Lohan: Të ketë siguri në sektorin publik
Komisioni Evropian jep 1 milion euro për rritjen e kapaciteteve
Administrata
Komisioni Evropian dha dje 1 milion euro për rritjen e kapaciteteve në administratën publike. Kreu i delegacionit në Tiranë, Helmuth Lohan, bëri thirrje që të garantohet siguri në sektorin publik dhe që politika të mos e cenojë atë. Projekti prej 1 milion eurosh do të vazhdojë deri në korrik 2010 dhe 1.5 milion euro të tjerë janë përcaktuar për vazhdimësinë e ndihmës në këtë fushë
Shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, Helmuth Lohan, kërkoi dje që administrata publike të ketë siguri. Deklaratat e kreut të KE-së në Tiranë u bënë dje gjatë dhënies së fondit prej 1 milion eurosh, që do të shërbejnë për rritjen e kapaciteteve për administratën. “Të gjitha përpjekjet dhe fondet në këtë fushë, si edhe në fusha të tjera ku Komisioni Evropian ndihmon, mund të shkojnë dëm shumë lehtë nëse nuk sigurohet qëndrueshmëri në sektorin publik, nëse njerëzit tek të cilët ne investojmë sot nuk janë aty nesër për ta bërë atë investim dobiprurës për Shqipërinë”, - deklaroi Lohan. Ai u kërkoi të gjitha palëve që të japin përpjekjet për të siguruar qëndrueshmëri. “Unë i inkurajoj të gjitha palët në këtë projekt, të gjitha palët në procesin e integrimit të Shqipërisë të bashkojnë përpjekjet dhe të bëjnë pjesën e tyre për ta bërë këtë ndërmarrje afatgjatë, të suksesshme dhe të qëndrueshme”, - tha Lohan. Menaxhimi i decentralizuar i fondeve IPA nxitet nga Komisioni Evropian për dy arsye kryesore. Fillimisht si një tregues i pronësisë vendore të ndihmës, si dhe menaxhimi i decentralizuar i fondeve IPA i lejon vendet përftuese të përgatiten për të mbajtur me sukses një nga përgjegjësitë kryesore të anëtarësimit, menaxhimin e të ashtuquajturve Fondet Strukturore. Menaxhimi eficent dhe transparent i këtyre fondeve varet në masë të madhe nga një administratë e mirëtrajnuar, profesionale dhe e mjaftueshme, si edhe nga një kuadër ligjor i qartë. Kapacitetet administrative të Shqipërisë në këtë fushë janë në një nivel fillestar dhe projekti “Përgatitja e Autoriteteve Shqiptare për Sistemin e Decentralizuar të Zbatimit të BE-së” ka marrë tashmë disa masa për ta përmirësuar gjendjen. Është bërë një vlerësim i përgjithshëm i gjendjes së tanishme dhe janë hartuar disa këshilla. Këto do të udhëheqin punën e ekspertëve me autoritetet shqiptare drejt plotësimit të boshllëqeve në kuadrin ligjor dhe institucional për menaxhimin
e decentralizuar, si edhe në numrin, kualifikimet dhe profilet e personelit. Krahas punës për kuadrin e duhur ligjor dhe institucional, do të zhvillohen disa trajnime për secilën njësi operimi të menaxhimit të decentralizuar. Gjithashtu, do të zhvillohen aktivitete që synojnë të transferojnë njohuritë dhe praktikat më të mira të vendeve të tjera në këtë fushë.