E Diel, 1 Nëntor 2026

Kremtohet dita e ujit të bekuar

 

Dita e ujit të bekuar u festua dje në disa rrethe të vendit. Dhjetëra të rinj sfiduan temperaturat e ulëta, duke ndjekur ritualin e përvitshëm për gjetjen e kryqit në ujërat e ftohta. Në det, lumenj apo edhe shatërvanë, qindra qytetarë ndoqën hedhjen e kryqeve dhe më pas rendjen e besimtarëve për ta gjetur të parët atë në ujërat që shënonin minus zero gradë. Kjo festë është një prej të kremteve më të mëdha të fesë ortodokse, e cila sipas Ungjillit të Shenjtë përkon me shfaqjen e Perëndisë në botë. Ajo shënon momentin e pagëzimit të Krishtit. Në Korçë, kortezhi i gjatë i klerikëve të kryesuar nga Imzot Johani janë drejtuar tek shatërvani për të hedhur kryqin në ujë. Kryqin e gjeti 27-vjeçari Olger Tona, i cili ka pasur këtë fat edhe një vit më parë. Ceremonia e ditës së ujit të bekuar është përcjellë dje edhe në Gjirokastër. Por asnjë besimtar nuk e kapur kryqin që prej fillimit të këtij riti për shkak të ujërave të rrëmbyer të Drinos. Ceremonia u zhvillua edhe në Vlorë. At Kostandin Prifti hodhi kryqin në det nga ku u gjet nga një besimtar i kishës. Në Berat, nga ura e Goricës qindra kureshtarë ndoqën hedhjen e kryqit në lumë, të cilin e gjeti Mandi Gjeçi, 32 vjeç, i besimit mysliman. Edhe në Fier, besimtarët ndoqën hedhjen e kryqit në shatërvanin e qytetit nga at Ilia Bita. Një fëmijë 12 vjeç ishte fatlumi. Ndërsa në Sarandë mes të rinjve që u hodhën në ujin e ftohtë të detit fati i buzëqeshi Kristos nga Saranda, të cilit i ka takuar si shpërblim një shumë të hollash. Ndërsa në Durrës, në kalatën numër katër të Portit është kryer riti tradicional. Duke shpërfillur temperaturën e ujit të detit që shënonte më pak se 5 gradë celsius besimtaret u zhytën. Ai që preku i pari kryqin ishte 40-vjeçari Nikolla Zeneli. Në Elbasan, për të katërtin vit radhazi, Juljan Luli po i besimit mysliman arrin të kapë kryqin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›