Bakojanis: “Kosova mund të hapë zyrë ndërlidhjeje në Athinë”
Ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis, është shprehur se Kosova mund të hapë një zyrë ndërlidhjeje në Athinë, në modelin e zyrës homologe greke që funksionon prej shumë vitesh në Prishtinë.
Bakojanis pohoi se Greqia për momentin nuk e ka njohur Kosovën. “Prishtina nuk ka kërkuar hapjen e një zyre ndërlidhëse në Athinë. Nëse bëhet një kërkesë e tillë, ne në bazë të reciprocitetit, nuk kemi asnjë problem që ta pranojmë”, - tha Bakojanis. Duke iu referuar vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe që i kanë shndërruar në ambasada zyrat e tyre ndërlidhëse në Prishtinë, zonja Bakojanis tha se që, të bëjë Greqia një shndërrim të tillë, duhet më parë të ekzistojë njohja e pavarësisë që në këtë moment nuk ekziston. Analistë vendas e interpretojnë këtë theksim të zonjës Bakojanis, si dhe gatishmërinë për hapjen e zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Athinë, si një tatim të kujdesshëm pulsi që ka në horizont njohjen eventuale të pavarësisë.
Maqedoni, BDI-ja ka mundësitë më të mëdha për qeverinë me Gruevskin
Zyrtarë të partisë qeverisëse maqedonase, VRMO-DPMNE kanë bërë të ditur se partia që ka më shumë shanse për të hyrë në koalicionin qeverisës është partia opozitare Bashkimi Demokratik për Integrim e Ali Ahmetit. “Partia Demokratike Shqiptare ka qenë gjithnjë partnere tradicionale e VMRO DPMNE-së", - theksuan zyrtarët për gazetën “Dnevnik”. “Por askush nuk mund të injorojë diferencën në postet parlamentare të BDI-së nga ato të PDSH-së dhe faktin se lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi ka një temperament të keq, gjë që e bën të vështirë bashkëpunimin”, - theksuan ata. Partisë VMRO DPMNE, që ka 63 poste në parlamentin prej 120 vendesh, i duhet të zgjedhë tashmë mes dy partive etnike shqiptare partneren e ardhshme të koalicionit qeveritar. BDI-ja ka 18 vende në parlament, ndërsa PDSH-ja vetëm 11. Pas zgjedhjeve të vitit 2006, BDI-ja fitoi më shumë vende në parlament, por VMRO-DPMNE-ja ftoi në qeveri PDSH-në. Kjo e nxiti liderin e BDI-së të shkaktonte një krizë politike në vend, duke bojkotuar parlamentin për muaj me radhë.
Dështon synimi i Rykerit për vazhdimin e mandateve në komunat serbe
Shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker, ka dështuar në synimin e tij për të bindur kreun e OKB-së për vazhdimin e mandatit të kryetarëve të komunave të Kosovës të banuara me shumicë serbe edhe për tre muaj. E përditshmja “Zëri”, duke cituar burime diplomatike perëndimore, ka shkruar se Ryker nuk ka hasur në mirëkuptim dhe në përkrahje në Nju Jork për zgjatjen e mandatit të kryetarëve të këtyre komunave. “Zëri” shkruan se Ryker dhe UNMIK-u kanë marrë rekomandime nga selia e OKB-së në Nju Jork që të mos merren fare me këtë çështje. Shefi në largim i UNMIK-ut kohë më parë i ka informuar përfaqësuesit e shteteve të Grupit të Kontaktit që në pajtim me qëndrimin e njohur të kundërshtimit të organizimit të zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, se ai ka vendosur që t’ua vazhdojë mandatin për tre muaj zyrtarëve lokalë serbë nëpër komunat ku janë shumicë.
Beograd, dhjetëra vite burg për “Beretat e Kuqe”
Gjykata e Lartë e Serbisë ka dhënë dje dënimet për 12 të akuzuar me gjithsej 257 vjet e dhjetë muaj, pasi u shpallen fajtorë të vrasjes së katër funksionarëve të Lëvizjes së Ripërtëritjes Serbe (SPO) dhe tentativën për vrasjen e kryetarit të kësaj partie, Vuk Drashkoviç në rrugën e Ibrit, afër Beogradit, në tetor të vitit 1999. I akuzuari i parë, ish-komandanti i Njësive për Operacione Speciale të njohura si “Beretat e kuqe”, Milorad Ulemek Legija është dënuar me 40 vjet burg, ndërsa pjesëtari tjetër i kësaj njësive, Nenad Iliç, që ka qenë drejtues i kamionit me të cilin po udhëtonin, është dënuar po ashtu me 40 vjet burg. Për të tretën herë brenda 4 vjetëve, Legija po dënohet me 40 vjet burg. Ndihmësi i Legisë, Dushan Mariçiç Gumar është dënuar me 30 vjet, Nenad Bujoshviç me 35 vjet, Branko Berçek me 40 vjet dhe Leonid Milivojevic me 30 vjet. Me 40 vjet burg është dënuar edhe ish shefi i Shërbimit të Sigurimit të Shtetit dhe bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit Sllobodan Milosheviç, Radomir Markoviç.
20 Qershor 2008