E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet “në mal” ish-polici i akuzuar për vrasje në 1997

 

TIRANE – Forcat speciale RENEA arrestuan dje një të kërkuar për vrasje prej 18 vitesh, i cili u ka shpëtuar katër operacioneve të mëparshme për kapjen e tij. Besnik Visha, ish-efektiv policie, ra në pranga dje pasi akuzohet se në vitin 1997 me armën e punës si polic ka vrarë shtetasin Refik Domi në Tiranë. Operacioni i policisë së kryeqytetit dhe i forcave speciale RENEA, i koduar “Darka Jashtë”, është zhvilluar në fshatin Zgur, rreth 60 kilometra larg Tiranës. Ngjarja për të cilën akuzohet Besnik Visha ka ndodhur më 10 prill të vitit 1997, në Institutin Bujqësor të Kamzës. I arrestuari edhe pse mbante uniformën e policisë, ka vrarë me armën e shërbimit për motive të dobëta Refik Domin. Për këtë ngjarje, autori u shpall fajtor dhe u dënua në mungesë në vitin 2001 nga Gjykata e Tiranës me 12 vjet burg. Që nga momenti kur ai realizoi vrasjen, u largua për të jetuar në fshatrat periferike të kryeqytetit, me një terren të thyer ku i fshihej policisë. Pasi kishin marrë në rrugë operative informacionin se Besnik Visha ndodhej në banesë në fshatin Zgur të Tiranës, forcat RENEA dhe oficerët e Komisariatit nr.5 nisën operacionin për kapjen e tij rreth orës 11:00 të ditës së djeshme. Forca të shumta policie arritën të rrethojnë banesën e sajuar të 37-vjeçarit, ku ai jetonte me bashkëshorten dhe me djalin e mitur. Policia ishte informuar se djali nuk ndodhej në shtëpi, por tek dajat e Vishës, në një fshat tjetër pranë shtëpisë së tyre. Duke qenë se i kërkuari i kishte shpëtuar arrestimit 6 herë, duke përfituar edhe nga eksperienca e tij si polic 12 vite më parë, këtë herë forcat speciale janë siguruar mirë për ta arrestuar. Dhjetëra automjete policie dhe një numër mjaft i madh oficerësh policie kanë rrethuar banesën e tij, duke mos i lënë rrugëdalje për t’u arratisur. Por edhe pse i rrethuar nga të katër anët dhe me armët e drejtuar në çdo cep të banesës së tij, Visha nuk është dorëzuar lehtë. Madje herë pas here ka kërcënuar që do hidhte një nga granatat që mbante në shtëpi. Në këto rrethanë është dashur që të nisen për në fshatin Zgur edhe helikopterë të policisë, për të vëzhguar nga ajri çdo lëvizje të tij. Pas dy orësh negocimi i kërkuari ka rënë në prangat e forcave të RENEA-s.     e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›