E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau për të mbrojtur babanë, ekstradohet i riu

Italia i ka dorëzuar policisë shqiptare të
riun Denis Meta, i cili prej tre vitesh ishte
shpallur në kërkim për vrasjen e një
shoku të tij, i cili i kishte ngacmuar motrën
dhe plagosur babanë. I dënuar me 15 vjet
burg, ai është dërguar në një burg të sigurisë
së lartë nga policia, të cilët e kanë
marrë në dorëzim sapo ka zbritur në
aeroportin e Rinasit. Bëhet fjalë për ngjarjen
e ndodhur më 30 tetor të vitit 2005.
Sipas dosjes penale, rreth orës 14:00 të asaj
dite, në kryqëzimin e rrugës "Nikolla Lena"
me rrugën "Adem Seit Kruja", pas një
grindjeje, Denis Meta dhe Kreshnik Zena
kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të
njëri-tjetrit dhe si pasojë ka mbetur i vrarë
Zena, dhe është plagosur babai i Denisit,
Fatmir Meta. Personat njiheshin me
njëri-tjetrin, pasi ishin djem të një lagjeje
dhe konflikti mes tyre ka nisur, pasi viktima
kishte ngacmuar motrën e ekzekutorit.
Pas kësaj, Denisi ka kërkuar nga
Kreshniku që të mos e ngacmonte më
motrën e tij, duke e paralajmëruar me një
shuplakë. Kreshniku, i zemëruar, i tregon
ngjarjen vëllait të tij, Dorian Zenës. Pas
kësaj, ky i fundit takon dhunuesin e vëllait
në një lokal të lagjes ku janë ulur për
t‘u sqaruar. Në mes të bisedës, aty ka shkuar
dhe është ulur edhe babai i Denisit,
Fatmir Meta. Në këtë moment, debati
është acaruar dhe të dyja palët janë çuar
pa e mbyllur konfliktin dhe duke e lënë
për më vonë se, "kush ishin më të fortët".
Rrugës, dy palët janë takuar sërish dhe
përsëri ka nisur debati mes tyre. Gjatë
grindjes, Denisi dhe Kreshniku kanë
nxjerrë nga brezi pistoletat që kishin me
vete dhe kanë nisur të qëllojnë drejt njëritjetrit.
Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit ka
mbetur i vrarë Kreshnik Zena dhe është
plagosur rëndë Fatmir Meta. Gjithashtu,
një plumb ka kapur në dorë Artom Xibrakun,
i cili ka qenë aty pranë, por nuk ka
qenë pjesëmarrës në grindje. Menjëherë
pas ngjarjes, Denis Meta është larguar jashtë
vendit dhe deri dje nuk ishte mundësuar
kapja e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›