E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koshtunica: Beogradi do ta njohë Kosovën

“Pushteti i ri në Beograd ka paralajmëruar se do ta njohë EULEX-in, dhe kjo njohje në fakt, është njohje e pavarësisë së Kosovës”. Kështu është shprehur ish-kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, gjatë një deklarate të dhënë për gazetën “Vecernje Novosti”.

"EULEX-i i Atisaarit, që po ia rrëmben Kosovën Serbisë, nuk do ta marrë vizën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nëse pushteti në Beograd nuk është i pajtimit për vendosjen e tij”- ka theksuar Koshtunica, duke shtuar se ky mision prej muajsh është vendosur në këtë provincë në mënyrë ilegale. Ndërkohë që qeveria, sipas tij, fshihet pas një vendimi të Këshillit të Sigurimit dhe kjo gjë, nuk është tjetër veçse një mashtrim.

"Nëpërmjet propagandës së tij, pushteti do ta prezantojë këtë gjë si një fitore tjetër të madhe diplomatike. Pas një fitoreje të tillë të pushtetit mbi popullin, atij i mbetet vetëm edhe një fitore tjetër - ta njohë formalisht Kosovën si shtet të pavarur”, ka thënë Koshtunica për mediat serbe.

Këtë vendim, sipas tij, pushteti po e merr prapa shpinës së Kuvendit të Serbisë, sepse nuk ka guxim të kërkojë nga Kuvendi të deklarohet për EULEX-in e Ahtisaarit. N dërkohë, ambasadori amerikan në Beograd, Cameron Munter, ka paralajmëruar sot një vendim të shpejtë të OKB-së për EULEX-in. Ai ka thënë se lidershipi serb ka mirëkuptim për misionin evropian në Kosovë, dhe ka shprehur besimin se do të gjendet një rrugë që Këshilli i Sigurimit ta kuptojë se misioni është në përputhje me Rezolutën 1244.

"Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së po e udhëheq këtë proces për të cilin besojmë se do të dërgojë te vendosja paqësore e EULEX-it në Kosovë", ka thënë ambasadori Munter, në një intervistë për gazetën serbe "Novosti".

Ai ka thënë se 80 policët amerikanë dhe 8 gjyqtarët dhe prokurorët në EULEX janë trupë teknike që do të përkujdesen që të drejtat e të gjithë qytetarëve në Kosovë, qofshin ata shqiptarë apo serbë, të respektohen. Ambasadori Munter ka rikujtuar se si kandidati republikan, McCain ashtu edhe demokrati Obama janë përkrahës të pavarësisë së Kosovës. (Telegrafi)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›