E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirimi, rrëzohet kërkesa e dytë e të penduarit të Bandës së Lushnjës

Masat e larta të sigurisë janë rikthyer dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, për shkak të pranisë së të penduarit të Bandës së Lushnjës, Petrit Liçi. Policë të Repartit Brisku, me jelekë antiplumb dhe maska në kokë kishin bllokuar të gjitha hyrjet për në ndërtesën e gjykatës, duke mos lejuar askënd, përveç punonjësve të institucionit, që të hynin brenda. Ndërkaq, në ambientet e gjykatës ndodheshin edhe oficerë të sektorit të mbrojtjes së dëshmitarëve në Ministrinë e Brendshme. Vetë Liçi u soll dhe u largua nga gjykata krejtësisht i mbuluar nga policia. Ashtu si policët që e mbronin me trupat e tyre, atij i ishte veshur një jelek antiplumb, ndërsa kokën e kishte të mbuluar. Në fakt, i penduari u shfaq vetëm për një moment, teksa përshkonte një metër hapësirë që ndante furgonin e policisë nga dera e gjykatës. Për këtë shkak, në ambientet e jashtme të gjykatës pati zëra se personi që u transportua me furgon mund të mos ishte fare Liçi, por një person tjetër, ndërsa i dënuari mund të ishte kaluar nëpërmjet tunelit që lidh gjykatën me Burgun 313.

Për shkak të masave të sigurisë, procesi për shqyrtimin e kërkesës së Liçit për lirim nga burgu u zhvillua me dyer të mbyllura dhe asnjë informacion zyrtar nuk u dha pas saj. Burime konfidenciale nga prokuroria thanë se gjykata kishte rrëzuar për herë të dytë kërkesën e Liçit për lirim. Të njëjtat burime konfirmuan se edhe kësaj radhe gjykata kishte shpallur moskompetencën për gjykimin e çështjes në fjalë. Trupi gjykues ka vendosur se dosja duhet të shqyrtohet nga Gjykata e Tiranës, pasi i dënuari është duke e vuajtur dënimin në një institucion që, sipas ndarjes territoriale, i përket Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet. Ajo që mbetet e paqartë është se përse Liçi përsëriti në Gjykatën e Krimeve të njëjtën kërkesë për të cilën kishte marrë një herë një vendim moskompetence dhe nuk iu drejtua gjykatës së rrethit, ashtu siç ishte përcaktuar në vendimin e parë të Krimeve të Rënda.

Petrit Liçi, i akuzuar si anëtar i Bandës së Lushnjës, është arrestuar nga mesi i vitit 2003. Ai, ashtu si dhe pjesa tjetër e të pandehurve, ishte akuzuar për një sërë veprash të rënda penale, të kryera në kuadër të organizatës kriminale, për të cilat u dënua nga gjykata me 8 vjet heqje lirie. Tashmë atij i kanë mbetur për të vuajtur edhe 15 muaj burg. Por, ka kërkuar që të lirohet, për shkak të sjelljes së mirë, si dhe faktit që ka bashkëpunuar me drejtësinë. Liçi ishte dëshmitari më i rëndësishëm i procesit ndaj të akuzuarve si anëtarë të Bandës së Lushnjës. Megjithëse kishte marrë pjesë në disa vrasje të kryera, ai pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë, duke përfituar statusin e të penduarit. Por, për shkak të këtij statusi dhe rolit të tij në dënimin e të fortëve të Lushnjës, tashmë jeta e tij është e rrezikuar. Për këtë arsye, burime jozyrtare nga gjykata thanë për "Shqip" se ekziston mundësia që kërkesa për lirimin e tij të jetë pranuar. Por, askush nuk do ta marrë vesh saktësisht një gjë të tillë, deri sa Liçi të ndodhet në një vend të sigurt për jetën.

Dëshmia

Liçi drejtoi gishtin ndaj Aldo Bares

I penduari i drejtësisë, Petrit Liçi, deklaroi gjatë procesit se vrasjet e kryera nga anëtarët e Bandës së Lushnjës i porosiste kreu i kësaj bande, Alfred Shkurti, i cili në pjesën më të madhe të kohës qëndronte jashtë vendit. Ai tregoi përpara togave të zeza se si ishte vrarë Tur Daja dhe si kishte nisur sherri mes bandave në qytet. Vetë Liçi u gjykua për veprat penale të vrasjes së Bledar Haxhiut dhe Artan Sulçes, si dhe vrasjes së mbetur në tentativë të Bardhyl Kurtit. Për shkak të statusit të tij dhe marrëveshjes së bërë më parë me prokurorinë, ai u dënua vetëm me 8 vjet burg për krimet e kryera.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›