Çlirohet nga zinxhirët, shtrohet në spital i sëmuri mendor
26-vjeçari Fatmir Rasha, i cili prej tre vitesh mbahej i lidhur me zinxhirë në një kasolle nga të afërmit e tij, mesditën e djeshme është shtruar në spitalin psikiatrik të Vlorës. I shoqëruar nga gjyshi dhe dy të afërm të tjerë romë, ai është lënë në një nga ambientet e spitalit të Vlorës për t‘u kuruar. Drejtoresha e këtij spitali, Antonela Agaj, është shprehur për "Shqip" se "pacienti Fatmir Rasha është vizituar disa herë nga ne. Të afërmit gjithmonë e kanë sjellë me pretekstin se ishte i rrezikshëm, i rrihte, thyente xhama makinash, si dhe shumë justifikime të tjera për ta hequr nga ambientet e shtëpisë së tyre, pasi 26-vjeçari nuk është fëmija i tyre, por i njërës prej vajzave. Por pasi e kemi vizituar, kemi konstatuar se ky pacient nuk është i rrezikshëm. Ai është i sëmurë paraplegjik dhe nuk është në gjendje të bëjë keq, siç shprehen të afërmit. Nga kontrollet tona dhe të specialistëve, është arritur në përfundimin se ky person nuk shfaq rrezikshmëri, ndaj nuk mund të mbahet në ambientet e spitalit tonë. Ne do ta mbajmë nën mbikëqyrje me medikamente dhe pastaj do vendosim se çdo të bëjmë me këtë të sëmurë". Mesditën e djeshme, 26-vjeçari Fatmir Rasha, me banim në Levan të Fierit, ka mbërritur në spitalin psikiatrik të Vlorës me një ambulancë. Mbrëmjen e së martës ai ishte paraqitur, sa për t‘i injektuar një qetësues dhe ishte kthyer në Fier deri në plotësimin e dokumentacionit të duhur nga spitali rajonal. Dje ai është risjellë për t‘u kuruar dhe makthi i zinxhirëve të të afërmve të tij ka marrë fund për 26-vjeçarin e sëmurë mendor dhe fizik. Fatmiri ka qenë krejtësisht i pafuqishëm, me vështirësi ngrihej në këmbë dhe lëvizte. Ai ka hyrë në ambientet e spitalit, krejtësisht i parrezikshëm, i qetë dhe nuk pa folur asnjë fjalë. Sapo ka hyrë në pavijon me disa shenja, ka kërkuar vetëm një cigare. Gjyshi i Fatmirit është shprehur se 26-vjeçari ka lindur me probleme. Sipas tij ai ka qenë një fëmijë nën peshë dhe që nga lindja i është nënshtruar kujdesit mjekësor. Ndarja e prindërve bëri që Fatmiri të dërgohej për disa vjet në shtëpinë e fëmijës në Vlorë, nga ku u mor nga e ëma, e cila e braktis sërish për të shkuar në Greqi. Sipas gjyshit, me kalimin e kohës Fatmiri u bë agresiv, rrihte gjyshen dhe të afërmit e tjerë, thyente xhama makinash, griste rroba dhe gjithçka që gjente para i shkatërronte. "E sollëm në spitalin psikiatrik të Vlorës, por mbas një jave na e sollën në shtëpi, duke na thënë se nuk e mbanin më. Na kishin sjellë ilaçe dhe na thanë t‘ia jepnim rregullisht dhe do të qetësohej. Por mbas disa ditësh, Fatmiri edhe pse i pinte ilaçet, filloi të bëhej dhe më i rrezikshëm. Ndaj u detyruam ta lidhnim me zinxhir, sepse s‘kishim se çfarë t‘i bënim. Gjyshen dy herë ka tentuar ta mbysë dhe ka shpëtuar nga ndërhyrja e të tjerëve". Më tej gjyshi rrëfen se si ushqimin dhe ujin nipit ia jepte lidhur, në pamundësi për t‘u ushqyer vetë. "Mbas publikimit të rastit në media të ndryshme, në fshat erdhën mjekë të spitalit psikiatrik, duke e vizituar dhe më pas na thanë ta sillnim në spital, së bashku me dokumentacionet përkatëse dhe kështu bëmë, e sollëm", ka thënë duke u larguar nga spitali i moshuari.