E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullorja e kuvendit Beja PS nuk ka sjelle propozimet e saj

Rregullorja e Parlamentit përplas demokratët dhe socialistët. Kampi i majtë nëpërmjet deputetit Marko Bello kërkon ndryshimin e rregullores së Kuvendit, ndërsa të djathtët nëpërmjet Fatos Bejës thonë se deri tani PS nuk ka sjellë asnjë draft apo propozim konkret për mënyrën e ndryshimit të mënyrës sesi do të funksionojë Parlamenti.

“Po punohet nga një grup pune në PS dhe padiskutim që kemi propozime konkrete që minimalisht rregullorja të kthehet ashtu siç ka qenë më parë dhe hap pas hapi të shikohen edhe mundësi të tjera me qëllim që të arrijmë një konsensus për mbarëvajtjen e punëve të parlamentit dhe për të funksionuar brenda rregullave demokratike”-tha Marko Bello, deputet i PS-së.

“Ka gjë konkrete? Sepse unë s’kam parë ndonjë propozim konkret. Sigurisht duhet të dëshmojmë që parlamenti funksionon, por kur për dy vjet opozita nuk vjen ose nuk merr pjesë në votim nuk ka ç’diksuton të tjera. Tani jemi në parlament të gjithë. Sigurisht që e kemi në rregullore se cili është ndryshimi i procesit të çdo gjëje. Asgjë nuk është e përhershme”-tha Fatos Beja, deputet i PD-së.

Pas tri javësh, Shqipëria do të presë përgjigjen për statusin e vendit kandidat, ndërkohë që ende kanë ngelur pa miratuar ligjet që kërkojnë 84 vota në Kuvend. Por a do të arrijë Parlamenti t’i miratojë brenda pak javëve këto ligje?

“Të gjitha, sigurisht që ndoshta jo sepse është e vështirë, po të kemi parasysh pozicionimin, sepse ky është problemi. Po ecëm me idenë që ne nuk jemi garniturë që të marrim pjesë në votim, sigurisht që s’ka për të pasur asnjë ndryshim”-theksoi Beja.

“Sigurisht që koha është e shkurtër, por është në duart e maxhorancës. Ajo ka shumicën e votave dhe ajo duhet të veprojë urgjentisht sepse ajo ka bërë gabimin më të madh, mëkatin duke prishur  një rregullore e cila ishte shumë e mirë për funksionimin e parlamentit”-theksoi Bello.

Lidhur me ligjin për Gjykatën Administrative, dy deputetët thonë se ai do të diskutohet gjerësisht në komisionet parlamentare për t’u rikthyer më pas në Kuvend.

Erjon Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›