“Rusia ka harruar pakte te Grupit të Kontaktit”
• “Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe Serbia po dëmton vetveten duke mos e pranuar shtetin e ri”, ka komentuar ish i dërguari i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari. Diplomati finlandez i bëri tirrje Serbisë që të ndërgjegjësohet për situatën. “Nuk ka kthim në të shkuarën. Kosova është tashmë e pavarur dhe do fillojë të kërkojë të anëtarësohet në institucionet financiare ndërkombëtare për të përmirësuar ekonominë, që është përparësia e saj kryesore”, tha Ahtisari. Ish i dërguari i Kombeve të Bashkuara vlerësoi rolin e Rusisë si një element shqetësues. Ahtisari tha se Rusia ishte një anëtare konstruktive e gjashtë fuqive të Grupit të Kontaktit, që e ka udhëhequr Kosovën për rreth një dekadë dhe ka rënë dakord për shumë marrëveshje, të cilat tani duket se i ka harruar. “Ajo që është më shqetësuese ka të bëjë me sjelljen e Rusisë në Këshillin e Sigurimit, çfarë e pengoi Këshillin të marrë një vendim. Një gjë e tillë e nënvlerësoi rolin e Këshillit të Sigurimit”, tha Ahtisari. “Në fund të janarit 2006, Grupi i Kontaktit, përfshi edhe Rusinë anëtare, pranoi se zgjidhja për Kosovën duhet të jetë e pranueshme nga popullsia në Kosovë. Dhe meqë 90 për qind e tyre janë kosovarë, ne e dinim se si do të ishte e ardhmja”, shtoi Ahtisari. Sipas tij, është shumë e rëndësishme që Kosova të bëhej anëtare e institucioneve financiare ndërkombëtare për të nisur me investimet e infrastrukturës dhe shpresoi që Kosova të jetë anëtare e FMN-së që këtë vit. “Ata duhet të jenë anëtarë të institucioneve financiare ndërkombëtare. Vendi në OKB vjen më vonë, kjo nuk ka shumë problem, ndryshe nga komenti i disa vende”, tha Ahtisari.