E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Alternativa ime është të respektoj grevën e urisë”



Kryeministri Berisha sërish nuk ka ofruar zgjidhje për situatën e ndërlikuar politike, ndërsa i pyetur nga mediat është shprehur dje se nuk ka alternativë tjetër veçse të respektojë grevën e urisë. Në një kohë kur 22 deputetë të opozitës, prej gjashtë ditësh protestojnë në grevë urie, kryeministri i vendit shprehet se nuk mund të shkelë vendimet e gjykatave. “Shpreh ndjeshmërinë time për vuajtjen e deputetëve dhe të qytetarëve në grevë, vendim të cilin unë nuk do t’ua kisha këshilluar kurrë, por nuk kam alternativë tjetër përveç respektimit të tij. Sikundër më duhet të them edhe njëherë se Sali Berisha është kryeministri i vendit, nuk është as gjykatësi, as prokurori i këtij vendi. Dhe unë nuk mund të marr, nuk mund të imagjinoj të trajtoj vendime gjykatash, apo të marr përsipër funksione prokurorësh”, - është shprehur Berisha.

Talio
Meta merr pjesë në Ministerialin e Nismës Adriatiko-Joniane

“Samiti i Sarajevës do të jetë shtysë për proceset integruese europiane”

Me ftesë të ministrit të Jashtëm italian, Franko Fratini, zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, mori pjesë në Ministerialin e Nismës Adriatiko-Joniane, të zhvilluar në qytetin e Ankonës në Itali. Në këtë ministerial, i cili shënoi edhe përfundimin e presidencës italiane të kësaj nisme, morën pjesë ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Italisë, Greqisë, Sllovenisë, Kroacisë, Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi. Ky ishte takimi i 7-të i nivelit të lartë dhe këtë vit mbart një simbolikë të veçantë, pasi përkon me 10-vjetorin e krijimit të Nismës Adriatiko-Joniane. Me këtë rast, ministrat e Punëve të Jashtme, duke bërë një bilanc të angazhimeve dhe aktiviteteve të saj, ndanë së bashku vlerësimin për rolin e Nismës në drejtim të forcimit të bashkëpunimit mes vendeve anëtare, konsolidimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, si dhe nxitjen e një zhvillimi ekonomik rajonal përmes projekteve me interes të përbashkët. Ministrat gjithashtu miratuan dy deklarata të rëndësishme politike: Deklaratën e Ankonës dhe Deklaratën e Këshillit Adriatiko-Jonian në mbështetje të Strategjisë së BE-së për rajonin e Adriatikut dhe Jonit. Në Deklaratën e Ankonës u rikonfirmua perspektiva e qartë dhe e afërt europiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe u vlerësua progresi i dukshëm që këto vende kanë arritur në procesin e integrimit në BE, duke nënvizuar rëndësinë e finalizimit të shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Në fokus të Deklaratës për Strategjinë Europiane për Rajonin Adriatiko-Jonian, krahas theksimit të procesit integrues në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ishte nevoja e inicimit të projekteve të bashkëpunimit në sektorë strategjikë, si: energjia, transporti, turizmi, kultura, arsimi, si dhe bashkëpunimi ndërportual, zhvillimi rural dhe nxitja e kontakteve ndëruniversitare. Në fjalën e mbajtur në këtë ministerial, ministri Meta i siguroi homologët e tij për kontributin dhe angazhimin e Shqipërisë në kuadër të Nismës Adriatiko-Joniane, si dhe mbështeti iniciativën e marrë nga Italia për të shndërruar rajonin e Adriatikut dhe Jonit në një makro-rajon evropian dhe për të prezantuar strategjinë e këtij projekti të rëndësishëm të bashkëpunimit ndërrajonal pranë institucioneve të BE-së. Meta vlerësoi mbajtjen e Samitit të Sarajevës më 2 qershor, si një mundësi për t’u dhënë një shtysë të re nxitëse të gjitha proceseve integruese europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në përfundim të fjalës së tij, z. Meta vlerësoi suksesin e arritur nga presidenca italiane në realizimin e shumë aktiviteteve e projekteve me karakter rajonal, si dhe uroi presidencën e ardhshme të kësaj nisme nga Mali i Zi, duke e siguruar për mbështetjen e plotë të Shqipërisë.

6 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›