E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, El Mundo: Zapatero turpëroi Spanjën

Madrid -Vendimi i Spanjës për tërheqjen e ushtarëve nga Kosova ende vijon të ngjallë polemika në shtypin spanjoll. Gazeta e famshme El Mundo në një koment të publikuar, kritikon kryeministrin Hose Luis Zapateron, që sipas gazetës tenton ta bëjë Spanjën qesharake para botës ashtu siç bëri në rastin e Kosovës. “Zapatero duhet të pushojë së vepruari ta nxjerrë Spanjën qesharake para botës, ashtu siç ndodhi me rastin e Kosovës kur Spanja mori vendim të tërheqë nga atje trupat ushtarake në kuadër të NATO-s”, shkruan gazeta spanjolle El Mundo, duke komentuar vendimin e Qeverisë spanjolle për tërheqjen e ushtarëve nga KFOR-i.

Gazeta njofton se pas këtij vendimi të pamatur kryeministri Zapatero i është dashur në fundjavë të bëjë një rrugë të gjatë 22 mijë kilometra, të qëndrojë 32 orë në aeroplan për ta takuar në Kili, ku ndodhej për vizitë, nënpresidentin amerikan Xho Bajden, për t’i dhënë llogari për vendimin spanjoll.

E gjithë kjo rrugë dhe gjithë kjo lodhje për një gjysmë ore takim me nënpresidentin amerikan për t’i kërkuar atij falje për debaklin spanjoll në Kosovë, shkruan El Mundo. Bajden u tregua zemërgjerë duke i thënë Zpateros se SHBA-ja tregonte mirëkuptim për vendimin spanjoll për tërheqjen e ushtarëve nga Kosova.

Mirëpo, shkruan El Mundo, për këtë veprim Spanja dhe kryeministri Zapatero do të marrin faturën e llogarisë më vonë. Llogaria do të vijë me kërkesën për rritjen e numrit të ushtarëve spanjollë në Afganistan dhe rritjes së kontributit financiar për operacionet e Aleancës kundër terrorizmit.

El Mundo përfundon komentin e saj se “politika e jashtme e Zapateros është një debakël. Me veprimin e saj përballë Kosovës Qeveri spanjolle tregoi përsëri se Spanja është nj partner i pa zellshëm i Aleancës”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›