E Diel, 1 Nëntor 2026

Ata që duan të përsëritin Historinë

Reportazh/ Pak momente mes grevistëve në Ditën e gjashtë të protestës

Albert Gjoka

Dita e gjashtë, në pikun e saj, e ka pushtuar bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me një heshtje torturuese. Edhe për qytetarët e zakonshëm apo kureshtarët që u afrohen çadrave të ngritura brinjë më brinjë selive të qeverisë dhe Kryesisë së Kuvendit, kithtas ndërtesës së mbytur në heshtje të Presidencës, këmbët ecin zvargur nëpër pllakat e trotuarit. Kabllot e shumta të kamerave janë të vetmit përcjellës që çojnë në çdo skutë të Shqipërisë dhe në çdo cep të globit ngjarjen e pazakontë të kryeqytetit shqiptar. Objektivat e tyre janë të vetmit sy që zhbirilojnë atë që ndodh brenda kampusit të protestës, për të përcjellë imazhe në eterin që rroket të brejë ndërgjegjen e secilit prej nesh se në bulevardin kryesor të Tiranës janë ngujuar 202 njerëz me kauzën e shpallur dhe të pamohueshme të transparencës.
Nuk është as dita e parë apo e dytë e një proteste të këtij lloji dhe teksa hyn brenda çadrave, dallon qartë se ngjyra e verdhë u është veshur si “make up” i keq fytyrave të burrave dhe grave që i janë bashkuar një kauze. Deputetja rishtare e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, e ka pasur të vështirë të kapërcejë ndjesitë e ditëve të para teksa mbyllte sytë gjatë në shtratin e vënë mbi bulevard, apo kur shkonte në tualetet e improvizuara për të larë fytyrën. Ajo thotë se këto ditë ka filluar t’i bëjë vetes pyetjet e mëdha, të cilat thuajse harrohen në përditshmërinë e çdo njeriu: “E kam pyetur veten se çfarë jam? Se çfarë të shkakton vuajtja? Cili është misioni im në jetë?”. Vajza e zellshme, që ka vetëm pak muaj që ka veshur gëzofin e deputetes në “xhunglën” e politikës shqiptare nuk ngurron të rrëfejë meditimet e këtyre ditëve: “Kam kuptuar se duhet të jesh më i ndejshëm ndaj njerëzve, ngjarjeve, fenomeneve dhe gjërave të tjera në përgjithësi. Kam kuptuar se nuk duhet të kesh frikë”. “Këtu brenda, - siç thotë Olta, - është krijuar një botë tjetër”, e cila ka marrë udhë kur bashkëvuajtësit kanë parë në sy njëri-tjetrin, kanë kuptuar hallin që i bashkon.
Vetëm katër hapa më larg është Elisa Spiropali, e cila thotë se i është bashkuar grevës me vetëdije të plotë për shkak të mungesës së lirisë. Ajo ndihej e trazuar brenda vetes teksa mori vesh se pak orë më parë gratë e PD-së kishin protestuar para Bashkisë së Tiranës duke i kërkuar kryetarit të PS-së që të nxjerrë jashtë femrat greviste. “Atyre grave që dalin e flasin në emrin tonë u themi se nuk kemi nevojë për mëshirë, sepse vendimin e kemi marrë si individë të lirë dhe jo si gra që dalin, që e mbajnë veten të emancipuara dhe flasin në gjendje të lënë”. Në të njëjtin kënd me dy protagonistet e para ndodhet edhe Erion Veliaj, i cili nuk të jep më imazhin e atij djalit të gjallë që kërkon të uzurpojë hapësirën e komunikimit. Ditë-netët e lodhshme në bulevard ia kanë humbur edhe mundësinë e të qenit një djalë alla barbon-modern. Në shtratin e tij ndodhen disa revista dhe celulari “Blackbarry”, që i mundëson edhe komunikimin përmes internetit. Në kujtesën e Erionit ka mbetur pamja e zotit Berisha, teksa u shfaq pak ditë më parë me një i-PAD në dorë para kamerave, vetëm pak metra larg. “Si do të reagojë një qytetar grek nëse kryeministri Jorgos Papandreu do të dalë me një i-PAD të tillë në dorë në kohën kur Athina po digjet dhe përgjaket prej krizës? Kryetari i grupimit politik “G99” thotë se ka qenë 10 vjeç në kohën kur u bë greva studentore e urisë në vitin 1990. “Tani jam duke bërë atë që e bënë 20 vjet më parë ata me të cilët ndaj të njëjtën kauzë”, - thotë Erioni.
Mes 202 grevistëve, Mimoza Boçari ka një shtysë të fortë për të argumentuar qenien e saj në këtë protestë. Gruaja nga Vlora, me origjinë nga një familje ish-pronarësh, rrëfen kalvarin e gjatë që ka përjetuar, si shumica e fatkeqve të të njëjtit soj, në zyrat e shtetit, për të marrë pasuritë e trashëguara. “Kam trokitur derë më derë gjatë këtyre viteve për të marrë atë që më takon dhe më kanë kthyer vetëm një përgjigje: Nesër”, - thotë Boçari, e cila nuk e fsheh zemërimin që ndien brenda për atë që e cilëson “një tallje 20-vjeçare”. Ajo shfryn me të madhe prej marazit, saqë fyerja që i është përplasur në fytyrë prej institucioneve në demokraci e bën të kërkojë me çdo kusht një gjë të mirë tek armiku që e ndëshkoi rreptë në emër të luftës së klasave për 50 vjet. “Kam hyrë në grevë pasi nuk duroj më. Ish-pronarët nuk kanë çfarë të presin më sepse kush shpreson te kjo qeveri se do të marrë pronën e tij, e ka të kotë”, - thotë Mimoza. Në ndryshim prej bashkëvuajtësve të tjerë, ajo ndihet më e fortë. “Vuajtja fizike nuk është asgjë krahasuar me atë që kam në kokë dhe në zemër”, - shprehet pinjollja e familjes Boçari, e cila kërkon me çdo kusht që një parti në Shqipëri të marrë përgjegjësinë për t’i kthyer asaj dhe ish-pronarëve të tjerë në këtë vend atë që u takon me ligj; për të shembur atë që ajo e quan diktatura “post-komuniste” në këtë vend.
Në njërin prej shtretërve të ngritur mbi bulevard është edhe një ish-i persekutuar politik që ka ardhur nga Shkodra për të kërkuar paratë e vuajtjes dhe gjakut. Lodhja e gjatë e këtyre ditëve dhe e gjithë jetës e ka shtrirë në krevatin portativ dhe minutat i shtyn me sy mbyllur. Tek-tuk, në mjediset ku brenda tij sundojnë ngjyrat kuqezi, sheh libra, kompjuterë portativë apo CD, të cilat shërbejnë si karrema për të vrarë kohën që ecën shumë ngadalë. Arben Malaj, i sapokthyer nga Brukseli, ka hapur laptopin dhe po punon. Pas “leksionit” që mori në Bruksel nga zyrtarët e lartë të Parlamentit Europian, ai është kthyer me heshtje, pa rënë në sytë e kamerave, te “qelia” e tij që e la vetëm për 48 orë. Fraksionisti i moderuar i rrymës për Mendim Ndryshe bluan në kokën e tij opsione për zgjidhjen e këtij ngërçi politik që ka bllokuar Shqipërinë prej 8 muajsh. “Mbase faktori ndërkombëtar do të propozojë një tjetër skemë për rinisjen e bisedimeve mes maxhorancës dhe opozitës, në mënyrë që t’i jepet fund krizës”, - thotë Arben Malaj. Madje ai shton se edhe PS-ja duhet të përgatitet për një paketë të plotë kushtesh nëse do të shtrohet terreni për t’u ulur në bisedime”.
Por, brenda mjediseve të grevës nuk sheh asnjë shenjë drite të fundit të tunelit ku ka hyrë politika shqiptare. Askush nuk të thotë se kur do të mbyllet kjo grevë dhe se çfarë do të dalë prej saj.
Në dhomën e ndihmës së shpejtë ndodhen tre grevistë të tjerë, të cilëve po u jepet serum pasi ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ekrane televizive janë varur në disa kënde të kampusit politik, përmes të cilave të ngujuarit marrin e japin për atë që ndodh pranë dhe larg tyre; presin të marrin një përgjigje, - përtej respektit për institucionin e protestës, - nga maxhoranca dhe kryeministri që ndodhet vetëm pak metra larg, në selinë me grila të mbyllura dhe gjysmë të hapura.
Teksa lë shesh-betejën e radhës së opozitës, rreth e rrotull çadrave të zë syri ndonjë person që ka ardhur për të sjellë rroba apo gjëra të tjera të nevojshme për të afërmit e tyre të ngujuar. Një profesor bën çudi me atë që po ndodh në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”; me kërkesën e refuzuar të maxhorancës që solli ngujimin e këtyre burrave dhe grave. “E paimagjinueshme! Janë 1/7 e anëtarëve të Kuvendit në grevë urie. Edhe unë si qytetar i thjeshtë duhet ta shoh votën time, një e drejtë kjo që ma jep ligji. E tani duhet të ndërmerret një sakrificë e tillë, të cilën nuk kemi pse t’ia ofrojmë kësaj maxhorance apo çdo maxhorance që do të vijë nesër”.
Dita e grevës merr ngjyra, tone dhe motive gjithfarëshe nga ora në orë, nga mëngjesi në darkë, nga dita në ditë. Secili prej atyre që ndodhet brenda i ka dhënë vetes një mision. Por, Erioni, Elisa, Olta dhe shumë bashkëmoshatarë të tjerë, brenda apo jashtë çadrave, ata që kanë rrokur që në zanafillë Politikën e Re të udhëheqësit të tyre, duket se i kanë vënë vetes së tyre një mision: Të bëjnë atë që realizuan bashkëmoshatarët e tyre 20 vjet më parë. Një kauzë e madhe, të cilën vetëm ata e dinë, e ndiejnë dhe e prekin në këto ditë-net proteste në bulevard. Ata po luftojnë që të ripërsëritet historia. “Ta bëjmë majin e 2010-s si Dhjetorin e ‘90-s”, - thotë Olta Xhaçka.

6 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›