IFC-ja dhe BB-ja, këshilla qeverisë shqiptare për reformat e biznesit
Përfaqësuesit e IFC-së dhe Bankës Botërore të Programit “Si të bësh biznes” ndodhen këtë javë në Tiranë për t’u takuar me zyrtarë të lartë të vendit. Qeveria shqiptare i kërkoi këto takime për të diskutuar reformat rregullatore për përmirësimin e mjedisit e të biznesit në Shqipëri, si dhe për të përfituar nga reformat e suksesshme në botë. Këshilltarët për reformat nga IFC-ja dhe BB-ja do të diskutojnë reformat që po kryhen për përmirësimin e rregullave të bërjes biznes në 10 drejtime, të cilat studiohen nga raporti global “Si të bësh biznes”: regjistrimi i biznesit, lejet e ndërtimit, regjistrimi i pronësisë, ligjet për punën, pagesa e taksave, aksesi ndaj kredisë, mbrojtja e investitorit, tregtia, eficienca e gjykatës dhe mbyllja e biznesit. Takime do të zhvillohen me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Ekonomisë, Drejtësisë, Punëve Publike, Punës, Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Biznesit. “Renditjet më të mira në lehtësinë e të bërit biznes janë të lidhura me rritjen, me vendet e reja të punës dhe një sektor me të vogël informal. Përpjekjet e Shqipërisë për të krijuar rregulla sa më pranë biznesit janë një hap pozitiv drejt një sektori privat më të fuqishëm”, - tha Marialisa Motta, menaxhere e programit të reformave që lidhen me të bërit biznes. Përfaqësuesja e Përhershme e BB-së në Shqipëri, Camille Nuamah, tha: “Grupi i Bankës Botërore është i inkurajuar nga përpjekjet e bëra nga qeveria shqiptare për përmirësimin e mjedisit për investimet private. Prioriteteve të identifikuara nga kjo analizë ne do t’u përgjigjemi përmes shërbimeve tona të shumta të këshillimit duke bashkëpunuar edhe me partnerë të tjerë të zhvillimit”. Raporti global i këtij viti “Si të bësh biznes 2008” e radhiti Shqipërinë në vendin e 136-të nga 178 ekonomi të marra në analizë në lidhje me lehtësinë e të bërit biznes. Në tregues të veçantë, renditja për Shqipërinë është nga vendi i 48-të për marrjen e kredisë në të 165-tin dhe 178-tin respektivisht për mbrojtjen e investitorëve dhe mbylljen e biznesit.
20 Shkurt 2008