E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova dhe Serbia përballen në KS, Hyseni: “UNMIK-u të largohet!”



Blerina Olldashi
Përplasja e radhës mes Kosovës dhe Serbisë është bërë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, ku Ministri kosovar i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni replikoi ashpër me ministrin e jashtëm serb Vuk Jeremiç. Sipas diplomatit serb, mbi 200 mijë serbë ende nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre, ndërsa vitin e kaluar u kthyen vetëm 500 dhe ky përbën një problem serioz për Kosovën dhe marrëdhëniet me pakicat. Jeremic theksoi si një ndër faktet më të rëndësishme se nga të zhvendosurit serbë janë bërë më tepër se 40 mijë kërkesa për kthimin e pronave të uzurpuara ilegalisht dhe ata nuk kanë marrë përgjigje. Ndaj këtyre akuzave reagoi menjëherë ministri Hyseni i cili tha se përfaqësuesi i Serbisë po “fantazonte” lidhur me shifrat dhe faktet e paraqitura. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ministri i Jashtëm i Kosovës tha se në fakt Serbia e pengon vetë kthimin e të zhvendosurve serbë në Kosovë për t’i treguar bashkësisë ndërkombëtare se Kosova nuk po i kryen detyrimet e saj. “Kjo bëhet në mënyrë sistematike” nga Serbia, tha ministri i Jashtëm Hyseni. Sipas Hysenit, Kosova është e angazhuar për kthimin e çdo personi të zhvendosur dhe se të gjitha pretendimet për prona do të marrin përgjigje. Ndërkaq Zëvendësambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Rozmari DiKarlo i bëri thirrje qeverisë së Kosovës të shpejtojë kthimin e të zhvendosurve. “Është lajm pozitiv se ritmet e kthimit të serbëve në Kosovë janë shtuar, por ende janë në nivele të papranueshme”,- tha DiKarlo. Ajo mirëpriti deklaratën e Kryeministrit Hashim Thaçi, i cili ka shprehur mirëseardhje për të gjithë serbët të cilët duan të kthehen në Kosovë. Arritje për Kosovën u konsiderua anëtarësimi në Fondin Monetar Ndërkombëtar i cili pritet ta ndihmojë shtetin e ri për stabilitetin dhe sigurinë e gjithë qytetarëve të saj. DiKarlo kritikoi Beogradin duke thënë se për fat të keq, autoritetet serbe vazhdojnë të bllokojnë hyrjen e mallrave në Kosovë. Jeremiç i tha më tej Këshillit të Sigurimit se prania e UNMIK-ut duhet të vazhdojë dhe buxheti i tij të mos shkurtohet. Ministri Hyseni tha se me vendosjen e pranisë së misionit europian EULEX në Kosovë, UNMIK-u e ka kryer rolin e tij. Raporti mbi Kosovën vazhdoi më pas edhe me fjalën e të dërguarit të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Lamberto Zanieri, i cili deklaroi se Kosova dhe Serbia po i pengojnë përpjekjet për pajtim, për shkak të llogaritjeve lidhur me ndikimin që mund të ketë vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Zanieri tha se aftësia e Kombeve të Bashkuara për të promovuar zgjidhje “neutrale” për probleme praktike, “për fat të keq” është ndikuar nga pozicionet e Kosovës dhe të Serbisë nga parashikimet për opinionin e kësaj gjykate.

19 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›