Grabit me armë argjendarinë, plagos pronarin
Rikthehen sërish grabitjet me armë në Tiranë. Pasditen e djeshme, një ngjarje e rëndë ka ndodhur në afërsi të sheshit "Sulejman Pasha", ku ka mbetur i plagosur pronari i një argjendarie, i cili është dërguar urgjentisht në Spitalin Ushtarak. Burimet policore bënë të ditur se pasditen e djeshme janë njoftuar se një tentativë vrasjeje kishte ndodhur në afërsi të vendit të lartpërmendur. Menjëherë për në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e policisë nga Komisariati Nr. 1, që janë përforcuar edhe nga shërbimet e skuadrës kundër krimeve ndaj jetës. Nga ana tjetër, i plagosuri Dashamir Leka është dërguar në Spitalin Ushtarak. Sipas të dhënave nga mjekët e spitalit, i plagosuri ka marrë plagë pistolete në krah, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, policia ka marrë të dhënat e ngjarjes, nga ku ka rezultuar se grabitësi ka hyrë në argjendari dhe ka dashur ta vjedhë atë, por ka hasur në rezistencën e pronarit. Ai ka kundërshtuar grabitësin, i cili ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar mbi pronarin, që ka dalë deri në trotuar. Më pas, protagonisti i ngjarjes së rëndë është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke qëlluar në ajër me pistoletë. Ai ka hyrë në një tunel mes pallateve dhe më pas është larguar nëpër rrugica. Policia, që ka marrë të dhënat e tij, ka nisur kërkimet duke rrethuar edhe zonën, por nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e tij. Sipas dëshmitarëve, agresori ka shkuar deri te sheshi "Avni Rustemi" dhe më pas ka humbur gjurmët. Policia tha se po punon për identifikimin e tij.