Korrupsioni i drejtorit të spitaleve dhe ministrit të Shëndetësisë, lë QSUT pa ilaçe
Nëse halli të zë e kurohesh në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza duhet ti bësh hesapet mirë. Mungesa e ilaçeve që prej atyre që kurojnë sëmundjet e rënda e deri tek aspirinat e paracetamolët, ka rebeluar qytetarët që kanë të shtruar të afërmit në pavijonet e ndryshme të QSUT-së. Por jo vetëm ata, por edhe vetë pacientët të shtruar ne pavijonet e kardiologjisë,
sëmundjeve të diabetit, hematologjisë por edhe të sëmurët tek pavijoni i Onkologjisë dhe prindërit e fëmijëve tek Pediatria ankohen se gjendja e ilaçeve është tejet problematike. Sipas tyre në spital gjenden vetëm një pjesë e vogël e ilaçeve që mjekët ju vënë në receta apo kartela ndërsa pjesa e madhe e tyre mungon pothuajse gjithë kohën. Kam blerë sot rreth 60 mijë lekë ilaçe për të afërmin tim, këtu mungon gjithçka duket sikur jemi në një spital lufte ku edhe garzat janë me numër . Kjo ishte deklarata e një qytetari i cili kishte ardhur një javë më parë për të shtruar të afërmin e tij në pavijonin e kardiologjisë. Përpos kësaj qytetarë të tjerë tregojnë se edhe një pjesë e madhe e analizave sidomos për sëmundjet e gjakut nuk mund të kryhen në QSUT pasi mungojnë aparaturat. Një tjetër qytetar nga Vlora i cili kishte shtruar nënë e tij që prej dy javësh në pavijonin e Onkologjikut tha dje për gazetën SOT se në të shumtën e rasteve janë vetë infermieret ose mjekët që i orientojnë për ti blerë ilaçet në farmaci, madje në disa raste ndodh që gjuha e përdorur sidomos nga infermieret lë shumë për të dëshiruar dhe është shumë e ashpër. Një qytetare nga Kruja ka treguar dje për gazetën se në një rast kur i ka kërkuar infermieres një aspirinë në pavijonin ku është shtruar ajo i është kthyer më një gjuhë tejet ordinere. Kisha disa orë që kisha një dhembje koke të tmerrshme dhe i drejtohem infermieres me mirësjellje nëse mund tmë gjente në infermieri një aspirinë apo një paracetamol, ajo mu kthye duke më ulëritur se nuk kishte spitali dhe se 5 metra ishte farmacia e të shkoja ti blija atje tha pacientja e cila ishte shtruar në pavijonin e sëmundjeve të diabetit. Mungesa e ilaçeve është kthyer tashmë në një makth të vërtetë për pacientët të cilat kanë nevojë në ço moment për medikamentet e ndryshme. Burime nga Drejtoria e QSUT-së kanë deklaruar disa ditë më parë për gazetën se tenderi i ilaçeve është në mbarim e sipër ndërsa në spital janë pacientët ata që e vuajnë mungesën totale të ilaçeve. Në këtë kontekst çdo kujt që i bie fati i keq të jetë pacient në Qendrën Spitalore më të madhe në vend detyrohet që ti blejë pothuajse të gjitha ilaçet që prej qetësuesve e deri tek gjilpërat e medikamentet me efekt më të lartë për çdo sëmundje përkatëse.
Mungesa e kushteve
Nëse vëmendjen ta tërheq dera e prishur pa dorezë dhe e lidhur me një llastik nga ato që shërbejnë për shtrëngimin e krahut kur mat tensionin nuk është për tu habitur fakti se pikërisht ajo është një ndër qindra dhomat e spitalit më të madh në vend, por se aty jetojnë të sëmurë që kërkojnë e kërkojnë pa mbarim kushte minimale për ato ditë që qëndrojnë në spital e vuajnë në shumë raste midis jetës e vdekje. Por jo vetëm për ata por edhe për të tjerët që kërkojnë për të afërmit e tyre kushte normale e jo dhoma të mbushura me merimanga në mure që kushedi se që kur kanë pa u lyer. Një tjetër fakt dëshpërues është që në mbarë QSUT-në kushtet duket sikur janë po njësoj dhe fjalët e premtimet boshe të Ministrit të Shëndetësisë por jo vetëm të tij janë letra në erë. Por gjëndja e ilaçeve e cila është më imediatja sidomos gjatë ditëve të fundit kur shtratet janë të tej mbushur e dhjetëra pacientë të tjerë presin për tu shtruar duket se është përgjegjësi e Drejtorit të Spitalit por edhe e vetë Ministrit të Shëndetësisë të cilët në çdo dalje të tyre publike premtojnë se nuk do të mungojnë ilaçet në QSUT.
Arta AGOLLI
Last Updated on E Shtune, 03 Prill 2010 19:14