Korrupsioni, percepsion apo realitet!
Shumë publikime nga institucione ndërkombëtare prestigjioze, në publikimet e studimeve të tyre për nivelin e korrupsionit, për vite të tëra e kanë renditur Shqipërinë në vendet e zeza. Pas çdo publikimi nuk kanë reshtur reagimet e qeveritarëve, më tej kanë pasuar debatet opozitë-pushtet, ndërkohë që nuk kanë munguar debatet në median e shkruar dhe atë televizive. Qeveria dhe apologjetët e saj përpiqen që nivelin e lartë të korrupsionit ta paraqesin më shumë si një çështje perceptimi se sa si një realitet të dhimbshëm që ka pllakosur shoqërinë tonë. Para se të pozicionohesh nga perceptimi apo realiteti, duhet që të hedhësh në tavolinë fakte e argumente dhe kjo duhet bërë nga secila palë, analist apo studiues. Të dhënat e ndërkombëtareve pa dyshim që flasin shumë, por besoj që më shumë bindëse do të jenë argumentet, faktet dhe analizat tona. Është detyrë e kujtdo që flet mbi nivelin e korrupsionit në Shqipëri, të jetë realist dhe i sinqertë. Kjo duhet bërë, sepse pasojat prej veprimtarisë së korrupsionit janë të mëdha dhe pothuajse të pandreqshme. Por le të hedhim çështjet në tavolinë. Të vlerësojmë nëse korrupsioni ka prekur institucionet ligjvënëse, sepse ky lloj korrupsioni është më i rrezikshmi. Ehte më i rrezikshmi sepse kthehet në shtrat, në udhëzues dhe në mburojë për korrupsionin në të gjitha nivelet, në të gjitha fushat, deri tek korrupsioni individual. Në rastin e tragjedisë së rëndë që ndodhi në Gërdec, u bë e qartë se një Ligj “Për demolimin e armatimit nga subjekte private…” dhe një numër vendimesh të Qeverisë, u morën kur kontrata e demolimit ishte lidhur, kur kompania dhe vendi i demolimit ishin zgjedhur dhe aktiviteti ishte bërë realitet. Pra iu vesh këmisha e ligjit një veprimtarie joligjore, produkti i së ciles ishte ajo tragjedi e rëndë. Parlamenti ka miratuat Ligjin “Për kontratën koncesionare për ndërtimin e hidrocentraleve mbi Lumin Devoll”, që është i vetmi i llojit të tij, besoj jo vetëm në praktikën koncesionare në Shqipëri. Me ligj, ky Parlament i jep të drejtën koncesionarit që gjatë hartimit të projekt-zbatimit të ulë fuqinë e hidrocentraleve deri në 20% të fuqisë me të cilën kompania koncesionare fitoi tenderin ndërkombëtar. Për më shumë, në Dokumentet Standarde të tenderit, mundësia e ndryshimit të treguesve me të cilët fitohet tenderi, ishte e mbyllur në mënyrë të prerë. Dëmi që i shkaktohet kësaj pasurie hidrike është një fuqi 100MW, afërsisht sa gjysma e fuqisë së Hidrocentralit të Vaut të Dejës!...Kontrata koncesionare e minierës së kromit në Bulqizë, e miratuar me ligj në Parlament, ndryshohet me një urdhër ministri dhe produkti i kësaj veprimtarie është rreziku i mbylljes së minierës së kromit të pasur. Kujtojmë rastin e turpit procedural për ndërtimin e Rrugës së Kombit, ku vetë qeveritarët pranuan se procedurat na qenkëshin bërë me ligjin e mbretërisë angleze. Dihet se pasoja e kësaj gjoja procedure ishte shpërdorimi dhe vjedhja në shuma të mëdha të fondeve. Është i freskët rasti, kur për privatizimin e hidrocentraleve Ulzë, Shkopet, Bistrica 1, Bistrica 2 dhe Albpetroli sh.a, Qeveria dhe Parlamenti zeruan aksionet e punonjësve e të ish-pronarëve të trojeve dhe e gjitha kjo për t’iu “pastruar” fushën e lojës investitorëve strategjikë, duke iu dhënë atyre 100% të aksioneve. Ky është rast unikal dhe po ndodh vetëm tek ne. Është e qartë se priten të vijnë investitorë të përkëdhelur!...Unë solla disa shembuj, të cilët nuk janë të vetmit, por janë më të dëgjuarit dhe kanë lënë gjurmë në memorien e shqiptarëve. Unë mund të mos jap përgjigje në vlerësimin e rasteve, por atë(vlerësimin) t’ia lë lexuesit. Do të doja ta bëja një gjë të tillë, por më duket sikur punën e nisur ta lë në mes dhe nganjëherë një punë e lënë në mes është më e dëmshme se sa një punë e pafilluar. Rastet që unë përmenda, flasin qartë që institucionet ligjvënëse (e kam fjalën për Parlamentin që miraton ligjet, për Qeverinë që miraton vendimet e KM dhe ministrat që nxjerrin urdhra) janë prekur e pse jo, pushtuar nga korrupsioni. Duke qenë kështu, ne kemi parë që deputetët e mazhorancës të rreshtohen në mbrojtje të cilitdo titullar kur vjen rasti për t’i mbrojtur ata. Këtë gjë e ka bërë edhe kryeministri, i cili e ka zakon që për çdo ngjarje të flasi i pari, duke i marrë nën mbrojtje vartësit e vet. Kështu ndodh me ministrat dhe më poshtë, në çdo nivel të qeverisjes. Nëse ndodh kështu në nivelet e larta të pushtetit, atëherë si mund të ndodhi ndryshe në nivelet e tjera?!... Përpara këtyre fakteve, a mund të themi ende se korrupsioni është një percepsion? Do të ishte verbëri dhe papërgjegjshmëri nëse do të qasemi nga percepsioni, kur faktet flasin fare qartë. Gjithkush duhet të çlirohet nga ethet partiake apo të majmjes së llogarisë personale dhe ta shikojë realitetin ashtu siç është. Të paktën ta pranojë dhe pastaj të zgjedhë nëse do ta denoncojë apo do të heshtë. Heshtja e qytetarëve, e analistëve, e OJQ-ve, ka çuar në një situatë të mbarsur me korrupsion, situatë që dita-ditës pjell e rrit korrupsion dhe tashmë rrezikon të gjithë shoqërinë. Korrupsioni na ka kushtuar para, na ka kushtuar jetë njerëzish, por tashmë kërkon të na gllabërojë të gjithëve si shoqëri dhe si institucione. Nëse do të lëmë që kjo të ndodhi, atëherë ne do të rrimë në këmbë, vetëm nëse do kuçedra- korrupsion, do të shikojmë me sytë tanë vetëm kur na liron pamjen perdja e hekurt e korrupsionit, do të marrim frymë kur të na lirojë fytin oktapodi-korrupsion. A duhet të heshtim dhe të pranojmë një fakt të tillë, kaq tronditës, kaq ogurzi për Shqipërinë dhe shqiptarët? Heshtja është e papranueshme. Denoncimi, lufta dhe rezistenca ndaj kësaj kuçedre, që e ka emrin korrupsion, është detyrë dhe dinjitet për këdo që i thotë vetes shqiptar.