E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni, konfiskohet pasuria

 

ADI SHKEMBI

Pasuria e vënë nëpërmjet korrupsionit mund të sekuestrohet ndonëse ndaj personit që e posedon atë nuk ka ende një procedim penal. Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje pr.ligjin “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”. Gjatë debatit parlamentar, variantit të miratuar dy javë më parë nga qeveria me propozim të ministrit të Drejtësisë, i janë bërë disa saktësime, të cilat e bëjnë ligjin më të qartë për t’u zbatuar. Konkretisht në nenin 2, ku përmendet objekti i ligjit, pas ndryshimeve në komision thuhet se, “ky ligj përcakton procedurat, kompetencat dhe kriteret për zbatimin e masave parandaluese kundër pasurisë së personave që janë subjekt i këtij ligji, si pjesëmarrës në krimin e organizuar, korrupsionin dhe trafiqet”. Ndërkohë që në variantin e ardhur nga qeveria termat ‘korrupsion’ dhe ‘trafiqe’ nuk ishin përmendur në nenin e ‘objektit’.
Familjarët
Pr.ligji i cili pritet të miratohet të enjten në Parlament, parashikon konfiskimin e pasurive të pajustifikuara të të afërmve të personit të dyshuar, por që për të cilin ende nuk ka procedim penal. Në pikën 3 të nenit 3 thuhet se, “dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe ndaj pasurive të: personave të afërm (bashkëshortit, fëmijëve, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit, motrat, ungjërit, emta, nipërit, mbesat, fëmijët e vëllezërve dhe motrave, vjehrri, vjehrra, dhëndri, nusja, kunata, kunati, bashkëjetuesi, thjeshtri, thjeshtra, njerku dhe njerka”. Gjithashtu pasuria i konfiskohet edhe personave fizikë ose juridikë, për të cilët ka të dhëna të mjaftueshme se pasuritë ose veprimtaritë e tyre zotërohen, pjesërisht ose plotësisht, ose kanë lehtësuar apo kanë ndikuar në veprimtarinë e paligjshme të personave të dyshuar. “Procedura verifikuese vepron ndaj pasurisë dhe zgjeron fushën e veprimtarisë së ligjit, duke shtrirë edhe tek trashëgimtarët e zotëruesit të pasurive të paligjshme nën një afat të caktuar. Gjithashtu është reformuar në këtë nen çështja e unifikuar nga Gjykata e Lartë, duke zgjidhur sekuestrimin/konfiskimin e pasurive të paligjshme edhe përpara përfshirjes së personit në veprimtari të paligjshme”, thuhet në relacionin e pr.ligjit.
Kriteret e sekuestros
Varianti i pr.ligjit të miratuar në Komisionin e Ligjeve parashikon tre momente që shërbejnë si kritere për sekuestrimin e pasurive. Konkretisht, momenti i parë është kur ekziston një rrezik real për humbje, marrje apo tjetërsim të fondeve, pasurive apo të drejtave të tjera mbi të cilat parashikohet vënia në zbatim e masës së konfiskimit. Ndërkohë në pikën b të nenit 7 të ligjit, parashikohet si kriter për konfiskimin edhe rasti kur të ardhurat nuk justifikojnë pasurinë e vënë. “Me kërkesë të motivuar të prokurorit, gjykata vendos sekuestrimin e pasurive të personave sipas nenit 3 të këtij ligji, kur: ka të dhëna të mjaftueshme për të treguar se një person mund të jetë përfshirë në një aktivitet kriminal dhe zotëron pasuri apo të ardhura, që nuk i përgjigjen dukshëm nivelit të të ardhurave, fitimeve apo veprimtarive të ligjshme, të deklaruara dhe as nuk justifikohen prej tyre”, thuhet në draft. Ndërkohë që momenti i tretë është rasti kur ka të dhëna të mjaftueshme se zotërimi i pasurive dhe ushtrimi i aktiviteteve të caktuara ekonomike, tregtare dhe profesionale janë në gjendje rreziku apo ndikimi nga ana e organizmave kriminale që mund të lehtësojnë aktivitetet kriminale.

Projektligji

Neni 1
Ky ligj përcakton procedurat, kompetencat dhe kriteret për zbatimin e masave parandaluese kundër pasurisë së personave që janë subjekt i këtij ligji si pjesëmarrës në krimin e organizuar, korrupsionin dhe trafiqet.

Neni 2
Qëllimi i këtij ligji është parandalimi dhe goditja e krimit të organizuar përmes konfiskimit të pasurisë së personave të cilët kanë një standard të pajustifikuar jetese si rezultat i aktivitetit të dyshuar kriminal.

Neni 3
1.    Dispozitat e këtij ligji zbatohen për pasuritë e personave, mbi të cilët ekziston një dyshim i arsyeshëm, bazuar në indicie, për:
a)    pjesëmarrje në organizata kriminale ose në grupe të strukturuara kriminale, sipas parashikimeve të neneve 333 dhe 333/a, të Kodit Penal, dhe për kryerje të krimeve prej tyre;
b)    pjesëmarrje në organizata terroriste ose në banda të armatosura, sipas parashikimeve të neneve 234/a dhe 234/b të Kodit Penal, dhe për kryerje të krimeve prej tyre;
c)    kryerjen e veprave të tjera, për qëllime terroriste, të parashikuara në pjesën e posaçme, kreu VII i Kodit Penal;
d)    kryerjen e krimeve të parashikuara në nenet 109, 109/b, 110/a, 114/b, 128/b, 278/a, 282/a, 283, 284/a të Kodit Penal;
e)    kryerjen e krimeve për qëllime të fitimit të pasurive të paligjshme, të parashikuara në nenet 114/a, 244, 245, 245/1, 259, 260, 312, 319/a dhe 287.
2.    Dyshim i arsyeshëm, sipas pikës 1 të këtij neni, mund të bazohet edhe në nivelin ekonomik të një personi, i cili zotëron pasuri apo të ardhura, që nuk i përgjigjen dukshëm nivelit të të ardhurave, fitimeve apo veprimtarive të ligjshme, të deklaruara, dhe as nuk justifikohen prej tyre.
3.    Dispozitat e këtij ligji bazohen edhe ndaj pasurive të:
a)    personave të afërm (bashkëshortit, fëmijëve, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit, motrat, ungjërit, emta, nipërit, mbesat, fëmijët e vëllezërve dhe motrave, vjehrri, vjehrra, dhëndri, nusja, kunata, kunati, bashkëjetuesi, thjeshtri, thjeshtra, njerku dhe njerka;
b)    personave, fizikë ose juridikë, për të cilët ka të dhëna të mjaftueshme se pasuritë ose veprimtaritë e tyre zotërohen, pjesërisht ose plotësisht, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, a janë përdorur, kanë lehtësuar apo në një formë kanë ndikuar në kryerjen e veprimtarive të jashtëligjshme nga personat e parashikuar në pikën 1, të këtij neni.
4.    Masat parandaluese mund të kërkohen dhe ndaj trashëgimtarëve të personit, subjekt i zbatimit të këtij ligji, por në çdo rast, jo më vonë se 5 vjet nga data e vdekjes.
5.    Ky ligj zbatohet edhe për pasuritë e personave, të krijuara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, me kusht që pasuritë të jenë vënë gjatë përfshirjes së tij në veprimtari kriminale sipas këtij ligji.

Neni 7
Me kërkesë të motivuar të prokurorit, gjykata vendos sekuestrimin e pasurive të personave sipas nenit 3 të këtij ligji, kur:
a)    ekziston një rrezik real për humbje, marrje apo tjetërsim të fondeve, pasurive apo të drejtave të tjera mbi të cilat parashikohet vënia në zbatim e masës së konfiskimit, sipas dispozitave të këtij ligji ose,
b)    ka të dhëna të mjaftueshme për të treguar se një person mund të jetë i përfshirë në një aktivitet kriminal dhe zotëron pasuri apo të ardhura, që nuk i përgjigjen dukshëm nivelit të të ardhurave, fitimeve apo veprimtarive të ligjshme, të deklaruara dhe as nuk justifikohen prej tyre; ose
c)    ka të dhëna të mjaftueshme për të gjykuar se zotërimi i pasurive dhe ushtrimeve i aktiviteteve të caktuara ekonomike, tregtare dhe profesionale janë në gjendje rreziku apo ndikimi nga ana e organizatave kriminale që mund të lehtësojnë aktivitetet kriminale.

Neni 39
1.    Të ardhurat e përfituara nga zbatimi i këtij ligji, për vitet financiare 2009-2010, në masën 50%, shërbejnë për ngritjen e fondit të posaçëm për parandalimin e kriminalitetit dhe edukimit ligjor. Pas kalimit të këtij afati fondi i posaçëm dhe masa e tij përcaktohen në legjislacionin buxhetor.
2.    Ky fond do të shërbejë për:
a)    përmirësimin e funksionimit të drejtësisë penale, duke destinuar pasuritë në administrim të Prokurorisë së Përgjithshme dhe të Ministrisë së Drejtësisë;
b)    përmirësimin e hetimeve paraprake penale të krimit të organizuar dhe zhvillimin e programeve të mbrojtjes së dëshmitarëve e të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, duke destinuar pasuritë në administrim të Ministrisë që mbulon çështjet e rendit publik;
c)    dhënien e ndihmës viktimave të krimit të organizuar dhe të dhunshëm, si dhe nxitjen e programeve sociale për këto kategori, duke destinuar pasuritë në administrim të Ministrisë që mbulon çështjet sociale.

Shteti mund të vendosë avokatin

Drafti parashikon zgjidhje edhe në rastin kur personi të cilit do t’i konfiskohet pasuria nuk gjendet. Kështu në nenin 15 të ligjit shtohet një paragraf tjetër, në të cilin thuhet se “në këtë rast, gjykata vendos, me kërkesë të prokurorit, mosgjetjen e personit, duke i caktuar atij një avokat. Avokati mund të caktohet kryesisht nga gjykata ose të zgjidhet nga të afërmit e personit”. Gjithashtu pr.ligji parashikon që gjykata, me kërkesë të palëve ose kryesisht, mund të kryejë veprime të tjera hetimore, që nuk rregullohen shprehimisht me ligj, nëse ato vlejnë për zgjidhjen e çështjes apo nuk prekin thelbin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Nëse gjatë gjykimit lind nevoja për ndihmë juridike ndërkombëtare, zbatohen marrëveshjet ndërkombëtare, të pranuara nga shteti si dhe dispozitat respektive procedurale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›