithë Shqipërinë, në kuadër edhe të garës së ardhshme elektorale. Kështu, Stefa ka akuzuar Kryetaren e Kuvendit se lekët që u ka mbajtur deputetëve vetëm nga karburanti, po i përdor për turin "Shqipëria në NATO". "Ky lloj veprimi, sipas meje, ka vetëm një shpjegim, që Kryetarja e Kuvendit, lekët që po na zhvat neve, po i përdor për fushatën e saj elektorale dhe administratën që shoqëron në këtë fushatë", - u shpreh deputetja Stefa. Faktikisht, kohët e fundit Topalli është bërë shumë e ashpër për çështjet financiare, kryesisht ndaj deputetëve socialistë, të cilëve vetëm tre muaj më parë u mbajti dhe rrogën për tri ditë që nuk kishin marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve dhe seancave plenare, pavarësisht se ky ishte një vendim politik.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›