Korrupsioni në komunë e detyron kreun e PD-së të dorëhiqet
BURREL – Pas një sërë denoncimesh dhe pakënaqësish për korrupsionin në tenderimet që bëheshin në komunën e tij, kryetari i Partisë Demokratike të fshatit Batërr në Burrel dhe njëherësh kryetar komune, zoti Xhemal Zenuni ka deklaruar se jep dorëheqjen nga të dyja postet e tij me pretendimin se ka korrupsion në radhët e partisë ku ai aderon që nga viti 1991. Sipas Zenunit, jepen tendera, por nuk është investuar në asnjë vepër konkrete në këto 4 vjet. “Është i vetmi fshat pa rrugë makine, nuk është bërë asnjë lloj investimi, nuk ka as linja të ujit të pijshëm. Unë kam kontaktuar me kryetarin e komunës disa herë, por nuk mund të bëhet asgjë me këta njerëz, pasi në komunën e Komsisë ka korrupsion. Ka hyrë në vitin e tretë mandatimi i kryetarit të komunës dhe nuk është bërë asnjë investim, dhe fonde ka pasur”, - shprehet Zenuni në fjalën e tij.
Zenuni ka kërkuar që në komunën e Komsisë të vijnë organe të specializuara të hetimit sa më parë, pasi sipas tij, asnjë nga fondet për investim në infrastrukturë apo ujësjellës nuk ka shkuar për qëllimin e caktuar. Kjo periudhë përkon edhe me zgjedhjet në strukturat e PD-së para kongresit të kësaj partie, ku nuk kanë munguar as incidentet dhe përplasjet mes bazës dhe qendrës së partisë.
16 Prill 2009