E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, Haga “mbyll dyert” për argumentet shtesë

Gjykata iu dha afat 3 muaj të gjitha palëve të përfshira në këtë proces që të kontestojnë argumentet e paraqitura nga pjesëmarrësit e tjerë.  Mbi 30 vende kanë deponuar qëndrimet e tyre në mbështetje apo në kundërshtim të pavarësisë së Kosovës. Numri më i madh i tyre kanë hedhur poshtë pretendimet e Serbisë se shpallja e pavarësisë ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Argumentet shtesë të Prishtinës që i dorëzohen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë përmbledhur në një dokument prej 150 faqesh, të përgatitur nga përfaqësuesi ligjor i Kosovës, Michael Wood.

Beogradi zyrtar, i cili ka dorëzuar këtë javë në Hagë dokumentet plotësuese në kundërshtim të pavarësisë së Kosovës, beson se do të ketë sukses në kontestimin e argumenteve të paraqitura nga palët që e mbështetin shtetësinë e Kosovës.  Kjo gjykatë pritet që më 1 dhjetor të fillojë seancat dëgjimore për rastin e Kosovës dhe opinioni i saj nuk do të ketë karakter vendimmarrës, por vetëm këshillëdhënës.

Analistët thonë se pavarësisht nga mendimi që do të japë kjo gjykatë, pavarësia e Kosovës është një realitet i kohës dhe ajo nuk mund të zhbëhet. Kosova, shtet i pavarur dhe sovran, është njohur deri tani nga 62 shtete anëtare të OKB-së. /BBC/

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›