Perfect couple i Gent Bejkos, më i miri në 48 orë
Mbrëmjen e së shtunës, në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar u zhvillua nata finale e festivalit “Tirana 48 Hour Film Project 2010”. Juria e përbërë nga Robert Aliaj Dragot president i festivalit, Veton Nurkollari, President i Dokufest, Bland Ashiku, kritik kinemaje, shpalli fituesit e edicionit të parë të këtij festivali filmat e të cilit u krijuan në vetëm 48 orë. Filmi më i mirë i festivalit të filmit të shkurtër “Tirana 48 Hour Film Project 2010”, u shpall filmi "Perfect couple" i grupit "Albartist" me regji të Gent Bejkos. I njëjti film u vlerësua edhe për aktrimin më të mirë ku çmimi i ka shkuar aktores Xheni Hallulli. Regjia më e mirë u fitua nga Neritan Muskaj me filmin "Don't hate the game, but the player". Juria ka vendosur që për skenarin më të mirë të vlerësohet Gjergj Kalaja me filmin "Romance". Për kinematografinë më të mirë u shpallën fitues Elis Puka, Ilir Kllojka, Marin Marika në filmin "Krehri". Për montazhin më të mirë u vlerësua Ervin çoba me filmin "Judge" të grupit "Karotat me kollare". Ndërkaq, dje në mbrëmje në Amfiteatrin e Akademisë së Arteve u shpall dhe çmimi i publikut, i fituar nga filmi "Krehri" me regji të Renato Aliçkollit dhe Elis Gjoni. Ky është edicioni i parë i këtij festivali maratonë, partner mediatik i së cilit ka qenë kompania “DigitAlb”. Filmi fitues ka për të konkurruar me filmat fitues nga e gjithë bota për titullin "Best 48 hour Film of the Year 2010" në Los Anxhelos, ndërkohë që të gjithë filmat e tjerë do të kenë mundësi të marrin pjesë në festivalet kryesore botërore për filmat e shkurtër. Temat e trajtuara nga kineastët e rinj kanë të bëjnë me fenomene që janë shumë të prekshme në shoqërinë e sotme shqiptare si abuzimi me pushtetin apo tema të ndryshme sociale.
#