E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejt një greve të vërtetë urie

Të mësuar me degradimin e grevave të urisë deri në skajshmëri, opinioni publik tek ne nuk i ka marrë shumë seriozisht dhjetëra të tilla të zhvilluara në mënyrë konstante gjatë kësaj periudhe tranzicioni, duke justifikuar në shumë raste edhe indiferentizmin e politikës. Por ajo që po paralajmërohet tani nga disa deputetë, jo vetëm që nuk ngjan aspak me të ashtuquajturat greva të urisë, por, në motivet e saj, kalon nga mbrojtja e interesave personale apo të një grupi, në mbrojtjen e parimeve dhe vlerave të demokracisë kushtetuese. Kësisoj, thelbi i kësaj greve, jo vetëm që është shumë i vërtetë, por ka gjithë sensin për të sjellë një reagim publik të domosdoshëm, pasi jemi përballë shkeljeve të një standardi demokratik, i cili është jetik për të ardhmen e vendit. Deri në këtë pikë kritike të reagimit dhe të protestës, deputetët grevistë dhe jo vetëm ata, i solli miratimi i mirëkuptuar nga PD dhe PS i Kodit Zgjedhor, i cili penalizon hapur forcat e tjera politike të pabindura ndaj tyre, por realizon në praktikë zgjedhje të manipuluara e rezultat të paracaktuar, duke vënë në dyshim legjitimitetin e një procesi i cili shikohet edhe si një gur prove i Shqipërisë në mbështetjen e saj drejt strukturave euroatlantike. Kësisoj, nëse arrihet një fitore matematikore e dy partive më të mëdha politike, kemi një humbje të madhe të kredibilitetit politik të vendit, një humbje të madhe besueshmërie përballë faktorit ndërkombëtar, e për pasojë një vonesë tjetër në trenin evropian si pasojë e bajraktarllëkut politik që kërkojnë të ushtrojnë dy aktorë të papërgjegjshëm. Kemi edhe më shumë se kaq, vendosjen e tiranisë, e cila ngushton deri në asfiksim liritë e të drejtat e pakicave, që në një demokraci liberale konsiderohen të shenjta. Nuk është aspak retorikë politike, por realisht demokracia shqiptare ndjehet vërtet e rrezikuar nga sinkroni politik i Berishës me Ramën, me synim të vetëm vendosjen e një oligopoli politik. Ndaj rruga e vetësakrifikimit dhe e sensibilizimit të opinionit publik, megjithëse ngjan shumë e panevojshme pas 17 viteve pluralizëm, mbetet njëra nga alternativat sensibilizuese brenda dhe jashtë vendit për zgjidhjen e një problemi aspak të vogël, por shumë jetik për të parandaluar vendosjen e një pushteti, i cili nuk mbështetet mbi votën e lirë. Zgjedhjet në Shqipëri asnjëherë nuk arritën standarde të besueshme, ndaj iniciativa e vendimi për të kontrolluar gjithçka vetëm nga dy forca politike, është rrezik potencial për ngushtimin e hapësirave të lirisë, personalitetit të individit, të parimeve liberale të jetës pluraliste, por edhe të organizimit politik në Shqipëri. Asnjë argument i vërtetë nuk gjendet për të justifikuar këtë qëndrim që dy partitë e mëdha dhe më saktësisht të dy lidershipeve të tyre të cilët e inskenuan, duke gjetur beniaminë dhe vegla që ta instrumentalizonin përmes një Kodi Zgjedhor, që u jep fuqi manipuluese dhe shantazhuese mbi të gjithë të "vegjlit". Kjo skemë denigruese realizon një presion mbi çdo segment politik të majtë e të djathtë, të pabindur ndaj partive të mëdha dhe krijon hapësira komode vetëm për dy aleatët e tyre. Duke njohur profilin e këtyre aleatëve, çdo gjë ka të drejtë të shihet me dyshim dhe kontestimet kanë një bazë të arsyeshme nga se nisen. Aleatët e këtyre dy partive kanë brenda grupeve parlamentare jo vetëm kohezionin të plotë me të mëdhenjtë, por janë të mirëkuptuar edhe për emrat e deputetëve, aq sa jo rrallë deputetë të këtyre partive i shikon në mbledhjet e grupeve parlamentare të partive të mëdha tek marrin porositë e radhës. Kjo shfaqje groteske e përsëritur disa herë me radhë nuk të lë shteg të besosh në pavarësinë e këtyre satelitëve e në reagimin e vërtetë të tyre. Aleanca e shumëpërfolur për një sërë mirëkuptimesh me përfitim ekonomik, marrëveshjesh që nuk kanë në bazë integritetin e pavarësinë e institucioneve, por resurse ekonomike reciproke, kulmoi me një Kod Zgjedhor, ku intrigantët e tipit Xhafa e përgatitën me një entuziazëm të pashoq, si një ndëshkim për forcat politike të pabindura, në radhë të parë për LSI-në. Se sa do t‘ia arrijnë dhe a do t‘i shkojnë deri në fund kësaj aventure, mbetet për t‘u verifikuar.

Tani po festohet në mënyrë shumë cinike triumfi mbi LSI-në, që në fakt është humbja e një aleati shumë përcaktues për fitoren e opozitës si dhe degradimi keqas i personalitetit të deputetit, personalitet që është marrë peng prej kohësh tek mjaft prej tyre. Humbja e zërit dhe tjetërsim i figurës për të mos reaguar ndaj kësaj shkeljeje të hapur që i bëhet standardit të zgjedhjeve, i cili duhet të ishte në radhë të parë i mbrojtur dhe i shenjtë për opozitën, është dëshmi tronditëse e faktit se te PS-ja ka shumë llogari personale dhe fare pak llogari për publikun dhe mbrojtje të interesit të tij. Jemi krejt afër në distancë kohore nga një "show" parlamentar, ku personaliteti dhe liria e deputetit, pavarësia dhe integriteti i tij u vunë mjaft në dyshim. Seanca parlamentare e mocionit ndaj Kryeministrit dëshmoi jo vetëm paaftësinë e artikulimit të opozitës për të thënë të vërtetën e mbrojtur atë, por edhe beniamizimin politik të ministrave që recitonin gjërat më të panevojshme, në një sallë që është dhunuar mbi të gjitha liria. Asnjë nga deputetët nuk guxoi të dilte jashtë partiturës politike që kishin përgatitur liderët e tyre, të cilët kishin gjetur në distancë gjuhën për të folur shumë e për të mos thënë asgjë. Ishte shumë sarkastike dhe e dhimbshme kur njëri nga deputetët demokratë nuk po e duronte ligjërimin fals e demagogjik të Berishës, ai nuk pati shoqërues asnjë deputet të opozitës socialiste. Këtë trimëri, opozitës socialiste ia kanë hequr ndër të tjera edhe ndryshimet kushtetuese dhe tani së fundmi edhe Kodi Elektoral, ku çdo gjë vendoset, deri edhe te numërimi i votës nga paracaktimi që do të bëjnë gustot e shefit. Dhe të punësuarit socialistë, ashtu si edhe ata demokratë në seancën debat, pozuan edhe një herë keqas e shëmtuar se sa pak janë të pavarur, se sa pak kanë mundësi të thonë e të artikulojnë në publik atë që mendojnë, se sa pak pavarësi ka mbetur brenda tyre.

Pikërisht për të rifituar këtë liri, për një personalitet ndryshe të deputetit, për një integritet të domosdoshëm të tij, bëhet greva e urisë e një grupi që realisht nuk ka të bëjë aspak me mundësinë apo jo të tyre për të fituar një mandat deputeti. Në çfarëdo shkalle që të realizohet manipulimi, sido që të mbyllen hapësirat e Kodit Zgjedhor, Meta dhe mjaft mbështetës të tij e kanë të sigurt kolltukun parlamentar, por kësaj radhe janë motive të tjera që i shtyjnë dhe që të besojmë se jemi përpara një greve të vërtetë. Një garë e vërtetë elektorale, me mundësi të barabarta për të gjithë, si në kandidim brenda partisë, ashtu edhe përballë elektoratit është një integritet më i rritur dhe pavarësi e deputetit. Një garë me rregulla të prishura, të cilat diktohen vetëm nga dy personazhe tepër të dyshimtë e problematikë me demokracinë e parimet e saj, vë në dyshim të fortë normalisht edhe personalitetet që dalin nga një kuzhinë e tillë politike.

Po ta parashikoje këtë grevë vite më parë, do të dukej vërtet paradoksale dhe logjika nuk do ta pranonte, por baltosja që po i bëhet demokracisë dhe dhunimi i saj nga martesa politike e Berishës me Ramën, po e ofrojnë si një zgjidhje për të përmbysur këto raporte që rrezikojnë seriozisht të ardhmen. Debati për Kodin Zgjedhor në kushtet e Shqipërisë që vazhdon të vuajë indoktrinimin politik në masë, imponoi komisione me përfaqësues të subjekteve politike në vend të përfaqësuesve shtetërorë e të pavarur, që u diskutua si variant i mundshëm dhe referencë nga eksperiencat perëndimore. Në mungesën e besimit të përligjur për ta, dy lidershipët kërkuan atëherë të kenë gjithë kontrollin mbi komisionet zgjedhore, duke dëshmuar se vetëm kështu realizojnë në praktikë jo vetëm kontrollin mbi zgjedhjet, por edhe mbi të ardhmen tonë. U shpik një formulë nga ata mjeranët e vegjël, që krekoseshin para kamerave si triumfatorë, i cili i jep atribute të plota PD-së dhe PS-së dhe satelitëve të tyre pa personalitet fuqi mbi votën e lirë. Rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Shqipëri kanë treguar se dy partitë e mëdha nuk e kalojnë së bashku pragun e 50% . Edhe llogari e sondazhe të tjera nuk i nxjerrin në një prag më të lartë këto dy parti, të cilat shpërdorojnë hapur mandatet e një procesi zgjedhor që quhet "Dushk" dhe është simbol i tjetërsimit të vullnetit të zgjedhësve. Një Kod Zgjedhor i cili bëhet për të shmangur procese zgjedhore si "Dushku" dhe mbështetet mbi rezultatet e deformuara të tij, nuk mund të zgjidhë asgjë, përveç se të parathotë një tirani pushteti që vjen gjoja përmes një procesi ligjor të komprometuar, por siç e kanë natyrë diktaturat e duan dhe i referohen kur u intereson. Ky paracaktim i së ardhmes, së drejtave tona demokratike dhe i votës dëshmon se Shqipëria është në alarmin e një rreziku të madh. Greva jo rastësisht është headlines i gjithë shtypit tonë, sepse në fakt ajo është grevë kundër pushtetit absolut të një dysheje të certifikuar që shkel çdo parim e të drejtë, që depersonalizon edhe individin-deputet apo ministër, përballë ushtrimit të dhunshëm të kompetencave të pamerituara. Duke e perceptuar pluralizmin si pengesë në ushtrimin e pushtetit të tyre, në ngushtimin e hapësirave të lirisë çdo individi që kërkojnë t‘ia marrin kësaj radhe nga një rrugë e kadifenjtë që ua siguron kodi, arkitektët dhe sponsorizuesit e kësaj maskarade procedurale e ligjore, përgatisin jo vetëm betonizimin e pushtetit personal, por edhe ushtrimin e tij pa kontekste e kokëçarje, pa kontroll e të pacenueshëm. Kësisoj pikëpyetjet e paragjykimet për një grevë, instrument demokratik i mbrojtjes së të drejtave kushtetuese që po u dhunohen jo një apo disa individëve, por një shoqërie në tranzicion të vështirë, nuk qëndrojnë. Jemi fatkeqësisht në vitin 2008, përballë një greve të vërtetë, të inspiruar nga parime morale e mbrojtje të lirive kushtetuese.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›