E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, Tirana dënon sulmin: Sovraniteti i pakthyeshëm

TIRANE- Tirana zyrtare dënon sulmet serbe në Kosovë. Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi dhe kryeministri Sali Berisha kanë dënuar sot sulmet përgjatë dy ditëve në territorin e Republikës së Kosovës, vrasjen e policit të policisë speciale dhe djegien e pikës doganore, akte këto të kryera nga grupe kriminale serbe, sic thanë krerët e shtetit. Topi: Ndjek me shqetësim situatën në veri të Kosovës. Aktet e njëanshme të dhunës të panevojshme. Të vazhdojë dialogu Prishtinë-Beograd. Berisha: Dënojmë aktet kriminale në kufi. Prapa tyre, fantazma e Serbisë së Madhe, rrezikon paqen në rajon. Kosova e Serbia të ulin tensionet.

TOPI: MBESHTESIM KOSOVEN SULMET TE NJEANESHME
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi deklaron se po ndjek me shqetësim situatën në veri të Kosovës rritjen e tensionit dhe aktet e dhunës, me pasojë humbjen e jetës së anëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi.

Presidenti i shpreh ngushëllime familjes së policit të vrarë ndërsa i quan aktet e dhunës së serbëve, të njëanshme dhe të panevojshme.

“Presidenti Topi vlerëson se Kosova është tashmë një realitet i njohur botërisht dhe sovraniteti i saj është i pakthyeshëm e i paprekshëm. Ai dënon aktet e njëanshme të dhunës duke i konsideruar ato krejtësisht të panevojshme dhe beson shumë tek institucionet legjitime të Kosovës për rikthim të normalitetit afatgjatë.”- nënvizohet në deklaratën e presidentit të bërë publike nga zyra e shtypit e këtij institucioni.

Më tej në deklaratë thuht se Presidenti i Republikës mbështet dhe inkurajon vazhdimin e dialogut institucional të iniciuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit, “duke e vlerësuar atë si rruga më e mirë për zgjidhjen e problematikave reciproke, si dhe dhënien e kontributit konkret për forcimin e paqes e stabilitetit në përputhje me aspiratat e të gjithë rajonit për integrimin e plotë euroatlantik.”

Dy ditë pas vënies në kontroll të 2 pikave kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë, në veri të Kosovës nga forcat speciale të policisë, situata në veri vazhdon të përkeqësohet. Grupe ekstremistësh serbë kanë sulmuar mbrëmjen e djeshme pikën doganore nr.1 në Jarinjë duke i vënë asaj flakën, ndërkohë që kanë hedhur mjete të forta në drejtim të policëve të KFOR-it. Nuk ka munguar revolta e serbëve edhe në pikën doganore 31 në Bërnjak, ku kanë djegur objektet përreth saj.

BERISHA: DËNOJ SULMET E FINANCUARA NGA SERBIA
Edhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dënoi sot gjatë një konference për shtyp sulmet serbe në veri të Kosovës. Kreu i ekzekutivit tha se mbështet plotësisht veprimet e qeverisë dhe policisë së Kosovës për të vendosur kontroll në territorin e tyre, ndërsa deklaroi se prapa këtyre sulmeve qendrojnë qarqet nacionaliste serbe, të cilat po rrezikojnë seriozisht paqen në rajon.

“Duke mbështetur plotësisht të drejtën dhe vendimet e qeverisë së Kosovës për garantimin e rendit kushtetues, integritetit dhe kontrollit të plotë të territorit të saj qeveria e Shqipërisë dënon aktet kriminale të falangave serbomëedha në veri të Kosovës, vrasjen e policit, djegien e doganës në veri dhe sulmet ndaj KFORI-t, të gjtiha këto të paguara nga qarqe ultranacionaliste në Beograd. Flakët e zjarrit dhe tyvmi në këto ndërtesa, vrasja e policit, sulmi ndaj KFOR-it dëshmojnë qartë se fantazma e Serbisë së madhe paraqet rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha kryeministri Berisha.

Duke mbështetur qeverinë e Kosovës dhe vendimin e saj për t’i vendosur embargo mallrave serbe, Berisha nënvizoi se vendimi për embargo ishte i detyruar nga Serbia.
"Qeveria shqiptare mbështet qeverinë dhe popullin e Kosovës. Qeveria shqiptare është për lëvizjen e mallrave dhe kundër cdo lloj embargoje, por mbështesim Kosovën për të vënë në zbatim reciproritetin me Serbinë, si vendim i imponuar nga Serbia”, tha Berisha.

Kryeministri Berisha gjithashtu i bëri thirrje Serbisë e Kosovës të ulin tensionin dhe të marrin masa për rifillimin e dialogur.
“Të marrin të gjitha masat për uljen e tensionit dhe t’I rikthehen dialogut me ndërmjetësimin e Brukselit, kjo në të mirë të vendeve të tyre, por edhe për paqen e stabilitetin në rajon”, shtoi ai.

RAMA: SULMET VEPËR E EKSTREMISTËVE
 Lidhur me situatën e tensionuar në veri të Kosovës, ka reaguar sot edhe kreu i partisë socialiste, Edi Rama. Në një deklaratë të shpërndarë për median, partia me e madhe opozitare në vend, deklaron se opozita dënon aktet vandale në Kosovë .

“Dënojmë aktet të papranueshme dhe të patolerueshme, aktet vandaliste dhe kriminale, vepër e individëve dhe grupeve ekstremiste që u ka mbetur ora në një kohë dhe një ideologji për të cilën nuk ka më vend në Europën e vlerave, demokracisë dhe tolerancës, ku synon të integrohet i gjithë rajoni”,- thekson rama.

Lideri i PS, shprehet se mbeshtet plotësisht qëndrimin e njëzëshëm të të gjithë aktorëve politikë në Kosovë në lidhje me dhunën e ushtruar në Veriun e Kosovës.

‘Pavarësia e Kosovës është tashmë një realitet i pamohueshëm i njohur në mënyrë ligjore nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës janë të paprekshme dhe të pacenueshme në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, prandaj është një e drejtë sovrane dhe e pamohueshme e qeverisë së Kosovës, e autoriteteve dhe institucioneve kosovare që të ushtrojnë autoritetin e tyre kushtetues e ligjor në mbarë territorin e vendit për rivendosjen e rendit publik dhe normalitetit të qëndrueshëm demokratik’,- nënvizon në kreu i PS.

Ndërsa shpreh dhimbjen për humbjen e jetës së efektivit të njësisë speciale të policisë së Kosovës, Rama thekson përmes kësaj deklarate se “Perspektiva e integrimit euro-atlantik dhe zgjidhja e çështjeve me interes te ndërsjellë Serbi-Kosove përmes dialogut dhe bashkëpunimit mbetet rruga e vetme që i shërben forcimit të paqes, prosperitetit, demokracisë dhe stabilitetit në rajon”.
(s.g/m.a/e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›