E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, ndalohet shefi i Policisë Bashkiake në Durrës dhe katër persona



Shefi i Policisë Bashkiake të Durrësit, administratori i njësisë nr. 4 dhe tre persona të tjerë janë vënë në pranga nga uniformat blu, pasi akuzohen për korrupsion. Ata u kërkonin qytetarëve para në këmbim të ndereve e favoreve për mosekzekutimin e vendimeve për prishje objektesh të paligjshme, si dhe mosmbylljen e aktiviteteve pa licencë. Pas hetimeve disamujore, Drejtoria Kundër Krimit Financiar dhe ajo e Qarkut Durrës organizuan operacionin “Batica”. Trupat speciale të ardhura nga Tirana kanë vënë në pranga dje rreth orës 11:30 në tregun blegtoral shtetasin Rexhep Bulku, me detyrë shefi i Policisë Bashkiake në Bashkinë e Durrësit, Luan Shabën, me detyrë kryetar i rajonit nr. 4, Bashkim Malokun, inspektor në Policinë Bashkiake, Lutfi Dervishin, zyrtar në rajonin nr. 4 të qytetit bregdetar dhe 27-vjeçarin Fetah Mataj, i cili kryente rolin e sekserit. Të dy punonjësit e Policisë Bashkiake ishin duke marrë pjesë në një aksion për prishjen e ndërtimeve pa leje, kur janë vënë në pranga nga kolegët e tyre të maskuar. Hetimi në lidhje me aktivitetin e të arrestuarve kishte disa kohë që kishte nisur. Policia pas arrestimit ka kryer edhe kontrolle në banesat e tyre, ndërkohë që priten hetimet e mëtejshme për të zbardhur veprimtarinë e tyre antiligjore. Të katër personat e ndaluar janë shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës.

Arrestimi

Rreth orës 11:30, forcat speciale të ardhura nga Tirana, të maskuara dhe të armatosura janë parë të dalin me shpejtësi tek tregu blegtoral dhe kanë vënë në pranga dy punonjës të Policisë Bashkiake. Shefi i Policisë Bashkiake të Durrësit, Rexhep Bulku dhe inspektori Bashkim Maloku janë vënë menjëherë në pranga dhe janë shoqëruar në furgonin e policisë, ku janë transportuar më pas në spital.

Në vend ishte edhe nënkryetari i Bashkisë së Durrësit, i cili po ndiqte nga afër një operacion për prishjen e disa ndërtimeve pa leje. Ndërsa kryetari i rajonit nr. 4, Luan Shaba dhe zyrtari i tij, Lufti Dervishi, kanë qenë në zyrë, kur punonjësit e policisë i kanë vënë ata në pranga, duke i shoqëruar drejt qelive të paraburgimit.

Hetimet

Agjentët e policisë kishin disa muaj që kishin nisur hetimet në lidhje me aktivitetin e katër të ndaluarve. Të ndaluarit akuzohen për abuzime me trojet në Spitallë dhe zonat ku shtrihet rajoni nr. 4 në Durrës, duke tjetërsuar dokumentacion zyrtar. Ata janë shoqëruar në qeli, në pritje për të dalë përpara gjykatës. Pas një hetimi disamujor, duke përdorur teknika speciale të hetimit, dyshohet se këta shtetas kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, pasi kanë lejuar ndërtimin e objekteve pa leje, nuk kanë zbatuar vendimet dhe urdhrat për prishjen e tyre dhe nuk kanë kryer veprime për mbylljen e aktiviteteve pa licencë. Nga hetimet dyshohet se këta funksionarë u kërkonin qytetarëve para në këmbim të nderëve e favoreve për mosekzekutimin e vendimeve për prishje objektesh të paligjshme, si dhe mosmbylljen e aktiviteteve pa licencë. Rolin e sekserit ndërmjet punonjësve të Policisë Bashkiake dhe qytetarëve e kryente shtetasi Fetah Mataj.

Gjatë kontrollit të ushtruar në zyrat dhe banesat e të ndaluarve, u sekuestruan dokumente që vërtetojnë veprimtarinë korruptive. Materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës. Të arrestuarit janë shoqëruar në qelitë e paraburgimit në pritje për të dalë përpara gjykatës. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të “korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike” dhe “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave publikë”.

Të arrestuarit

1. Rexhep Bulku, i vitlindjes 1959, lindur dhe banues në Durrës, lagjja nr. 2, me arsim të lartë, me detyrë shef i Policisë Bashkiake Durrës.

2. Bashkim Maloku, i vitlindjes 1972, lindur dhe banues në Sukth, Durrës, me arsim të mesëm, me detyrë polic trupe në Policinë Bashkiake Durrës.

3. Lutfi Dervishi, i vitlindjes 1960, lindur dhe banues në Durrës, me detyrë inspektor i Komunës Spitallë, Durrës.

4. Luan Shaba, i vitlindjes 1971, me arsim të lartë me banim në lagjen nr. 15 Durrës, me detyrë administrator i njësisë administrative nr. 4 në Durrës.

5. Fetah Mataj, i vitlindjes 1982, lindur në Tepelenë dhe banues në lagjen nr. 15, me arsim të lartë, i dënuar më parë për vepra penale kundër personit.

Gjirokastër, në pranga 25-vjeçari, përdhunoi të miturën

Një 25-vjeçar është arrestuar nga policia e Gjirokastrës, pasi akuzohet për përdhunimin e një minoreneje. Në prangat e uniformave blu ra Diftir Habipi, lindur dhe banues në lagjen “Pllakë” të këtij qyteti pas një denoncimi ndaj tij.

Sipas burimeve nga policia, ai ka marrë në automjetin tip “Volkswagen”, që ia kishte marrë një shoku, vajzën 15-vjeçare, banuese në Gjirokastër, duke i premtuar se do ta çonte në shtëpi. Vajza minorene punonte si kameriere në një lokal në lagjen “18 Shtatori” të qytetit Gjirokastër dhe në orën 22:00 mbaronte turnin.

Kur do iknin për në shtëpi, në makinë ky shtetas ka përdorur forcën dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me këtë shtetase dhe rreth orës 04:30 e ka çuar në shtëpinë e saj. Ajo menjëherë është paraqitur në policinë e Gjirokastrës bashkë me prindërit e saj dhe ka bërë kallëzim në prani të psikologut kundrejt këtij shtetasi. Pas denoncimit të kryer, është kryer edhe arrestimi i 25-vjeçarit, i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale të “marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitur”.

Korçë, arrestohet 41-vjeçari, plagosi një person me thikë

Forcat e policisë së Korçës arrestuan një 41-vjeçar, i cili akuzohet për plagosje të lehtë me dashje. Në prangat e uniformave blu ra Bujar Tare, lindur dhe banues në fshatin Mborje, pasi ka plagosur me thikë për motive të dobëta bashkëfshatarin e tij, Agim Pelo, 34 vjeç, duke i shkaktuar atij dëmtime trupore. Menjëherë i plagosuri është dërguar në spital, për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Në vendngjarje shkoi edhe policia, e cila kreu edhe arrestimin e 41-vjeçarit. Ai u shoqërua në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës. Tare akuzohet për kryerjen e veprës penale të “plagosjes së lehtë me dashje”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›