Polici i trafikut, 30 ditë në burg
• VLORE – Gjykata e Vlorës vendosi dje vetëm 30 ditë burg për policin e Himarës, i arrestuar si bashkëpunëtor në grupin e trafikut të drogës e armëve.Për Bashkim Sherajn u caktua lënia në qeli me afat, derisa hetimet të provojnë implikimin ose jo të tij. Sheraj, i akuzuar si pritës i drogës në Himarë, u prangos në fillim të javës, pas operacionit “Spanjolli”, i cili përfundoi me 7 të arrestuar. Policia e Vlorës bllokoi në Marinëz të Fierit një autobus që transportonte 72 kg kanabis sativa, duke prangosur pronarin e tij dhe personat e tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë. Ndaj gjashtë anëtarëve të grupit u vendos masa e arrestit burg pa afat. Për policin pritet të vendosin përgjigjet e kompanive celulare, të cilat po verifikojnë thirrjet telefonike mes të arrestuarve. q.b