E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama prezanton programin qeverisës së PS-së në Lazarat



Për herë të dytë brenda harkut kohor të një viti, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, viziton fshatin e Lazaratit në rrethin e Gjirokastrës. Kreu i PS-së është takuar me banorët e këtij fshati të njohur si bastion i Partisë Demokratike, ku ai ka shpalosur disa prej pikave kryesore të programit të ri qeverisës së Partisë Socialiste. Ndërkaq, po dje, në kuadër të këtij turi, Rama ka vizituar qytetin e Lezhës. Në takimin e zhvilluar, kreu i PS-së ka prekur çështjet sociale, si një prej 7 shtyllave të programit, i cili do të prezantohet në vijimësi në të gjithë Shqipërinë. Sipas Ramës, ndihma ekonomike që qeveria jep për shtresat në nevojë nuk është më shumë se 40 cent në ditë. Rama ka premtuar se me krijimin e Fondit të Integrimit Social do të krijohet mundësia e formimit profesional, çka më pas do të sjellë edhe rritjen e punësimit të këtyre njerëzve që përfitojnë ndihmë ekonomike: “Ka familje që kanë më shumë se 10 vjet që jetojnë në papunësi vetëm me ndihmë ekonomike. Ne do ta rikonceptojmë programin e ndihmës ekonomike. Shqiptarët nuk do të marrin më ndihmë në formë lëmoshe, po ndihmë për punësim. Në vend të programit të ndihmës ekonomike do të krijojmë Fondin e Integrimit Social. Për përfituesit e ndihmës ekonomike do të ofrojmë shërbime të formimit profesional brenda vitit 2010. Këto shërbime do të rrisin punësimin. Programi i Integrimit Social do të mundësojë që brenda vitit 2010 familjet e varfra të përfitojnë 50% më shumë. Në vitin 2011 përfitimi i ndihmës do të jetë dyfishohet. Deri në fund të mandatit të parë përfitimi i ndihmës ekonomike do të jetë 4 herë më i madh. Programi i ri qeverisës i socialistëve do të përgjysmojë numrin e familjeve që sot janë të varfra duke nxitur punësimin e tyre”, - tha kreu i PS-së, Edi Rama.

16 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›