E Diel, 1 Nëntor 2026

U arrestuan për dhunë ndaj mjekëve, lirohen 4 të rinjtë

• BURREL – Akuza e ngritur për 4 të rinj të Burrelit për goditje për shkak të detyrës së mjekëve rojë të spitalit të qytetit është rrëzuar dje në sallën e gjyqit.A.Meli, S. Dervishi, A.Puka e R.Brahimi, katër djemtë e ndaluar nga forcat e komisariatit të policisë Mat janë lënë dje të lirë nga gjykata e rrethit. Pas provave e dëshmive të grumbulluara nga mjekët, forcat e policisë dhe dëshmitarë okularë, prokurori i çështjes në ngarkim të katër djemve, Sabri Kastrati kërkoi shpalljen e tyre të pafajshëm dhe lirimin në sallën e gjyqit. Para trupit gjykues nuk është paraqitur askush për të dëshmuar në lidhje me ato çfarë u thanë tre ditë më parë. As mjekët e urgjencës dhe as policia nuk kanë dhënë dëshmi të qarta për dhunë e kundërshtim të uniformave blu. “Mjeku Hasan Ceni ka thënë në dëshminë e tij se, ai nuk është dhunuar nga djemtë e ndaluar. Unë iu kam shërbyer atyre dhe nuk është e vërtetë të jem goditur”, ka cituar prokurori Kastrati, mjekun e urgjencës. Sipas tij, ngjarja është ekzagjeruar më shumë se çka ndodhur në të vërtetë. Katër të rinjtë kanë shkuar në urgjencën e spitalit për ndihmë mjekësore, po ajo u është refuzuar. “Eshtë krijuar një farë konfuzioni por nuk kemi të bëjmë me vepër penale”, është shprehur në argumentet e tij prokurori i çështjes, duke përfunduar se të gjitha akuzat për dhunë bien. Ai ka theksuar se, “nuk kemi të bëjmë me dhunë ndaj punonjësve të spitalit dhe as dhunimit të institucionit e nuk është faktuar se të rinjtë kanë kundërshtuar policinë lokale. Dëmi i shkaktuar nga ata është i papërfillshëm”. Në këto rrethana gjykatësi Vesel Bako në vendimin e marrë prej tij vendosi shpalljen të pafajshëm të katër djemve. Incidenti ndodhi mbrëmjen e 2 marsit në ambientet spitalore të Burrelit, por ndonëse fillimisht policia ndaloi katër personat për dhunim mjekësh e institucioni, akuza nuk u vërtetua.    p.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›