E Diel, 1 Nëntor 2026

Withers: “Jepini fund luftës për pushtet, duhet të mendoni për popullin”



Eljona Ballhysa
Përfaqësuesi i qeverisë amerikane në Tiranë, ambasadori John Withers, ka bërë thirrje dje që partitë politike në Shqipëri t’i japin fund luftës së ashpër politike për pushtet. Ai është shprehur se politikanët shqiptarë, ndërsa merren me njëri-tjetrin, kanë harruar qëllimin e vërtetë të politikës, që është kujdesi për popullin. Këto deklarata, ambasadori i SHBA-ve në Tiranë i ka bërë gjatë fjalës së mbajtur në prezantimin e sondazhit të 6-të vjetor të USAID-it, në bashkëpunim me IDRA-n, mbi perceptimin e korrupsionit në Shqipëri për vitin 2010. Duke iu referuar raportit, Withers e cilësoi situatën në Shqipëri tejet të përkeqësuar. Ai tha se ka jetuar në vende të ndryshme, por kurrë nuk ka vënë re një shifër kaq të madhe qytetarësh, gati 92%, që mendojnë se niveli i korrupsionit është shumë i lartë. Withers u bëri thirrje partive politike që të kthejnë sytë nga populli dhe të merren pikërisht me luftën kundër korrupsionit dhe reforma të tjera që ndikojnë në jetesën e qytetarëve shqiptarëve.
Apeli
“Sot në Shqipëri partitë politike janë përfshirë në një luftë të madhe për pushtet, njëra parti kundër tjetrës. E ndërsa ju thoni se ato janë më pak të besueshmet nga çdo institucion shqiptar, unë ndjehem i trashuar, sidomos nga rezultatet e raportit për korrupsionin. A nuk ka ardhur koha që drejtuesit politikë t’ju dëgjojnë? A nuk ka ardhur koha që ata të rreshtin së luftuari ndaj njëri-tjetrit dhe të kujdesen për ju? Kam respekt për urtësinë e popullit shqiptar, e cila i paraprin urtësisë së lidershipit. Ky raport po u jep një mesazh. Ka ardhur koha që liderët politikë t’i besojnë dhe ta dëgjojnë popullin”, - është shprehur Withers.
Kjo deklaratë e tij vjen në një moment kur klima politike në vend është tejet e acaruar. Për gati gjashtë ditë dhe net, 22 deputetë të Partisë Socialiste kanë zgjedhur grevën e urisë për të protestuar për transparencën e procesit zgjedhor dhe kundër qeverisë, ndërkohë që çdo ditë zhvillohen protesta nga opozita. Nga ana tjetër, maxhoranca, përveçse e cilëson protestën një të drejtë kushtetuese, nuk ka ofruar asnjë zgjidhje të re të ngërçit politik, duke mos dhënë asnjë dritë jeshile për nisjen e dialogut politik mes palëve. Në një moment të tillë, Withers e cilëson situatën në Shqipëri tejet të përkeqësuar dhe e cilëson raportin e USAID-it një alarm për institucionet shqiptare dhe politikën shqiptare në përgjithësi. “Kam jetuar në vende të ndryshme të botës dhe në shumë prej tyre jam përballur me korrupsionin. Por nuk kam parë asnjëherë rezultate të tilla, ku 92% e të pyeturve të thonë se korrupsioni është i përhapur ose shumë i përhapur. Ky raport duhet të jetë një alarm për t’u zgjuar. Kjo tregon se nuk po bëhet mjaftueshëm; shumë më shumë duhet bërë. Mendoj se duhet të nisë me forcimin e institucioneve dhe jo me dobësimin e tyre. Duhen lejuar që të punojnë në autonomi të plotë dhe larg çdo presioni politik”, - është shprehur ambasadori i SHBA-ve, Withers.
Deklarata e përfaqësuesit të qeverisë amerikane në Shqipëri është në të njëjtën linjë me thirrjen e europianëve, konkretisht të komisionerit europian për Zgjerimin, Stefan Fyle. Vetëm një ditë më parë Fyle u ka telefonuar të dy krerëve të politikës shqiptare, Berishës dhe Ramës. Gjatë bisedave telefonike Fyle u ka kërkuar palëve që të ndajnë përgjegjësitë dhe të zgjidhin sa më parë krizën politike në vend. Ai ka shtuar se situata në këtë mënyrë po shkon drejt përkeqësimit dhe kjo nuk është një shenjë e mirë për Shqipërinë, aq më tepër në një moment që KE-ja do të vendosë për liberalizimin e vizave dhe statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Komisioneri Europian për Zgjerimin ka bërë thirrje për ecurinë e mëtejshme të reformave, pasi, sipas tij, ka disa kritere të përcaktuara në Udhërrëfyes, që nuk janë përmbushur ende.

6 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›