E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimi, një në tre pacientë merr infeksion pasi shtrohet në spital

 

Rreth 38% e pacientëve që trajtohen në spitalin “Nënë Tereza” marrin të paktën një infeksion spitalor, veç sëmundjes që kanë. Këto janë shifrat zyrtare, por në fakt specialistët raportojnë se përqindja është dy herë më e lartë. Pasojat mund të jenë fatale, duke shkaktuar deri edhe vdekjen e të sëmurit. Në rastin më të mirë, pacientit i duhet të qëndrojë disa herë më gjatë në spital dhe të dyndet me antibiotikë super të fortë. Marrja e masave për të përmirësuar situatën ishte në fokus të takimit të dy ditëve më parë, mes mjekëve shqiptarë e italianë. Kreu i Shëndetësisë, Petrit Vasili, tha se parandalimi i infeksioneve spitalore është një punë e vështirë, ndaj në fillim të 2010 do të hartohet një plan masash, i cili do të shoqërohet edhe me buxhet. “Do të bëjmë të pamundurën që në fillim të 2010 të kemi planin e detajuar për të pasur një përballim të përditshëm të luftës kundër infeksioneve spitalore. Është betejë e vështirë, po duhet përballuar”, tha Vasili.  Po dje, Ministri i Shëndetësisë përuroi rikonstruksionin e poliklinikës së specialiteteve numër 3 në Tiranë. I pranishëm në aktivitet ishte edhe Ambasadori Italian në Tiranë, Sabah Delia. “Kam besim që do të jetë shtylla e parë shumë e rëndësishme e sistemit të ri që ne duam të reformojmë. Një poliklinikë e rikonstruktuar si kjo, besoj se ofron më të mirën për qytetarët e Tiranës”, u shpreh ministri Vasili. Ai theksoi se po punohet për përmirësimin rrënjësor të infrastrukturës, teknologjisë dhe forcimin e kapaciteteve të burimeve njerëzore, me qëllim përmirësimin rrënjësor të shërbimeve dhe përafrimin e tyre me standardet evropiane. Nga ana e tij, Ambasadori Italian në Tiranë, Sabah D”Elia, tha se qeveria italiane nëpërmjet donacioneve të ndryshme përkrah zhvillimin e sistemit shëndetësor në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›