E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet vendimi për arrestimet ndaj ish-zyrtarëve të SHIK-ut

Kërkesa e gjykatësit Fran Prendi për dokumente shtesë ka shtyrë vendimin për masën e sigurisë të ish-punonjësve të SHIK-ut, që akuzohen për rrëmbimin dhe vrasjen e Remzi Hoxhës. Dje, rreth orës 10:00, prokurori i çështjes, Xhevat Hana, është futur në ambientet e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Në sallën e gjyqit, përpara gjyqtarit Prendi dhe në prani të një sekretareje, prokurori ka paraqitur kërkesën për arrest shtëpie për tre të pandehurit e dosjes "Hoxha", Arben Sefgjinin, Avni Koldashin dhe Budjon Meçen, ndërsa për Ilir Kombaron është kërkuar gjykim në mungesë. Në sallën e gjyqit nuk ka qenë i pranishëm asnjë avokat që të përfaqësonte të akuzuarit. Rreth orës 13:30 gjyqtari dhe prokurori kanë dalë nga gjykata, por që të dy nuk kanë pranuar të thonë se çfarë ishte vendosur gjatë seancës, madje prokurori mohoi që të ishte diskutuar për dosjen "Hoxha". Gjithsesi, burime të sigurta nga prokuroria u thanë mediave se procesi ishte shtyrë, pasi gjyqtari Prendi kishte kërkuar disa dokumente shtesë lidhur me kërkesën e prokurorisë. Rreth orës 15:30 minuta Prendi dhe Hana janë kthyer në gjykatë sërish edhe në prani të një sekretareje. Ata kanë qëndruar brenda ambienteve të gjykatës deri në orën 17:00 dhe më pas janë larguar sërish pa bërë deklarata lidhur me çështjen. Të njëjtat burime nga prokuroria bënë të ditur se vendimi i gjykatës ishte shtyrë për më vonë, pasi gjyqtari nuk ishte bindur për materialet që kishte kërkuar nga prokuroria. Kësisoj, e mbuluar me një mister të pashpjegueshëm, dosja ndaj ish-drejtuesve të SHIK-ut është lënë pezull nga gjykata, pa saktësuar se kur do të vendosë për masën e sigurisë ndaj të pandehurve, njëri prej të cilëve mban detyrën e drejtorit të përgjithshëm të Tatimeve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›