E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova, 365 ditë me shtetin më të ri në botë

Autori i Lajmit: red.
Një vit pasi Kosova u bë shtet, analistët thonë se ka arsye për të festuar, por nga ana tjetër, vendi vazhdon të përballet me sfida të vështira. Çarls Kupçan, i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, thotë se ka lajme të mira dhe jo shumë të mira. Ai e vlerëson faktin që kalimi tek pavarësia ishte relativisht paqësor: “Unë mendoj gjithashtu se ka filluar të zërë vend një nivel normaliteti, duke pasur parasysh se janë marrë masat që Bashkimi Evropian të luajë një rol më të madh, dhe Kombet e Bashkuara të kenë një rol më të vogël. Po ashtu shumica e vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara e kanë njohur pavarësinë”.
Pavarësi nga 54 shtete
54 vende e kanë njohur deri tani Kosovën. Mes atyre që nuk e kanë njohur, janë disa vende të BE-së. Ndërkohë Rusia që mbështeti Serbinë në kundërshtimin e pavarësisë, nuk duket se do të ndryshojë qëndrim së shpejti. “Kjo do të thotë që vendi do të mbetet me një gjendje të papërcaktuar për disa kohë. Nuk do të ketë një vend në Kombet e Bashkuara, nuk do të gëzojë statusin e sovranitetit të plotë, si vendet e tjera. Kështuqë unë mendoj se koha do ta tregojë nëse pavarësia që Kosova e gëzon tani “de jure” do të marrë një vlerë “de facto” dhe do të njihet nga gjithë bota”, - thotë Kupçan.
Por Pol Uilliams, profesor në Universitetin Amerikan dhe drejtor Ekzekutiv i Grupit për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Politikën Publike, ka një këndvështrim më optimist. Ai shton se populli dhe qeveria e Kosovës kanë bërë një punë të mirë dhe nuk duhet ta shohin veten sikur kanë një status të papërcaktuar: “Është shumë e qartë. Kosova është një vend i pavarur. I plotëson të gjitha kriteret. Është njohur nga një numër i mjaftueshëm shtetesh dhe Kosova duhet të vazhdojë rrugën si vend i pavarur. Mund të mos jetë njohur nga të gjitha vendet, mund të mos jetë anëtare e Kombeve të Bashkuara, por Kosova është shtet dhe ka të gjitha të drejtat dhe detyrimet e një shteti të pavarur”.
Sfida të tjera
Ndërkaq, profesor Uilliams e pranon se ka ende sfida të rëndësishme përpara. Pas një ankese të Serbisë, Kombet e Bashkuara i kanë kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të shprehet nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës përputhet me të drejtën ndërkombëtare. Ndërkohë, sipas shifrave të Bankës Botërore, 45 për qind e popullsisë së Kosovës jeton nën nivelin e varfërisë dhe 15 për qind e tyre jeton në varfëri të skajshme. Martin Sletzinger, drejtor i Studimeve për Evropën Lindore në Qendrën “Vudrov Uilson” në Uashington, thotë se Kosova është një zonë ende e ekspozuar ndaj rrezikut. “Asgjë nuk është zgjidhur nga pavarësia e Kosovës. Neve na duhet të mbajmë forca ndërkombëtare atje, jo vetëm për të mbrojtur pakicat, por në një farë mënyre edhe për të mbrojtur kosovarët nga vetvetja, ashtu si edhe pronat e kishave. E kam thënë shumë herë se ndërsa ata i afrohen pavarësisë së vërtetë, gjë që mendoj se është e pashmangshme, mendoj se kemi nevojë për më shumë trupa në kufij, kështu që çfarëdo të ndodhë në Kosovë të mos prekë Maqedoninë dhe Malin e Zi”, - thotë ai.
Marrëdhëniet mes shumicës shqiptare dhe pakicës serbe në Kosovë pothuajse nuk ekzistojnë. Zoti Kupçan thotë se çështja kryesore për Kosovën në të ardhmen e afërt është përmirësimi i institucioneve të qeverisjes: “Ata duhet të garantojnë mbrojtjen e pakicës serbe dhe të objekteve fetare serbe, që ata serbë që vendosin të rrinë në Kosovë të ndihen mirë, të kenë mundësi punësimi”.
Ballkani kërcënues
Drejtori i Zbulimit Kombëtar Amerikan, Denis Bler, shprehej para disa ditësh në vlerësimin e përvitshëm të rreziqeve ndaj sigurisë, se ngjarjet në Ballkan paraqesin kërcënimin më të madh ndaj sigurisë së Evropës. Ai tha se sfida më e madhe është ajo e statusit të pazgjidhur të pakicës serbe në Kosovë, veçanërisht në veri, si edhe problemet e vazhdueshme etnike në Bosnje-Hercegovinë. Sipas tij, sfida e Beogradit ndaj sovranitetit të Prishtinës ka krijuar një ndarje “de facto” të Kosovës. Profesori Uilliams thotë se frika e ndarjes është reale. “Të lejosh ndarjen e butë të një shteti të ri të pavarur, do të përbënte një precedent të rrezikshëm. Dhe unë mendoj se evropianët dhe amerikanët duhet të angazhohen plotësisht për ta frenuar një gjë të tillë”, - tha Bler.
A është prioritet për SHBA?
Por me problemet që ka aktualisht Amerika, si kriza financiare dhe dy luftëra, Prishtina nuk është në listën e përparësive për Uashingtonin, dhe profesor Uilliams thotë se qeveria e Kosovës duhet të përpiqet për t i angazhuar Shtetet e Bashkuara: “Ata duhet të kenë një strategji, të kenë lidhje dhe energji për të plotësuar atë që vjen pas pavarësisë. Ka akoma shumë arsye për të dëshiruar angazhimin e Shteteve të Bashkuara, si anëtarësimi në OKB, marrëdhëniet tregtare, nevoja për t u kujdesur që evropianët të veprojnë siç duhet. Këto janë role të rëndësishme që duhet të luajë qeveria amerikane”. Por ekspertët shtojnë se Kosova po konkurron për vëmendjen amerikane me një numër vendesh të tjera, që kanë çështje dhe nevoja të ngjashme.

Deri tani
54 shtetet që kanë njohur Pavarësinë
Pavarësia e Kosovës që u shpall më 17 shkurt të vitit të kaluar është njohur deri tani nga 54 vende, nga 192 anëtare të OKB-së.
Më poshtë vijojnë shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Mbretëria e Bashkuar 18 shkurt
Franca 18 shkurt
SHBA 18 shkurt
Turqia 18 shkurt
Shqipëria 18 shkurt
Afganistan 18 shkurt
Kosta - Rika 18 shkurt
Australia 19 shkurt
Senegali 19 shkurt
Letonia 20 shkurt
Gjermania 20 shkurt
Estonia 21 shkurt
Italia 21 shkurt
Danimarka 21 shkurt
Luksemburgu 21 shkurt
Peruja 22 shkurt
Belgjika 24 shkurt
Polonia 26 shkurt
Zvicra 27 shkurt
Austria 28 shkurt
Irlanda 29 shkurt
Suedia 4 mars
Holanda 4 mars
Islanda 5 mars
Sllovenia 5 mars
Finlanda 7 mars
Japonia 18 mars
Kanadaja 18 mars
Monako 19 mars
Hungaria 19 mars
Kroacia 19 mars
Bullgaria 20 mars
Lihtenshtejni 25 mars
Koreja e Jugut 28 mars
Norvegjia 28 mars
Ishujt Marshall 17 prill
Nauru 23 prill
Burkina Faso 24 prill
Lituania 6 maj
San Marino 11 maj
Republika Çeke 21 maj
Liberia 30 maj
Sierra Leone 13 qershor
Kolumbia 6 gusht
Belize 7 gusht
Malta 21 gusht
Samoa 15 shtator
Portugalia 7 tetor
Mali i Zi 9 tetor
Maqedonia 9 tetor
Emiratet e Bashkuara Arabe 14 tetor
Malajzia 14 tetor
Mikronezia 5 dhjetor
Panamaja 16 janar
Ky lajm është publikuar: 17/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›