Korrupsioni me librat e shkollës, 18 vota blu kundër qeverisë

Kuvendi i Shqipërisë
Luis Tanushi
Shpërthejnë akuzat për korrupsion brenda maxhorancës, ndërkohë që një grup i madh deputetësh të PD-së votojnë kundër ligjit të sjellë nga qeveria. Për më tepër, gjatë votimit të ligjit për Arsimin parauniversitar, deputetët demokratët akuzuan njëri tjetrin për interesa në lidhje me licencat e shtëpive botuese për shpërndarjen e librit shkollor. Janë 18 deputetë rebelë të partisë demokratike, midis tyre edhe ministra tepër të rëndësishëm të qeverisë Berisha të cilët votuan kundër ligjit, ndërkohë 6 deputetë të dy krahëve politikë abstenuan për amendimet e Komisionit të medias për mënyrën e shitjes së librave shkollorë. Falë socialistëve të cilët bashkuan votat me kolegët e tyre demokratë, mazhoranca u shpëtua nga dështimi për kalimin e amendimit që liberalizon licencat për shitjen e librave shkollorë.
Debati
Debatet më të ashpra u zhvilluan midis deputetëve të djathtë të cilët akuzuan njëri-tjetrin për interesa të ngushta në shitjen e librave shkollorë. Kryetari i Komisionit të Jashtëm, Fatos Beja, kërkoi miratimin e draftit fillestar të qeverisë që kufizon numrin e shtëpive botuese të cilat shesin libra shkollorë. Sipas tij, liberalizimi dëmton rëndë arsimin dhe është totalisht i papranueshëm. Ky nen që ka ardhur, mbron interesat e botuesve dhe nuk mbron interesat e shkollës. Unë propozoj që të votojmë variantin e qeverisë për tekstet shkollore. Kjo qeveri është shprehur për heqjen e licencave, për uljen e tyre. Këtu jepen licenca për të shitur libra. Kjo është absurde. Nëse do të japim licenca për të shitur librin dhe në shkolla brenda, kjo mbron vetëm interesat e atyre që shesin libra. Nëse duhet të mbrojmë të ardhmen e fëmijëve tanë, absolutisht kjo është në kundërshtim me të. I ftoj deputetët të votojnë variantin që ka ardhur dhe të mos biem në kurthin e këtyre propozimeve që janë vetëm interesa individuale në kurriz të shtetasve shqiptarë,- tha Beja. Por, i menjëhershëm ishte reagimi i kryetarit të Komisionit të Arsimit, Mark Marku, sipas të cilit, amendamenti ka marrë edhe mbështetjen e Ministrisë së Arsimit pas konsultimeve. Deputeti demokrat hodhi poshtë akuzat duke deklaruar se nuk mund të ndikohet nga interesat e ngushta për shitjen e librave shkollorë të gjithë anëtarët e komisionit. Komisioni nuk përfaqëson interesat e botuesve. Maksimumi, duke qenë Komision Arsimi përfaqëson interesat e lexuesve dhe të autorëve, të atyre që shkruajnë, por jo interesa botuesish. Kemi vetëm një botues dhe nuk e përpunon dot një botues gjithë komisionin. Zoti Beja akuzoi komisionin. Unë mendoj se më e dyshimtë dhe më interesa ka një individ se sa i gjithë komisioni. Një komision nuk mund të ketë interesa, kurse një individ mund të ketë interesa. Një individ mund të ketë interesa, një komision nuk mund të ketë, theksoi deputeti demokrat Mark Marku ndaj deklaratave të deputetit Fatos Beja.
Ligji
Për rreth dy muaj, komisionet parlamentare kanë shqyrtuar projektligjin e qeverisë për sistemin arsimor parauniversitar duke ndryshuar 40 nga 72 nenet që ka ligji. Drafti i qeverisë ka prekur mënyrën e financimit të shkollave, kurrikulat apo zgjedhjen e drejtuesve të lartë. Një nga ndryshimet më të rëndësishme është sistemi shkollor. Nga viti shkollor 2015-2016 arsimi bazë në të gjitha shkollat e vendit do të fillojë në moshën 6-vjeçare dhe do të përfundoj në atë 16-vjeçare ku formula do të jetë 6+3. Tashmë arsimi i detyruar do të jetë 6 vjet dhe mosha për ta përfunduar atë me kohë të plotë deri në 16 vjeç. Risi tjetër është zhvillimi i dy gjuhëve të detyrueshme. Gjuha e huaj e parë që do të mësohet do të përcaktohet nga shkolla dhe e dyta nga vetë nxënësi. Maturantët e parë që do të testohen për gjuhën e huaj do të jenë ata të Maturës 2014, ndërsa në arsimin bazë ky provim do të futet një vit më vonë.
Interpelanca me Berishën
Kuvendi vijon që të shtyjë interpelancën me kryeministrin Berisha për gjendjen në minierën e Bulqizës. Deputetët e opozitës akuzuan mazhorancës se po shmang seancën dëgjimore të kërkuar me kryeministrin e vendit edhe pse kanë kaluar të gjithë afatet ligjore që përcakton Rregullorja.
Betimit i Tabakut
Në hapje të seancës, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli njoftoi deputetët për mbledhjen e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetin, në lidhje me zëvendësimin e Presidentit të zgjedhur Bujar Nishani nga zoti Vath Tabaku, bazuar në listën shumëemërore të dërguar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kryetarja e Kuvendit njoftoi seancën se raporti i Këshillit të Rregullores i hartuar për këtë rast u miratua me konsensus. Më pas, Tabaku bëri betimin si deputet i ri i Kuvendit
Deputetët kundër
Jozefina Topalli
Genc Pollo
Ridvan Bode
Eduard Halimi
Aldo Bumçi
Dashnor Sula
Fatos Beja
Leonard Demi
Tritan Shehu
Gjok Uldedaj
Ndue Paluca
Lfter Maliqi
Ilir Rusmali
Viktor Gumi
Fatos Hoxha
Sybi Hida
Arenca Trashani
Ylli Lama
Deputetët abstenim
Spiro Ksera
Pandeli Majko
Osman Metalla
Gazmend Oketa
Vangjel Dule
Kastriot Islami
Batutat
Balla-Topalli, kush i ka notat më të mira?
Topalli- Kush ti fali ato libra?
Balla- Kërkova edhe për tekstin e doktoraturës tënde, por se gjeta gjëkundi. Duke parë dhe këto skandalet e fundit me diplomat, kam frikë se edhe ajo e jotja si puna këtyre do jetë.
Topalli- Kam një propozim për të gjithë ju.
Balla- E kam unë radhën për të folur.
Topalli-Prit, prit, se vetë ma fute në mëndje këtë. Jeni të ftuar të gjithë ju që të sillni te Drejtoria e Burimeve Njerëzore të Kuvendit dëftesat tuaja të gjimnazit fillimisht, e më pas ato të universitetit nëse e keni bërë. Jo për gjë, por do shihni gjëra të bukura aty. Hiq këtu 3-4 veta nga ju, të tjerët ku thërret qameti jeni me nota. Sa e ke pasur mesataren tënde ti Taulant? 5 apo 6?
Balla- Silli këtu ato diplomat tuaja, dhe nëse del që ti e ke mesataren më të lartë se unë, të betohem që e dorëzoj mandatin tim të deputetit menjëherë.
Balla-Sa i përket arsimit në vend, skandali i fundit ka të bëjë me atë të lojërave të fatit, ku me ato para mund të ishin ndërtuar mbi 80 shkolla të reja në Shqipëri.
Topalli: Ti mendjen vetëm tek lojërat e fatit e ke. Prandaj të thërrasin Poker Face