E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, në pranga dy ish-komandantë të UÇK-së

Policia maqedonase arrestoi papritur dy ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, gjatë një operacioni të zhvilluar të premten vonë. Sipas agjencive të lajmeve, forcat e rendit maqedonase kanë prangosur Miftar Islamin, i njohur me nofkën "Tali" dhe Bekim Dardhishtën, ish-komandantë të UÇK-së.

Ministria e Brendshme nuk ka dhënë detaje për këto arrestime, që siç bëhet e ditur janë pjesë e një aksioni të gjerë. Ndërkohë, familjarë të Miftar Islamit, ish-komandant Talit, theksuan se ai ishte arrestuar në afërsi të shtëpisë së tij dhe më pas e tërë shtëpia është bastisur. "Ka pasur bastisje në shtëpi nga forca të shumta të policisë, që ndërhynë pa paralajmërim. Nga kjo janë shqetësuar edhe fëmijët e vegjël të kësaj familjeje", theksoi një familjar i Miftar Islamit për agjencinë e lajmeve INA. Po ashtu, bëhet e ditur se në shtëpinë e Miftar Islamit policia nuk ka gjetur asgjë. Miftar Islami menjëherë pas konfliktit të vitit 2001 i është kthyer jetës normale dhe familjare. Familjarët e Bekim Dardhishtës gjithashtu theksuan se janë të shqetësuar nga ndërhyrja e policisë. "Policia hyri, kërkoi armë dhe gjeti vetëm një pushkë ajrore, një karikator të pistoletës dhe fotografi të luftës. Nuk e dimë përse është arrestuar", theksoi Nezir Dardhishta. Pjesëtarët e dy familjeve njoftojnë se kanë informuar edhe partinë shqiptare në pushtet, Bashkimin Demokratik për Integrim, e cila ende nuk ka dhënë ndonjë reagim publik.

Gjithashtu, nga agjencitë e lajmeve që emetojnë në gjuhën shqipe, mësohet se policia maqedonase ka bastisur shtëpinë e kryetarit të Alternativës Kombëtare (AK), Harun Aliu, i njohur si ish-komandant Kushtrimi i ish-UÇK-së në lagjen "Hasabeg" të Shkupit.

Lajmi është konfirmuar për agjencia e lajmeve INA nga bashkëfamiljarë të Harun Aliut, të cilët theksuan se pjesëtarë të shumtë të policisë kanë ndërhyrë në shtëpi duke bastisur dhe duke mos treguar pretekstin e këtij aksioni. "Për një orë është bastisur shtëpia, kanë kontrolluar dhe më pas janë larguar", theksojnë familjarët e familjes Aliu. Harun Aliu është një nga komandantët e parë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK). Ai aktualisht është kryetar i Partisë Alternativa Kombëtare në Maqedoni, me seli në Shkup.

Tensioni

Në qytetin e Kumanovës, i cili banohet thuajse i tëri nga shqiptarët, është rikthyer tensioni pas disa operacioneve policore, të cilat kanë arrestuar një prej biznesmenëve më të njohur. Pas arrestimit të Bajrush Sejdiut, prania e njësiteve policore është shtuar në qytetin e Kumanovës. Qytetarët thonë se ndihen të shqetësuar nga prania e madhe e policisë në qytet, si dhe nga sjellja e pazakontë. "U tmerrova ndërsa po lëvizja me makinë, pesë pjesëtarë të MPB-së, civilë dhe të armatosur me kallashnikovë më ndaluan në mesnatë dhe më kërkuan letërnjoftimin. Të ndalojnë pa kurrfarë arsye dhe me armë në duar të kërkojnë letërnjoftimin. Nuk besoj se kjo mënyrë ushtrohet edhe në zonat e ndryshme të rrezikuara në botë", thotë Armendi, një student nga Kumanova, për agjencinë e lajmeve INA. Të njëjtin fat ka pësuar edhe Bekim Sh., një shtetas i Holandës, i cili ka ardhur për pushime në Kumanovë. Ai thotë se në mënyrë shumë brutale është ndaluar nga pjesëtarë civilë të policisë, të cilët, siç tha ai, e kanë keqtrajtuar për një orë. "Brenda kësaj jave dy herë më ndaluan, ditën e mërkurë dhe ditën e premte. U shqetësova kur i pashë ashtu me kallashnikovë. Ata silleshin sikur të isha kriminel dhe më trajtonin si të tillë", thekson për INA, Bekim Sh., i cili thotë se ngjarja ka ndodhur pas mesnatës, kur ai po kthehej nga një mik i tij, tek i cili kishte qenë për vizitë.

Lidhur me praninë e shtuar të njësiteve policore të MPB-së në Kumanovë, posaçërisht para disa objekteve, pronë të biznesmenit, Sejdiu ka reaguar edhe Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Lirit e Njeriut (FNDLNJ), seksioni Maqedoni. "Skemat spektakolare të policisë, vendosja e policëve me uniformë para objekteve dhe shtëpisë që posedon Bajrush Sejdiu, janë edhe një fakt se këtu shkelen të drejtat dhe liritë elementare të njeriut", thuhet në komunikatën e FNDLNJ-së.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›