Krerët e dy minibashkive në Tiranë braktisin Ramën dhe i bashkohen Petro Koçit
Koçi i merr Ramës krerët e dy minibashkive në Tiranë. Ilir Kokona, minibashkia nr. 3 dhe Pandi Sara, minibashkia nr 7, kanë lënë Partinë Socialiste dhe janë anëtarësuar në PS91, partia më e re, e cila drejtohet nga ish-deputeti socialist, Petro Koçi. Ky i fundit tha dje për këtë çështje, se dy krerët e minibashkive janë vlerësuar nga kryesia e PS91 në krye të degës së kësaj partie në Tiranë. Kokona dhe Sara do të jenë drejtuesit e kësaj degë në kryeqytet, ku dhe do të zhvillojnë betejën përballë ish-kolegëve të tyre socialistë në zgjedhjet e vitit 2009. Lidhur me shkaqet për të cilat Kokona dhe Sara largohen nga PS, ato lidhen me drejtimin e partisë, por edhe me probleme të tjera që ata kanë patur me deputetë të PS në zonat e tyre elektorale. I pyetur për arsyet e largimit nga partia, Pandi Sara u shpreh dje se largohet nga PS, sepse ndan të tjera mendime për mënyrën e drejtimit të partisë. Ndërsa Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun në PS91, Gjergji Koja, u shpreh dje se afrimi te kjo parti i dy krerëve socialistë të minibashkive dëshmon se, sipas tij, socialistët e vërtetë po mblidhen larg Edi Ramës. Ai tha dje se veç Kokonës e Sarës, pritet që te PS91 të mbërrijë edhe një tjetër kryetar i një minibashkie në Tiranë, për të njëjtat arsye të paraqitura nga Kokona e Sara. “Edhe kryetarët socialistë të minibashkive të Tiranës filluan bashkimin me PS91. Ilir Kokona, kryetar i minibashkisë 3 zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm i degës së PS91, dega Tiranë, kurse Pandi Sara, kryetar i Minibashkisë Nr. 7 zgjidhet Sekretar për Marrëdhëniet me Publikun i kësaj dege. Socialistët e vërtetë po mblidhen te PS 91, duke vërtetuar karakterin thellësisht socialist të kësaj partie. Pritet dhe një kryetar tjetër minibashkie të bashkohet me PS 91”, - u shpreh Koja. Krerët e dy minibashkive, nr 3 dhe asaj nr. 7, pretendojnë se bashkë me ta te PS91 do të anëtarësohen një numër i konsiderueshëm i socialistëve të këtyre minibashkive. Largimi nga PS i dy krerëve të minibashkive dhe afrimi te PS91 rihap betejën e “grabitjes” së elektoratit ndërmjet partive të majta, PS-LSI, të cilave iu shtohet edhe PS91, që gjithsesi gjendet afër LSI, pasi ka deklaruar pjesëmarrjen në të njëjtin koalicion, “E Majta për Integrim”.