E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, arrest me burg për 8 zyrtarët e METE

TIRANË-Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi sot masën e arrestit burg pa afat për 8 zyrtarët e METE që akuzohet se shpërdoruan detyrën duke favorizuar firma të ndryshme me peshën e produkteve të tyre.
Sipas prokurorisë këto shtetas kryenin kalibrime fiktive të depozitave, Distributorëve, autoboteve të karburanteve dhe gazit, peshore të llojeve të ndryshme të supermarketeve, lokaleve, furrave të bukës, dyqaneve të argjendarive, mallrave të paketuar si dhe taksimetrat.
Gjykata caktoi arrest me burg për shtetasit:
Roland Çelmeta, zv/drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Metrologjise dhe Kalibrimit, Moisiu Musabelliu, zv.drejtori drejtorisë rajonale të metrologjisë për Tiranën, Kristaq Thanasi, inspektor, Hetem Basho, inspektor, Armand Xhika, inspektor, Agron Damzi, inspektor dhe Sokol Lami, inspektor.
HETIMET
Pas 7 muaj hetimesh, Seksioni Kundër Korrupsionit në Policinë e kryeqytetit, në bashkëpunim me Njësinë Taks Forcë në Prokurorinë e Tiranës, finalizoi dje operacionin policor të koduar “Kalibrimi”, duke vënë në pranga zyrtarët e lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Meterologjisë pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës.
Fillimisht ishin 14 zyrtarë të lartë të Drejtorisë së Metrologjisë në varësi të Ministrisë së Ekonomisë qe u shoqëruan sot në Policinë e Tiranës, por disa prej tyre do të ndiqen penalisht në gjendje të lirë. Arrestimet janë kryer nga Njësia e Task Forcë në Prokurorinë e Tiranës.

Gjatë ecurisë së këtij hetimi, është konstatuar se, këto shtetas kryenin kalibrime fiktive të depozitave, Distributorëve, autoboteve të karburanteve dhe gazit, peshore të llojeve të ndryshme të supermarketeve, lokaleve, furrave të bukës, dyqaneve të argjëndarive, mallrave të paketuar si dhe taksimetrat.
Policia e Tiranes shpjegon se nga hetimi, i deritanishëm, ka rezultuar se, shtetasit pasi merrnin paratë e kolaudimit apo kalibrimit të njësive të peshëmatjes, një pjesë të konsiderueshme të ardhurash nuk i kalonin në arkën e shtetit. Po ashtu, në shumën e rasteve nuk u jepnin subjekteve të ndryshme faturat e Tvsh -së si dhe duke u kërkuar ryshfet subjekteve të ndryshme për të bërë kalibimin apo kolaudimin e njësive të peshëmatjes.

Aktualisht, gjatë shtritrjes së hetimit është konkluduar se shtetasit në bashkëpunim përmes tyre, bënin kolaudimin fiktiv të distributorëve të karburanteve të naftës, duke bërë të mundur që subjekte të ndryshme që tregëtojnë karburant apo gaz, të kenë mundësi që të përfitojnë duke shitur më pak nga sasia që tregojnë aparaturat.
Gjithashtu, duke bërë kalibrimin apo kolaudimin fiktiv në peshoret e furrave të bukës, subjektet tregëtare përfitonin duke shitur bukën nën peshën reale. Po ashtu, edhe në supermarkete dhe subjekte të tjera tregëtare, dyshohet se bënin kolaudimin fiktiv në peshoret e këtyre subjekteve.

Në lidhje me arrestimet e kryera tek Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë dhe Kalibrimit, vjen edhe reagimi i METE, institucioni që ka në varësi këtë drejtori. Sipas një njoftimi të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ky institucion distancohet nga veprimet e këtyre zyrtarëve, duke thënë se përgjegjësia për këto veprime është vetëm individuale.

(da.bo/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›