E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debati, PD mbron siglën e Partisë së Punës

Anëtarët demokratë në KQZ votuan pro heqjes së germës "R" të Partisë së Punës së Shqipërisë të Riorganizuar.


TIRANË- "Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni". Shprehja e famshme e Marksit, që hyri në histori dhe që është përvetësuar si slogan nga Partia e Punës së Shqipërisë e Riorganizuar, duket se ka bërë për vete edhe demokratët, të cilët dje, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë bërë një me ish-komunistët, që 18 vjet më parë i rrëzuan nga pushteti. Bëhet fjalë për sensibilizimin, si të anëtarëve të PD-së në KQZ, ashtu edhe të përfaqësuesit të kësaj force në këtë institucion, me kërkesën e përfaqësuesve të Partisë së Punës së Shqipërisë të Riorganizuar, për të ndryshuar siglën me të cilën kjo forcë do të prezantohet në fletën e ardhshme të votimit më 28 qershor. "Për efekt të lehtësie të përdorimit të emrit në fletën e votimit dhe për lehtësi të orientimit të votuesve, kërkojmë që të hiqet germa "R" nga inicialet dhe të mbetet vetëm PPSH", - ishte kërkesa e bërë nga përfaqësuesja e kësaj force para anëtarëve të KQZ-së, kërkesë e cila nuk ka mundur të gjejë mbështetjen e anëtarëve të majtë të KQZ-së, të cilët kanë argumentuar se heqja e kësaj germe nga inicialet shoqëruese të siglës do të preknin thelbin e emërtimit të partisë. Por, nuk kanë qenë të këtij mendimi demokratët, të cilët kanë mbështetur kërkesën e ish-komunistëve me argumentin se tashmë ndryshimi i germave në siglën prezantuese të partive në KQZ, është bërë një standard. Prandaj kanë mbështetur propozimin e PPSHR-së. "Në mbledhjen e parë kam qenë që shkronjat të mos i lëvizim, por të hiqnim vetëm thonjëzat dhe pikat, duke i qëndruar kodit dhe vendimit gjyqësor. Por unë mendoj se këtu duhet të mbajmë një standard për të gjitha forcat politike, po kështu edhe për partitë, pavarësisht se diku lë një shije të mirë dhe diku një shije jo të mirë. Por, meqë standardin e vendosët për Partinë Demokristiane dhe Partinë Socialiste, unë mendoj se edhe në këtë rast duhet të plotësojmë kërkesën e vetë forcës", - tha anëtari demokrat i KQZ-së, Hysen Osmanaj. I gjendur përballë argumenteve pro dhe kundër, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, është detyruar ta hedhë në votim propozimin për të hequr germën "R", propozim i cili ka mundur të miratohet me 4 vota pro dhe 3 kundër (pro votuan Arben Ristani, Hysen Osmanaj, Klement Zguri dhe Deshira Subashi, ndërsa kundër tre anëtarët e tjerë). Gjithashtu, KQZ-ja, në mbledhjen e djeshme ka rrëzuar kërkesën e Partisë Emigracioni Shqiptar për t'u regjistruar si subjekt zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme, me argumentin se ka probleme ligjore lidhur me kryetarin. Në përfundim, KQZ-ja ka miratuar 45 forca politike si subjekte zgjedhore në garën e ardhshme elektorale. Tashmë këto forca duhet që 45 ditë para datës së zgjedhjeve të përcaktojnë koalicionet me të cilat do të konkurrojnë në zgjedhje.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›