Me këmbë në tokë

Fitorja e fundit ndaj Bjellorusisë e ka rritur motivin në Kombëtaren e Shqipërisë para ndeshjes së radhës kualifikuese për ‘Euro 2012’ të 7 qershorit ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës.
Me fitore ndaj bjellorusëve, shqiptarët i kanë shtuar gjasat për t’u kualifikuar në Evropian. Andaj, disa nga djelmoshat e Josip Kuzes, por edhe vetë kroati, deri më tani disa herë kanë deklaruar se do të mundohen ta mposhtin si mysafirë edhe Bosnjën e Hercegovinën, për ta bërë edhe një hap tjetër të madh drejt Ukrainës dhe Polonisë.
Pra, në njëfarë mënyre, kuqezinjtë ia kanë vënë vetes objektiv fitoren ndaj boshnjakëve.
Mirëpo, disa lojtarë më me përvojë të reprezentacionit shqiptar, të enjten kanë tentuar ta zbusin këtë objektiv. Ata kanë thënë se në Bosnjë dhe Hercegovinë duhet shkuar me ‘këmbë në tokë’.
Sipas tyre, ekipi shqiptar nuk guxon të ngarkohet shumë psiqikisht me kësi lloj objektivash para një ndeshjeje shumë të vështirë, ndaj një kundërshtari të fortë, siç është ekipi boshnjak, i cili përbëhet me disa lojtarë që kanë emër në Evropë.
“Bosnja do të luajë në fushën e saj dhe nuk duhet ngarkuar ekipi ynë me presionin e fitores”, ka thënë të enjten portieri kosovar i kuqezinjve, Arjan Beqaj.
Njëjtë si Beqaj është shprehur edhe mesfushori tjetër me përvojë, Koldian Duro. “Do ta quaja si ndeshje të radhës dhe jo të mendojmë se është ndeshje përcaktuese. Duhet ta përgatisim me qetësinë e duhur këtë ndeshje”, është shprehur 33-vjeçari, i cili pati shënuar golin e Shqipërisë në ndeshjen e parë të zhvilluar në Tiranë ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës (1:1).
Kuqezinjtë nga e marta e kaluar po stërvitin bashkërisht për sfidën e tyre të radhës që do ta zhvillojnë më 7 qershor në Zenicë, ndaj boshnjakëve.