Feith: BE, jo pakt me Beogradin për EULEX-in
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith, ka hedhur poshtë njoftimet se BE-ja është pajtuar me kushtet e Serbisë për vendosjen e misionit të EULEX-it në Kosovë. Reagimi i Feith vjen pas deklaratës së bërë të premten në Beograd nga zyrtari i Komisionit Evropian, Pierre Mirel, sipas të cilit BE-ja ka pranuar kushtet e Beogradit për sistemimin e EULEX-it, përkatësisht që ai të jetë neutral ndaj statusit, të mos veprojë sipas planit të Ahtisarit dhe të miratohet në Këshillin e Sigurimit. Në një deklaratë për shtyp, Feith thotë se komentet e zyrtarit të Komisionit Evropian në media për vendosjen e EULEX-it në Kosovë, nuk reflektojnë qëndrimin zyrtar të BE-së. Deklarata e z. Mirel nuk është komentuar nga Brukseli. Por Prishtina zyrtare e ka kundërshtuar mundësinë që EULEX-i të jetë neutral ndaj statusit të Kosovës. Zëdhënësi i presidencës, Xhavit Beqiri, tha se për institucionet e Kosovës, EULEX-i është i pranueshëm vetëm sipas asaj që është paraparë me planin Ahtisari dhe asnjë kushtëzim i Beogradit nuk është i pranueshëm. Shefi i grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë në opozitë, Lulzim Zeneli, thotë se EULEX-i duhet të shtrihet në tërë territorin dhe duhet t‘u bindet ligjeve e Kushtetutës së Kosovës. Ndërkaq, një përfaqësuese e serbëve, Rada Trajkoviç, ka thënë se nuk do të befasohej nëse BE-ja arrin marrëveshje me Serbinë për vendosjen e EULEX-it. Sipas saj, serbët duhet ta kenë të qartë se misioni evropian në Kosovë nuk ka lidhje me pjesën politike të planit të Ahtisarit, por funksioni i tij, siç thotë ajo, "do të jetë mbrojtja e të drejtave të të gjithë qytetarëve, para se gjithash të komunitetit serb". Në Bruksel nuk ka pasur zyrtarë që publikisht kanë dashur ta komentojnë këtë deklaratë, duke thënë se duan të presin dhe të shohin se çfarë ka ndodhur në këto takime të Pierre Mirelit në Beograd. Por, disa zyrtarë në Bashkimin Evropian pohojnë se janë duke vazhduar përpjekjet për të gjetur formulën e pranueshme, që do të mundësonte dislokimin e misionit të EULEX-it në tërë territorin e Kosovës dhe se për BE-në afati i fundit për këtë çështje do të jetë dhjetori.
Ndryshe, në BE përkujtojnë se është Këshilli i Sigurimit ai që do të diskutojë sërish për Kosovën dhe ata presin që në raportet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara gjithashtu të arrihet një marrëveshje për të sqaruar gjërat që ende duken të paqarta
Ndryshe, në BE përkujtojnë se është Këshilli i Sigurimit ai që do të diskutojë sërish për Kosovën dhe ata presin që në raportet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara gjithashtu të arrihet një marrëveshje për të sqaruar gjërat që ende duken të paqarta