PD-LSI debat për ligjin “Antimafia”
bledar hoti
Projektligji i ri “Antimafia” sjell përplasje ndërmjet deputetëve të maxhorancës. Shkak i kësaj përplasjeje ndërmjet deputetëve të PD-së dhe LSI-së ka qenë vendimi i dhënë dy vjet më parë nga Gjykata e Lartë, në të cilën rrëzohej ligji aktual për sekuestrimin e pasurive, pasi nuk kishte fuqi prapavepruese. Rrëzimi i këtij ligji solli më pas që shteti të mos kishte rezultat në luftën kundër krimit. Pikërisht ky vendim i tillë ka qenë objekt i diskutimit në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Ligjeve. Deputeti i PD-së, ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, deklaroi se si rezultat i këtij vendimi nuk është arritur që të ketë efektivitet lufta kundër krimit të organizuar. “Ne kemi këtë situatë të tillë për shkak se ato gjyqtarë nuk pranuan të sekuestronin një pasuri”, deklaroi Alibeaj. Qëndrimi i tij është konstatuar nga ana e deputetit të LSI-së, Nasip Naço, i cili ka kërkuar që të mos sulmohen gjykatësit e Gjykatës së Lartë. “Unë nuk mund të lejoj të bëhen komente të vendimeve të Gjykatës së Lartë, aq më tepër që këto komente vijnë nga një ish-ministër. Nuk më vjen mirë që ne jo si deputetë, as si ish-ministra e as si ish-prokurorë të hedhim baltë mbi gjykata. Pasi duke cenuar vendimin e Gjykatës u lëmë një mesazh të keq qytetarëve, se kjo gjykata nuk e zbaton ligjin dhe opinioni i gjyqtarëve është i cenueshëm. Vendimi i gjykatës është i gjykatës dhe nuk mund të dalim sipër asnjë deputet, as si ish-ministër, as një ish-prokuror, qoftë në këtë ambient apo në Parlament”, deklaroi Naço. Vetë Alibeaj ka ndërhyrë duke theksuar se, “nuk ka pse të mos merrej me argumentimin e vendimit, pasi ai ishte një vendim i padrejtë”. Naço ka vijuar më pas replikën duke theksuar se, “këtu deputetët janë të rinj, por më përpara Kuvendi në vitin 2000 ka tentuar të shkarkojë anëtarë të Gjykatës së Lartë për disa vendime sipas tyre të padrejta, por nuk ia ka arritur një gjëje të tillë”, theksoi Naço. Deputeti i PD-së, Viktor Gumi, në lidhje me këtë debat u shpreh se, “asnjë nuk mund të kontestojë vendimin e gjykatave janë të zbatueshme, por tw diskutueshme”. I gjithë debati i deputetëve të maxhorancës lidhet me vendimin e dhënë në 25 janar të vitit 2007 nga ana e Gjykatës së Lartë kundër sekuestrimit të bërë për shtetasin Troplini. Ky vendim unifikues rrëzoi ligjin aktual “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar”, i votuar dhe hyrë në fuqi në datën 30.09.2004. Projektligji “Antimafia” u hartua nga Këshilli i Ministrave në 21 tetor dhe u fut me përparësi në axhendën e punimeve parlamentare, pasi është edhe një nga kërkesat e Bashkimit Evropian. Gjatë shqyrtimit, misioni Euralius, OPDAT kërkuan konsultime mbi projektligjin e ri të paraqitur nga ana e qeverisë. Nisur nga kjo situatë, përfaqësuesit e këtyre misioneve shqyrtuan projektligjin nga e para me deputetët e PD-së, Viktor Gumi, Leonard Demi. Në takimet e zhvilluara në Komisionin parlamentar të Sigurisë, ky grup pune hartoi një draft të ri, duke detajuar procesin e sekuestrimit të pasurive. Pas kalimit në Komisionin parlamentar të Ligjeve, sot do të jetë ai i Sigurisë që do ta shqyrtojë atë.
Debatet në komision
Enkelejd Alibeaj (PD): Shtatë anëtarët e Gjykatës së Lartë që e kanë votuar atë vendim unifikim nuk kanë dashur ta lexojnë atë ligj në atë mënyrë që është shkruar. Kjo ka qenë arsyeja që ka çuar Ministrinë e Drejtësisë të sjellin një ligj të ri, për ta bërë që fjala të jetë më e qartë, në sintoni të qartë, në mënyrë që ata 7 gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe pse nuk janë profesionalë të dinë ta lexojnë në gjuhën e pastër shqipe. Ky është problemi që ka pasur Gjykata e Lartë dhe që sot duhet ta zgjidhë Kuvendi.
Nasip Naço (LSI): Po duket se po analizojmë anëtarët e Gjykatës, na dalin 7 apo 6 gjyqtarë. Ne na duket sikur po marrim në analizë Gjykatën e Lartë, na jep rasti dhe mikrofoni dhe hedhim baltë mbi ata. Nuk më vjen mirë që ne jo si deputetë, as si ish-ministra e as si ish-prokurorë të hedhim baltë mbi gjykata. Pasi duke cenuar vendimin e Gjykatës u lëmë një mesazh të keq qytetarëve, se kjo gjykatë nuk e zbaton ligjin dhe opinioni i gjyqtarëve është i cenueshëm. Vendimi i gjykatës është i gjykatës dhe nuk mund të dalim sipër asnjë deputet, as si ish-ministër, as një ish-prokuror, qoftë në këtë ambient apo në Parlament.
Viktor Gumi (PD): Ndaj një këndvështrim të ndryshëm nga kolegu Naço, vendimet e gjykatës janë të zbatueshme për çdo institucion. Por ne kemi diskrecionin e plotë për të diskutuar rreth një vendimi, lejimi i debatit publik, pa sulmuar kompetencën thelbësore Gjykatës nuk i bën asnjë të keqe këtij vendi.
Enkelejd Alibeaj: Ne po zbatojmë një vendim gjykate të padrejtë gjithsesi. Duhet të jemi të qartë, të thuash se s’kemi punë me vendimet e gjykatës, por do t’i zbatojmë, kjo nuk është punë e mbarë. Ne kemi punë, se ai vendim gjykate, krimi i organizuar nuk ka pasur më frikë, sot e tutje do të vendoset gjendja e alertit.
Nasip Naço: S’desha të bëj replikë. Para disa vitesh, dua të kujtoj këtu se Parlamenti ka dashur të shkarkojë disa gjyqtarë dhe nuk ia ka arritur.