Kosova dhe bota myslimane
Bota islamike, një term që unë e përdor me kujdes dhe rezerva, është ndarë edhe njëherë rreth një çështjeje që duhet konsideruar mjaftë “islamike” për të merituar mbështetjen e saj unanime. Ajo është kauza e Kosovës në Kombet e Bashkuara.
Për ironi, me më shumë se 90 për qind popullatë myslimane, Kosova deri më tash është njohur si shtet i pavarur kryesisht nga shtetet evropiane dhe vetëm nga një dorë shtetesh islamike. Është për t’u habitur se si një shtet i vockël në Pacifik, Samoa, me rreth 215,000 banorë, njohu Kosovën, ndërsa ajo nuk është njohur nga Indonezia, e cila, me 230 milionë banorë, është vendi më i populluar me shumicë myslimane. Diçka e ngjashme po ndodh këto ditë në sesionin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të KB.
Asambleja prej 192 anëtarësh, shumë prej tyre me shumicë myslimane dhe shtete anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike (OIC), aprovoi një rekomandim të komitetit të saj të përgjithshëm për të futur në axhendë kërkesën e Serbisë për një opinion këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), nëse deklarimi i njëanshëm i pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Të gjitha shteteve anëtare të KB do t'u kërkohet të votojnë për hapin serb. Vetëm një shumicë e thjeshtë nevojitet që rasti të përcillet në Hagë.
Edhe Serbia, edhe Kosova kanë filluar një betejë diplomatike në selinë e KB. Presidentët, Boris Tadiç dhe Fatmir Sejdiu, ishin atje. Tadiç shikonte për mbështetjen e KB për iniciativën serbe për të sfiduar pavarësinë e Kosovës përpara ICJ dhe Sejdiu po mbron pavarësinë e shtetit të tij dhe po provon të fitojë më shumë njohje. SHBA veç e ka distancuar veten nga vendimi i Asamblesë. Shtetet e tjera perëndimore që e mbështesin pavarësinë e Kosovës po përpiqen të ndalin propozimin serb për të kaluar në Asamblenë e Përgjithshme. Nëse dështojnë, ky do të jetë një rezultat jo vetëm për Rusinë, por gjithashtu për shumë shtete afrikane, aziatike dhe arabe që ende e kundërshtojnë ose hezitojnë, për arsye të ndryshme, të njohin pavarësinë e Kosovës.
Liderët serbë përdorin historinë
Lufta diplomatike e Serbisë është e orientuar veçanërisht në shtete të tilla, shumica e të cilave janë anëtarë të Lidhjes së të Pa-Inkuadruarve dhe Konferencës Islamike. Liderët serbë dhe diplomatët po shfrytëzojnë me zgjuarsi polemikat e ndërlidhura me rastin e Kosovës dhe veçanërisht faktorin e “precedentit” - se pavarësia e Kosovës mund të aplikohet në lëvizjet separatiste në shumë shtete të tjera, veçanërisht pas konfliktit të vonë në Gjeorgji. Serbia me shkathtësi përdor ndjenjat e shumë shteteve aziatike dhe afrikane për ish-Jugosllavinë dhe presidentin e saj, Josip Broz Tito, sikurse edhe injorancën e shumë shteteve të ashtuquajtura të Botës së Tretë rreth zhvillimeve në Ballkan pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç, ka vizituar Kajron dy javë më parë, duke kërkuar ndihmë nga Liga Arabe për tentimet për ta nxjerrë Kosovën para KB dhe duke u munduar të parandalojë njohjen e Kosovës nga disa shtete arabe. Në fjalimin e tij në konferencën ministrore të Lëvizjes së të Pa-Inkuadruarve në Teheran në korrik, ai iu përkujtoi pjesëmarrësve rëndësinë e Beogradit, në samitin e parë të lëvizjes dhe veçanërisht kishte nënvizuar fjalët “Tito ynë”, sikurse Tito t'u takonte vetëm serbëve! Ne boshnjakët e dimë më së miri çfarë domethënie kishte kjo injorancë, kur ne iu drejtoheshim shteteve myslimane, veçanërisht shteteve arabe, duke u munduar të gjejmë mbështetjen e tyre në ditët e para të agresionit serb. Kishte një mosbesim se armata jugosllave, kryesisht e komanduar nga gjeneralët serbë, e cila kishte filluar të furnizonte shtetet arabe me armë dhe pajisje të sofistikuara dhe po trajtohej me shumë miqësi nga establishmenti ushtarak arab, do të mund të bënte diçka të keqe kundër myslimanëve.
Në atë kohë, më 1992, gati asgjë nuk dihej për situatën, madje as se ishte një Bosnjë në Jugosllavi, dhe edhe më pak rreth Kosovës, të banuar kryesisht nga myslimanët. Prandaj lideri i Libisë, Muammar Gaddafi, publikisht shfaqi habinë “çfarë duan këta myslimanë, kur serbët janë kaq njerëz të mirë?” Ai po e thoshte këtë, kur mijëra myslimanë të Bosnjës ishin torturuar dhe mbytur nga serbët. Egjipti ishte veçanërisht dyshues ndaj luftës së boshnjakëve, dhe është edhe sot ndaj pavarësisë së Kosovës.
Po të varej nga disa njerëz dhe shtete, kjo qasje do të vazhdonte dhe Bosnja e Hercegovina do të privoheshin nga ndihma e mëvonshme e zgjeruar dhe mbështetja politike. Turqia ka qenë në mesin e këtyre shteteve dhe mes individëve që nuk i takonin politikës ka qenë Ekmeleddin Ihsanoglu, i cili, në atë kohë ishte kryesues i Qendrës së Kërkimeve për Historinë, Artin dhe Kulturën e Islamit në OIC. Ashtu ndodhi që takimi ministror i OIC ishte mbajtur në Stamboll në qershor 1992, dy muaj pasi agresioni kundër Bosnjës kishte filluar. Ka pasur konfuzion mes shteteve myslimane lidhur me zhvillimet në ish-Jugosllavi, më shumë sesa në botën perëndimore. Të vetëdijshëm për natyrën e qëllimit të liderit serb, Sllobodan Millosheviç, për të transformuar Jugosllavinë në një Serbi të Madhe, duke dëbuar ose çrrënjosur prej saj të gjithë jo-serbët, qeveria turke e kishte të vështirë të përfshinte çështjen boshnjake në axhendë, për shkak të dyshimeve të shteteve të tjera anëtare të OIC. Ministri dinamik, Hikmet Cetin, dhe intelektuali brilant, profesori Ihsanoglu, ishin veçanërisht të përkushtuar në këtë drejtim, duke sjellë në konferencë Haris Silajdziç, atëherë ish-kryesues i diplomacisë boshnjake. Duke pasur respekt për kushtet dhe rrethanat që janë të ndryshme, unë gjej ngjashmëri mes pozicionit të Bosnjës më 1992 dhe Kosovës më 2008, së paku sa i përket qasjes së shteteve myslimane. Prova më e mirë se qasja e shteteve individuale myslimane dhe organizatës së tyre, OIC, mund të ndryshojë sërish po jepet këto ditë nga Turqia - dhe çfarë koincidence - Ihsanoglu, tash Sekretar i Përgjithshëm i OIC.
Turqia, mes njohësve të parë
Krahas SHBA dhe shteteve kryesore anëtare të BE, Turqia ishte mes shteteve të para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, diku më pak se 24 orë pas deklarimit të saj më 17 shkurt.
Sekretari i Përgjithshëm i OIC shprehu solidaritetin me popullin e Kosovës të nesërmen, duke shtuar: “Kombet islamike i dëshirojnë sukses në betejën e re që i pret e që është ndërtimi i një shteti të fuqishëm dhe prosperues, i aftë për të kënaqur popullin e tij. Nuk ka asnjë dyshim se pavarësia e Kosovës do të jetë një vlerë në botën myslimane dhe do të rrisë edhe më shumë veprimin e përbashkët islamik”.
Sidoqoftë, OIC nuk e kishte parë këtë si një “vlerë” në samitin në Dakar, Senegal, vetëm disa javë më pas. Diplomacia turke nuk ishte e suksesshme në iniciativën e saj për të pasur një paragraf të qartë në mbështetje të pavarësisë së Kosovës të përfshirë në deklaratën e samitit. Konferenca ka shprehur vetëm “një nevojë për të qenë në solidaritet me popullin kosovar”, duke e lënë çështjen e njohjes së Kosovës te shtetet anëtare. OIC nuk mundi të shkonte më tej as në takimin ministror në Kampala, Ugandë, në qershor. Sikurse në Dakar, shtetet myslimane që e kundërshtojnë njohjen e Kosovës janë kryesuar nga Egjipti. Deri më tash, vetëm gjashtë shtete myslimane e kanë njohur shtetin më të ri evropian.
Tash, të ballafaquar me mundësinë që ICJ mund të marrë dritën e gjelbër nga KB për të nxjerrë një opinion për ligjshmërinë ndërkombëtare të deklaratës së saj të pavarësisë, Kosova varet nga SHBA dhe shtetet evropiane. Në lobimin për Kosovën atyre do t'u bashkohen vetëm disa shtete me shumicë myslimane, siç është Turqia dhe Malajzia. Sa i përket OIC, nuk duket se mund të japë mbështetje të përbashkët për Kosovën. Duke e pritur kreun e diplomacisë së Kosovës, Skënder Hyseni, në mesin e shtatorit, profesor Ihsanoglu riafirmoi mbështetjen e OIC për popullin e Kosovës. Ai nuk mund të bënte më shumë, meqë duhej folur dhe punuar në përputhje me deklarimet e pavendosura dhe të kompromisit të OIC. Ai ka një rol shumë kompleks për të ushtruar. Është e vërtetë se as Bashkimi Evropian nuk ka arritur një qasje të unifikuar të njohjes së Kosovës, por 21 prej 27 shteteve anëtare e kanë njohur Kosovën. Në OIC, dallimi është gjashtë prej 57 shteteve anëtare.
Unë dyshoj se pranimi eventual i iniciativës së Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara mund ta vërë në pikëpyetje pavarësinë e Kosovës, por unë pyes veten se çfarë do të ndodhë, nëse nesër Kosova kërkon të bëhet anëtare e OIC.
*Autori është ish-ambasador i Bosnjës dhe Hercegovinës në Turqi dhe ligjërues i historisë së diplomacisë në Universitetin Ndërkombëtar “Philip Noel-Baker” në Sarajevë. Artikulli është marrë nga “Today’s Zaman” e Turqisë