E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dimri, bie bora e parë në Korçë

 

KORÇE - Dimër në Korçë. Dje, për herë të parë për këtë sezon, temperatura shënoi nën zero. Ndonëse me reshje të dobëta dëbore, që nuk shkuan më tepër se 5 centimetra në zonat me lartësi mbi 1300 metra, sipas sinoptikanëve të forcave ajrore, temperaturat ranë në mënyrë të ndjeshme. Shtresa më e madhe e dëborës ra në zonat e Dardhës, Voskopojës, në Bigëll të zonës së Prespës dhe rreth pesë centimetra në Qafën e Qarrit, në Vithkuq, në fshatin Voskopojë etj. Temperatura minimale u shënua minus 1 gradë dhe maksimalja plus 5 gradë. Sipas sinoptikanëve, në ditët në vazhdim parashikohet se do të ketë reshje shiu me flokë të lagësht dëbore dhe ulje të temperaturave. Deri tani nga zyra e emergjencave civile në Prefekturë informojnë se moti nuk ka shkaktuar probleme. Drejtoria rajonale e mirëmbajtjes së rrugëve nacionale ka krijuar shtabin e përballimit të emergjencave që mund të diktojë ashpërsimi i motit. Sipas drejtorit të saj Kreshnik Zjani, nga 12 akse të rrugëve nacionale që ka rajoni i Korçës 9 prej tyre mirëmbahen nga firma private të kontraktuara dhe 3 të tjera nga vetë drejtoria. Kështu akset Pogradec - Qafë Thanë, Korçë - Dogana e Goricës, Korçë - Qafa e Qarrit - Ersekë - Leskovik,  Korçë - Dardhë dhe Korçë - Voskopojë mirëmbahen nga firma private dhe në çdo aks qëndrojnë në gatishmëri 1 - 2 borëpastruese dhe një traktor i rëndë. Nga kontrollet e ushtruara rezulton se janë marrë masa për depozitimin e kripës dhe të skorjeve të nevojshme për dimrin që erdhi.                                           j.gj 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›