E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova dhe Shërbimi sekret serb

Kosovës gjatë dekadave të fundit shpeshherë i është kërcënuar siguria dhe ky kërcenim pothuajse gjithmonë ka ardhur nga Serbia, më konkretisht nga shërbimet sekrete të këtij vendi. Për të paraqitur veprimtarinë e këtyre shërbimeve kundër Kosovës, autori Faton Mehmetaj ka shkruar një libër, i cili, së bashku me librin tjetër të tij “Kosova dhe sfidat e sigurisë” u promovuan në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare.

“Veprimtaria e shërbimeve sekrete serbe kundër Kosovës”, i botuar nga shtëpia botuese ‘Anatema’, është vazhdim i punës dhe kërkimeve sistematike për ndriçimin e fakteve historike të nisura që nga librat e tij të mëhershëm, e në mënyrë të veçantë, nga libri “Veprimtaria kriminale e “Dorës së Zezë” serbe në trojet shqiptare” (2004), e deri te ai “Kosova dhe sfidat e sigurisë” (2009).

Autori ka sjellë fakte tronditëse rreth veprimtarisë kriminale të organizatave të ndryshme serbe kundër Kosovës, që nga Lufta e Dytë Botërore, e deri më sot.

Duke folur për këtë libër, studiuesi dhe profesori Gjon Boriçi theksoi se “ne shqiptarët, duke qenë një nga kombet më të vjetra të Evropës dhe botës, duhet të kemi parasysh se është pikërisht kjo meritë e madhe e jona që dimë të falim, por ama nuk dimë të harrojmë, sepse një popull që harron të kaluarën e vet, harron vuajtjet e veta, nuk e meriton të jetë shtet”. Sipas tij, Kosova e tregoi më së miri këtë, ajo diti të falë, nuk diti të harrojë dhe sot e kemi shtet.

Sfidat e sigurisë, tha ai, nuk janë më sfida rajonale, as shtetërore por janë globale. “Duke qenë se sfidat janë globale, neve duhet të kemi parasysh që kur merremi me fenomene të tilla, fenomeni kryesor që duhet të kemi parasysh është fenomeni i arsimimit. Sa më shumë njerëz të arsimuar të kemi, sa më shumë njerëz të ditur, sa më shumë njerëz të mençur aq më të sigurt do të jemi, sepse vet natyra njerëzore e ka treguar se një njeri sado i keq të jetë, po të jetë i arsimuar i njëjti do të njihet edhe përmbajtës. Dhe duke qenë se i njëjti njihet edhe vetëpërmbajtës siguria ka të bëjë pikërisht me këtë, sepse vet dituria sjell atë që quhet zhvillim dhe zhvillimi sjell ekonomi dhe ekonomia sjell stabilitet”, tha Boriçi. Një nga gjërat që atij i ka bërë shumë përshtypje, duke lexuar faqet e librit, është se Serbia është përpjekur shumë dhe, siç u shpreh ai, deri në njëfarë shkalle ia ka dalë mbanë, dhe kjo për meritën e tyre dhe fatkeqësinë tonë, se ka mbajtur afër njerëzit më të ditur dhe më të kulturuar.

I pranishëm në këtë promovim ishte edhe miku i shqiptarëve William Walker. Ai tregoi se një prej arsyeve që ka ardhur në Kosovë është edhe një libër tjetër që do të botohet kah fundi i muajit dhe tha se është shumë i kënaqur që njerëzit që i kanë përjetuar ngjarjet e Kosovës tashmë kanë filluar të shkruajnë libra.

“Më vjen mirë që kemi një studiues këtu dhe një akademik që kanë bërë një vepër të rëndësishme akademike për t’i treguar botës disa prej gjërave që kanë ndodhur këtu para disa viteve dhe që shpresojmë të mos ndodhin më kurrë në këtë vend dhe askund tjetër”, theksoi Walker.

Duke folur më shumë për luftën në Kosovë dhe për kombin sesa për vet librat që u promovuan, Megjaid Reçi, rektor i Universitetit Iliria, tha se kur ka në kuadër të universitetit studentë njerëz të dijës, njerëz të pushkës, njerëz të kombit vërtet ndihet krenar.

Ndërkaq, Adem Demaçi, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe ish i burgosur politik, tha se nuk ka qenë nëpër shkollat e sigurimit, por ka qenë gati 30 vjet në objekt të sigurimit të Serbisë. “Duke më studiuar ata mua kam pasur rastin t’i studioj edhe unë ata”, tha Demaçi. Ai shtoi se Sigurimi i Serbisë është pjellë e një shkolle me kontinuitet. Sipas tij, edhe pse Serbia është shtet i vogël, provat e kanë treguar se ka një sigurim shumë të organizuar. “Njerëzit më të mirë, më mendjehollë, më të përkushtuar kanë qenë në sigurim. Kurse ne nuk bëjmë këso farë zgjedhjesh, ne i qojmë në sigurim dajën, nipin, jaranin etj., prandaj hajnat po bëjnë harabë në Kosovë, se sigurimi nuk po funksionon kurrsesi”, tha Demaçi.

Ai më pas, duke e lavdëruar Zotin Walker, fjalën e tij e sheqerosi me një dozë paksa antiamerikane. Duke shprehur dëshirën që gjithë amerikanët që vijnë në Kosovë dhe gjithë amerikanët që merren me punën e Kosovës të jenë si Zoti Walker, Demaçi tha se fatkeqësisht kjo nuk po na ndodh. “Ne Amerikën e duam jashtëzakonisht shumë dhe gjysma e kosovarëve jemi të gatshëm të vdesim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mirëpo, ne kemi pasur probleme me amerikanët. Ka pas ardhur një Zoti Gelbard që donte të na ndërronte njëfarë autonomie kështu si shpejt e shpejt dhe i cili na ka nxjerrë telashe. Kur ai dështoi, erdhi Zoti Holbruk, i cili gjithashtu donte të na impononte një autonomi, deshi të na formonte njëfarë qeverie kuislinge këtu në Kosovë dhe shkonte të bisedonte me Milutinoviqin atje të merrej vesh për një autonomi, dmth. nuk ka gjithçka që vjen nga Amerika që është pa shibla dhe që është ashtu si duhet”, tha Demaçi. Ai i porositi të pranishmit që ta duam Amerikën, por le ta shikojmë çdo amerikan që vjen këtu të ne çfarë do dhe çfarë kërkon.

Ndërkaq, ish kryeministri i Kosovës Agim Çeku tha se Fatoni vazhdon të kontribuojë në një fushë që është kruciale për kombin tonë, për vendin tonë dhe një fushë e cila ende nuk është e realizuar, e ajo është fusha e sigurisë.

“Kam pasur rastin të bashkëpunoj me Fatonin edhe gjatë luftës edhe pas luftës dhe gjithmonë më ka lënë përshtypje sensi i tij për t’i vlerësuar drejt sfidat e sigurisë, sensi i tij për t’i gozhduar veprimet e kundërshtarëve, armiqve tanë dhe këshillat e tij për ndërmarrjen e veprimeve apo kundërveprimeve ndaj tyre”, tha Çeku.
Në fund, duke i falënderuar të pranishmit për pjesëmarrje, autori i librave tha se privilegji më i madh për një autor është kur librat e tij lexohen dhe çmohen nga studiues të ndryshëm.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›