Naftëtarët, mungon reagenti që zbulon helmin në gjak
FIER/ MAJLINDA RAMA
Rreth 200 naftëtarë i janë drejtuar spitalit të Fierit tre muajt e fundit, pasi kanë shfaqur probleme me gjakun. Por, aty nuk kanë gjetur dot zgjidhje për sëmundjen e tyre shkaktuar nga puna në puset e naftës, pasi prej 3 vitesh mungon reagenti për të kontrolluar fenolet në gjak. Edhe pse Fieri është ndër të vetmit qytete që ka shifra të larta të sëmundjes së gjakut, për shkak të punës në sektorët e ndryshëm të naftës, spitali nuk po i ndihmon në kurim. Mungesa e reagentëve për kryerjen e analizave të fenolit në gjak në laboratorin e poliklinikës dhe vetë spitalit i detyron naftëtarët e Fierit të kryejnë analizat e gjakut në laboratorë private dhe për më tepër i detyron ata ta paguajnë këtë shërbim. Edhe pse janë të siguruar nga ana shëndetësore prej kompanisë së tyre, naftëtarët vazhdojnë të mbeten shtresa më e diskriminuar e punonjësve në sektorin shtetëror. Vetë këta naftëtarë shprehen se kjo gjendje ka më shumë se 3 vjet dhe nuk është normalizuar gjendja. Kështu që ata detyrohen të kryejnë ekzaminimet mjekësore edhe në kryeqytet. Kanë qenë pikërisht këta naftëtarë ata që me kohë kanë kërkuar vënien në funksionim të laboratorit shtetëror për analizën e fenolit. Pjesa dërrmuese e naftëtarëve janë të prekur nga kjo sëmundje edhe për shkak të vetë natyrës së punës mes ndotjes dhe avujve të hidrokarbureve. Njëri prej naftëtarëve shprehet se ka shumë vite që rraskapitet në kërkim të një rruge më të mirë jo vetëm për të, por për të gjithë. "Kam më shumë se 3 vjet që rropatem nëpër spitale. Duam të bëjmë analizat, mirëpo ato i bëjmë me lekë. Megjithëse jemi të siguruar nga kompania dhe paguajmë për figuracionin, analizat i bëjmë me lekët e xhepit tonë. Shkojmë dhe i blejmë vet të gjitha medikamentet që na duhen për mjekim. Për ne duhen marrë masa sepse jemi fare të pambrojtur në këtë drejtim. Kështu ka deklaruar Myrveti, një naftëtar nga Strumi i rrethit të Fierit. Gjithçka që naftëtarët kërkojnë është pikërisht rivënia në funksionim e laboratorit shtetëror në Poliklinikën e Fierit për sëmundjen e fenolit. Këtë fakt e ka pohuar edhe mjeku toksikolog Kilo Stoja. "Unë jam i detyruar të kërkoj ekzaminim laboratorik dhe duhet parë mundësia e furnizimit me reagentin e munguar. Zbulimi i prezencës së helmit të naftës në gjak është kryerja e analizave përkatëse, ku një rol kryesor luan kërkimi i fenolemisë në gjakun e njeriut. Për fat të keq ne nuk kemi reagent për kryerjen e kësaj analize. Jemi mbajtur si të thuash për pak kohë me të marrë hua por kjo nuk është zgjidhje", thotë Stoja. Nga burime të spitalit pohohet se reagenti është shumë i kushtueshëm dhe për pasojë mungesa e tij po vazhdon prej 3 vitesh. Sipas mjekëve, qyteti i Fierit preket nga kjo dukuri për shkak të industrisë së naftës dhe ndotjes prej saj. Që para tre vitesh laboratori nuk është furnizuar me reagentin e kushtueshëm dhe bluzat e bardha kërkojnë që Ministria e Shëndetësisë të ndërhyjë për zgjidhjen e situatës. Kjo nisur dhe nga numri i lartë i të sëmurëve të prekur nga fenoli në gjak. Vetëm gjatë këtyre tre muajve në spitalin rajonal të Fierit janë trajtuar më shumë se 200 naftëtarë të sëmurë nga kjo sëmundje ndërkohë që shumë të tjerë i janë drejtuar kryeqytetit.
Kuti poste në spital për korrupsionin
ELBASAN - Në qendrën spitalore "Xhaferr Kongoli" në Elbasan do të vendosen kuti poste, në të cilat pacientët apo të afërmit e tyre do të shprehin shqetësimet, pakënaqësitë e deri te rastet e korrupsionit nëse do të konstatojnë. Sipas drejtorit të saj, "Arben Paralloi", kjo nismë është ndërmarrë me qëllim shmangien e rasteve abuzive kur pacientët apo të afërmit e tyre kanë ankesa ndaj stafit të mjekëve. Kutitë pritet që vendosen brenda muajit dhjetor, në çdo pavijon dhe për të do të përgjigjet një punonjës i stafit, i cili do të bëjë raportimin e problemeve pranë Drejtorisë së Qendrës Spitalore. Deri tani, spitali i Elbasanit nuk ka pasur asnjë rast mjeku të ndaluar për raste korrupsioni, kjo dhe për faktin e mungesës së denoncimeve konkrete apo mungesës së veprimit të strukturave të antikrimit ekonomik. Të paktat denoncime kanë pasur lidhje me pretendimin për mjekim të pakujdesshëm, të cilat janë zgjidhur në favor të stafit mjekësor. Nisma për ankesat në kuti postare pritet të sjellë dhe reagime, por sipas drejtuesve të spitalit është një rrugë për të parandaluar korrupsionin.