E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosor në Kosovë: Mbështesim tërësinë territoriale

PRISHTINE- Kroacia mbështet tërësinë territoriale të Kosovës. Deklarata vjen nga kryeministrja kroate, Jadranka Kosor gjatë një vizite në Prishtinë në krye të një delegacioni qeveritar dhe biznesmenësh të shtetit kroat. Kosor tha se politika e jashtme e Kroacisë do të jetë në harmoni me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.

Gjatë takimit me kryeministrin Thaci, Kosor tha se Kroacia mbështet deklaratat e kancelares Angela Merkel të bëra në Beograd në mbështetje të tërësisë territoriale të Kosovës. “Dialogu është rruga më e mirë për zgjidhjen e problemeve”, tha Kosor, duke ofruar mbështetjen e Zagrebit në procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi.

“Tërësia territoriale e Kosovës dhe kultivimi i të drejtave të barabarta për secilin individ, qytetar apo komunitet janë çështje të cilat Kroacia i mbështet në vazhdimësi. Mund te theksoj gjithashtu se miqësia mes vendeve tona u konfirmua në luftën tonë kundër tiranit Millosheviç dhe aspiratave për Serbinë e Madhe.
Ndërkohë, kryeministri Thaçi siguroi zonjën Kosor se qeveria e Kosovës do të rrisë angazhimin për bashkëpunim me Kroacinë.

Sa i përket situatës në veri Thaçi përsëriti edhe njëhërë se në Kosovë do të ketë shtrirje të autoritetit, përfshi edhe pjesën veriore, kurse paralajmëroi strukturat paralele se i pret ballafaqimi me ligjin dhe drejtësinë.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›