E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, aide-memoire për ndërkombëtarët

(Vijon nga numri i djeshëm)

Plani i z. Moon është në kundërshtim me Planin e Presidentit Ahtisari, edhe ky përfaqësues i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Plani i Ahtisarit, i cili në vetvete përfshinte kompromisin më të madh që mund t’u kërkohej shqiptarëve, për faktin se i njeh minoritetit serb një kuadër të drejtash shumë herë më të larta se disafishi i standardeve më të plota ndërkombëtare për të drejtat e minoriteteve. Thelbi i këtij plani, pra kompromisi që buronte prej tij, ishte pavarësi për shumicën dhe super mbrojtje për pakicën. Ky plan përbënte kalin e luftës së faktorit ndërkombëtar, të SHBA-së dhe BE-së. Sipas këtij plani, parashikohej largimi gradual i misionit të OKB-së, UNMIK-ut dhe zëvendësimi brenda një periudhe kalimtare nga misioni EULEX. Mbi këtë plan u bazua edhe Vendimi i Këshillit të Ministrave të BE-së për dërgimin e këtij misioni. Plani “Moon”, në të kundërt, parashikon vazhdimin e UNMIK-ut në enklavat serbe. Ka edhe më. Plani “Moon”, me përmbajtjen e tij, të cilën e parashtruam më lart, është në kundërshtim të hapur me parimin e shoqërisë multietnike, që përbënte bazën e kërkesave të komunitetit ndërkombëtar, por edhe të shoqërisë dhe qytetarëve të Kosovës. Nuk mund të ketë shoqëri multietnike, në një shoqëri, brenda së cilës, nëpërmjet ndarjesh të tilla të funksioneve kaq të rëndësishme si drejtësia, policia, doganat, krijohen veç enklava të pastra etnike. Të pranosh një plan të tillë është njësoj si të pranosh se shoqëria etnike në Kosovë, por dhe më gjerë, në rajon është veç një ëndërr e bukur vere.

Po ka edhe më. Një plan i tillë është në kundërshtim me proceset integruese dhe frymën e tyre në rajon. Por si mund të integrohemi në Evropë dhe nga ana tjetër të dezintegrohemi kaq thellë, deri në qelizë, sikurse po propozohet.

Por plani është, gjithashtu, në përmbajtjen e tij jo në përputhje me vetë realitetin juridiko-kushtetues në Republikën e Kosovës. Si mund të kërkohet të zbatohet një plan, që në pikat e tij “nuk e ka marrë vesh” akoma se Kosova është tashmë një shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht nga më shumë se 50 shtete, që ka një kushtetutë që parashikon ndërtimin dhe strukturën përkatëse të organizimit politiko-kushtetues, që ka një parlament të zgjedhur dhe një qeveri legjitime.

Ka padyshim edhe më. Për çudinë e të gjithëve, plani iz. Moon thuhet se është negociuar. Por, për habinë tonë, ai është negociuar me Qeverinë e Beogradit. E qartë se Kosova nuk është akoma vend anëtar i OKB-së, por tëmos harrojmë një gjë që është e rëndësishme: Mosanëtarsimi në OKB, nuk të pengon të jesh shtet i pavarur në arenën ndërkombëtare. Historia njeh edhe shtete që kanë kaluar në një situatë të tillë dhe shtete gjigante madje. Por, nëse zoti Moon vepron në këtë mënyrë, deri diku mund të kuptohet, por si mund të kuptohet që shtete, të cilat kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe tashmë kanë akredituar ambasadorët e tyre në Prishtinë, pranojnë një plan të tillë të panegociuar me qeverinë e këtij vendi dhe, më keq akoma, të mendojnë t’ia imponojnë asaj. Por përse t’i imponohet Kosovës ky plan? A nuk iu imponuan atyre gjithfarë kushtesh që pas 99-s. A nuk iu kërkua dhe imponua, të negocionin me vrasësit e tyre, menjëherë pas 99-s, kur varret ishin akoma të pambuluara mirë dhe kur me qindra të zhdukur nuk dihet dhe sot e kësaj dite ku janë? A nuk iu imponua të negocionin me vrasës, të cilët akoma sot e kësaj dite nuk kanë kërkuar falje? A nuk iu kërkua dhe imponua të pranonin pa kushte planin e Ahtisarit që, pa mëdyshje, mund të konsiderohet një kompromis i jashtëzakonshëm? A nuk iu kërkua të negocionin e të rinegocionin këtë plan e të tjerë si ai? Model i urtësisë dhe luajalitetit, ata pranuan të gjitha këto kërkesa të komunitetit ndërkombëtar. A është sot e pamundur të dallosh zellin e tyre sot, me fjalë e vepra, për të bindur pakicën serbe për bashkëjetesë paqësore midis tyre? Dhe si të mos mjaftojë kjo, negociohet me Serbinë dhe mendohet t’iu imponohen shqiptarëve. Por si mund të negociohet me Beogradin, apo me çfarëdo shteti tjetër, territori dhe organizimi i një shteti të pavarur. Mos duhet të mendojmë për një të ardhme që do të na rezervojë gjithmonë e më tej të tilla negociata në Ballkan? Fjala vjen, të Komunitetit Ndërkombëtar me qeverinë e Prishtinës lidhur me statusin juridiko-kushtetues të Preshevës, Bujanovcit e Medvegjes?

Plani i z. Moon është ndoshta një plan i nisur me qëllime të mira. Pra, për të bërë të mundur vendosjen e EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës. Por, ai ka një defekt të madh që nga lindja, e që mund ta bëjë atë të aftë të rregullojë një gjë shumë herë më të vogël se shkatërrimi i së tërës.

Në kundërshtim me parimet e mbrojtura deri tani, i negociuar me qeverinë e gabuar, ai rrezikon të sjellë në Kosovë, por edhe më gjerë në rajon, një pështjellim të jashtëzakonshëm. Ky plan, ndoshta nuk synon të ndajë Kosovën, por nuk ka betim në botë që mund të bindë edhe juristin më mediokër, se ai nuk çon në ndarje të territorit të saj, duke qenë edhe në kundërshtim me një nga Jo-të e njohura të Grupit të Kontaktit. Veriu i Kosovës është i ndarë de facto. Shqiptarët aty e kanë të pamundur, sot e kësaj dite, tëndërtojnë qoftë edhe një ujësjellës të thjeshtë. Ky plan veçse ligjëron ndarjen. Duke legalizuar në të njëjtën kohë, fillimin e një periudhe krejt të paqartë, jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin tonë. Në të vërtetë, është pikërisht ky plan ai që rrezikon krijimin e precedentit Kosovë, ndryshe nga pavarësia e cila, siç u verifikua gjatë gjithë kësaj kohe, nuk prodhoi veç paqe dhe stabilitet. Ndaj, vula që do të vulosë këtë plan le të mbetet e njomë atëherë: Ballkani i ka me shumicë, situata të ngjashme.

Por nuk mbaron me kaq. Mbi të gjitha, plani jep një mesazh të gabuar atyre popujve të Ballkanit, që të etur për një jetë më të mirë, kanë lënë mënjanë urrejtjet dhe nacionalizmat e egër të së kaluarës, pa varrosur ende të vrarët e të masakruarit dhe kanë përqafuar idetë dhe idealet e lirisë, demokracisë, bashkëpunimit dhe integrimit, ideale për të cilët Evropa dhe SHBA-ja kanë investuar aq shumë. Pikërisht, atëherë kur nuk pritej dhe nuk meritohej kurrë, më shumë se të vlerësonte këto përpjekje, planinë fjalë është një goditje fatale dhe e padrejtë ndaj tyre. Duke u dhënëmesazhin më të gabuar se kurrë; se gjëja më e rëndësishme në Ballkan, vazhdon të mbetet territori dhe jo bashkëjetesa, nacionalizmi mbi integrimin, politikat e mbrapshta të së kaluarës mbi të ardhmen integruese të shoqërive multietnike.

EULEX-i është padyshim jetik për Kosovën, të ardhmen e saj dhe të shoqërisë në përgjithësi. Është gjithashtu jetike që ai të shtrihet në të gjithë territorin e saj. Por presioni për të pranuar një gjë të tillë, nuk u duhet bërë atyre që e pranojnë dhe mezi e presin këtë shtrirje dhe që janë në fakt, më të interesuarit. Presioni nuk i duhet bërë një qeverie legjitime e një shteti të pavarur si Kosova, të njohur nga shtetet më të mëdha demokratike të botës. Nuk i duhet bërë një qeverie e një populli, që si rrallë në historinë e botës, pranuan dhe njohën superstandardet e një pakice, e cila deri dje, nuk i lejonte shumicës së sotme, as të drejtën e jetës. Dhe kjo vetëm pak vite më parë. Dhe më në fund, nuk mund t’i bësh presion një qeverie dhe populli, kampion të kompromiseve aq të mëdha, të pranojnë planin e përgatitur, nga qeveria e një shteti, i cili deri dje nuk mendonte veç t’i zhdukte nga faqja e dheut.

Pavarësia e Kosovës solli paqe e stabilitet në Ballkan dhe kjo tashmë është pranuar nga të gjithë. Edhe Serbia vetë, nuk ka ç’të thotë më në këtë drejtim. Ndaj, kjo pavarësi dhe të gjitha pasojat që ajo bart për popullin e Kosovës, duhet mbrojtur me çdo kusht, sidomos nga Komuniteti Ndërkombëtar. Por, kjo nuk mund të realizohet, duke i imponuar qeverisë së Kosovës, një plan të çuditshëm, shprehje dhe produkt i një kompromisi absurd, midis një misioni aq përparimtar, që synon mbrojtjen e qytetarëve si EULEX-i, me interesat aq të shëmtuara e jashtëkohe për territore, të një shteti si Serbia.

Është kjo e fundit, e cila, duhet të ndihmohet të tërhiqet. Të tërhiqet një herë e përgjithmonë, nga mbajtja peng e stabilitetit dhe paqes në rajonin tonë, si e vetmja shkaktare e të gjitha luftërave gjakatare që s’kuqën fundin e shekullit të kaluar. Të tërhiqet nga idealet e një bote të shëmtuar, që ne besojmë se nuk është më, që nuk duhet më të ringjallet mes nesh. Të tërhiqet më së fundi, gjithashtu, nga përdorimi, për interesa të errëta, të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Duke i lënë kështu më së fundi, të lirë serbët e këtij vendi, të ndjehen të sigurt e të lumtur, bashkë me fqinjët e tyre shekullorë, shqiptarët, në një Kosovë shtet sovran e të pavarur, një herë e përgjithmonë. Dhe në këtë kuptim, nëse ka një shtet a qeveri që duhet detyruar, kjo është një dhe vetëm një; Serbia, ky burim i fundit i nacionalizmit, vendi i vetëm në Evropë, ku e shkuara, vazhdon sot e kësaj dite, të jetohet lumturisht, si e ardhme.

Ndryshe, dhe le të na jetë historia e ardhshme dëshmitare; jo vetëm Kosova, por dhe Ballkani i tërë, do të pështjellohet dhe ndërlikohet keq. Aq keq, sa nuk do të mjaftojnë më, as plane 600 pikësh, për ta zgjidhur…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›