E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni ne gjyqesor KLD 7 shkarkime ne 4 vjet

Dhjetë përqind e gjyqtarëve në vend kanë bërë shkelje në detyrën e tyre, ndërsa 7 prej tyre janë shkarkuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në 4 vitet e fundit. Procedim disiplinor është ndërmarrë për 34 toga të zeza, të cilët punojnë në 5 gjykata të vendit. Duke marrë parasysh numrin total të gjyqtarëve, kjo shifër nga vetem 5 gjykata të vendit, përbën një përqindje të konsiderueshme.

Kërkesat për procedimet e tyre mbërritën në KLD, me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë dhe në disa raste me kërkesë të organit qëndror të akuzës. Gjatë vitit 2008, KLD ka vepruar me dorë të hekurt, pasi ka vendosur në 7 raste, shkarkimin e gjyqtarëve nga detyra.

Në vitin 2009, KLD për 2 prej tyre, një gjyqtar i shkallës së parë dhe një tjetër të Krimeve të Rënda, i hapi rrugën kërkesës së prokurorisë për ndjekje penale. Për një tjetër gjyqtar, të gjykatës së Vlorës, KLD në 2010-ën, i dha Prokurorisë së Përgjithshme të drejtën për ndjekje penale. Gjatë këtij viti janë edhe 2 të tjerë që po hetohen nga Prokuroria.

Por këto janë procedime disiplinore, që mesa duket kanë mbetur vetëm me kaq. Në asnjë rast, asnjëri prej gjyqtarëve të proceduar nga KLD-ja dhe të hetuar nga Prokuroria e Përgjithshme, nuk ka mbërritur në bankën e të akuzuarve, në lidhje me abuzimet me detyrën, korrupsion apo per vepra te tjera penale.

Denada Shkrodrani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›