E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mori ryshfet, pezullohet polici në Shkodër

Shkodër- Policia e Shkodrës ka vendosur pezullimin e inspektorit Shaqir Hasanaj, efektiv i policisë kufitare pranë pikëkalimit kufitar të Hanit të Hotit. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka nisur hetimin ndaj efektivit të policisë kufitare në Han të Hotit, Shaqir Hasanaj si dhe ndaj ish punonjësit të policisë Tom Canaj, i dalë në reformë më 09.11.2006 dhe që aktualisht bën punën e taksistit.

Sipas policisë, këta persona dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar elemente të veprave penale të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit pasiv nga punonjës që ushtrojnë funksione publike.

Hetimet kanë nisur pas denoncimit që është bërë lidhur me atë se nga kjo pikë kalimi kufitar mund të kalohet po të paguash ndonjë polic. Një person ka bëre pazar me një sekser (ish-polic në këtë pikë doganore dhe tani shofer taksie) për 50 euro për të kaluar kufirin nga Shqipëria në Mal të Zi. Sipas sekserit për të kaluar kufirin pa marrë vulë, mjafton të fusësh 20-25 euro në pasaportë për vajtje e po aq për kthim e gjithçka është në rregull.Sipas sekserit, për ata që janë me pasaportë amerikane pazari është 250-300 euro.

Pas investigimit të bërë nga Shërbimi i kontrollit të Brendshëm është marrë masa disiplinore ndaj efektivit të policisë ndërsa njëkohësisht kanë nisur edhe hetimet. Efektivi i policisë Hasanaj është pezulluar nga detyra për t’i hapur rrugë hetimit të kësaj çështjeje.

Sipas policisë, masa disiplinore për Shaqir Hasanaj do të jetë deri në përfundim të hetimeve dhe në varësi të rezultatit do të vendoset nëse ai do kalojë për ndjekje të mëtejshme organeve përkatëse apo do të rikthehet në punë, në rast se nuk rezulton të ketë konsumuar elementë të akuzës ndaj tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›